Mobi Casa

Pse dua që Presidenti të zgjidhet nga populli?

/ 11 minuta lexim

Nga Behgjet Pacolli – Ditët e fundit, në formën e një prove, dhe kurrfarë iniciative të rregullt legale, është lëshuar ideja për t’u rikthyer në zgjedhjen e presidentit nga parlamenti.

S’dua të merrem me ata që e mbështesin këtë ide, por me vetë idenë, me pasojat e saj.

Dua të tregoj pse unë vazhdoj t’i mbetem fuqishëm prapa idesë së zgjedhjes së presidentit nga populli.

Iniciativa që presidenti të vazhdojë të zgjidhet nga parlamenti është një provokim serioz, ndaj dua të reagoj, duke i paralajmëruar autorët e kësaj iniciative për aventurën ku duan ta fusin Kosovën.

Arsyet pse unë e kundërshtoj këtë iniciativë, që të rikthehemi tek zgjedhja e presidentit nga parlamenti, do t’i ndaja në 4 grupe.

Arsyet morale

A i duket dikujt e moralshme që në mënyrë të njëanshme të hamë fjalët, të mohojmë një marrëveshje kaq të rëndësishme dhe legale, në pikat e saj themelore duke menduar që populli nuk e kupton dhe nuk shqetësohet për këtë ? A nuk ju kujtohet se sa mirë e priti populli i Kosovës marrëveshjen mes tre liderëve politikë me ndërmjetësimin e miqve tanë amerikanë ? Pse duhet ta neglizhojmë vullnetin popullor, në një gjë kaq të rëndësishme ? Pse duhet të heqim dorë nga kjo marrëveshje e cila është legjitimuar nga Parlamenti i Kosovës, marrëveshje që zgjidhi një ngërç politik dhe ishte premtuese që presidenti asnjëherë nuk do të jetë instrument i pazareve dhe skenarëve politikë.

Po atëherë pse e bëmë atë marrëveshje ? Për të hequr Behgjet Pacollin? Po, mu për këtë, nuk ja vlente kurrfarë marrëveshjeje, që nëse nuk do ta respektojmë sot, do ngjante si një komedi me disa akte.

A beson kush se pas këtyre tentativave të pamoralshme, do të kishte më hapësirë për marrëveshje në jetën tonë politike ? Kur shkelen marrëveshjet, bile ato me ndërmjetësimin e miqve tanë amerikanë, pse vallë do të respektoheshin marrëveshjet pa ndërmjetës?

Dhe më në fund, një konsideratë për miqtë tanë ndërmjetësues. Ambasadori amerikan Dell, nuk u bë palë e saj në cilësinë personale. Ai ishte përfaqësues i SHBA-ve.

Gjykata Kushtetuese e dha një interpretim në lidhje me mandatin e presidentes. Për mua, interpretimi i këtij vendimi nga ana e presidentes është vërtet i pakuptueshëm, tendencioz bile edhe i pamoralshëm.

Është e vërtetë se Gjykata Kushtetuese ka dhënë një interpretim të bazuar vetëm në nenet e Kushtetutës, pa marrë parasysh rrethanat dhe faktorët që kanë shtyrë që presidentja të zgjidhet ashtu siç ndodhi. Nuk dua të hyj në komentimin e këtij vendimi, por një e di, që edhe kësaj radhe, anëtarët e huaj të jurisë, kanë pasur opinion të ndryshëm prej gjykatësve vendorë, sikurse në rastin tim… interesante… ! Në këtë vendim po ashtu nuk janë marrë për bazë rrethanat, se si presidentja është zgjedhur, që për mendimin tim është dashur të merren parasysh.

Rrethanat kanë qenë shumë të arsyeshme, pse ?: Presidentes i është thënë edhe në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, kur i është komunikuar lajmi, por edhe në rezidencën time në Hajvali se ajo është kandidate si rezultat i një marrëveshje politike të nënshkruar nga liderët e PDK-së LDK-së dhe AKR-së (shumica absolute parlamentare). Presidentja e ka konfirmuar këtë edhe gjatë fjalës së saj në Kuvend pas zgjedhjes, kur ka deklaruar se; “është këtu si rezultat i një marrëveshje politike, e shndërruar në rezolutë të Parlamentit të Kosovës“.

Fundamenti

Ishte jo etike, jo fer që tani presidentja thirret se gëzon të drejtën kushtetuese dhe duhet të rrijë deri në fund të mandatit. Këtë qytetarët e Kosovës e dinë, se janë të mashtruar nga presidentja. Tani me iniciativën e disa liderëve tjerë, qytetari shumë mirë e ka kuptuar se edhe në këtë rast mungon gatishmëria për ta mbajtur fjalën…
Në këto rrethana, unë mundem vetëm t’u rekomandoj kolegëve të mi, që ta kuptojnë se edhe në politikë duhet të ketë sinqeritet. E një politikan i mirë, një politikan dinjitoz nuk duhet të gënjejë, nuk duhet të mashtrojë, por duhet ta mbajë fjalën.

Arsyet kushtetuese

Çfarë kuptimi ka rezoluta që ne miratuam në Kuvendin e Kosovës-rezoluta që e mbështeti marrëveshjen e tre liderëve. Si mund të zhbëhet një akt politik kaq i rëndësishëm kushtetues i parlamentit? Si mund të zhbëhet kaq kollaj puna e Komisionit për reformën kushtetuese? Me çfarë akti do shfuqizohet puna e tij?

Si mund të tallemi vazhdimisht me Kushtetutën tonë në vitet e para të ekzistencës si shtet? E di se me Kushtetutën është tallur shumë deri tani. Janë shpikur madje interpretime origjinale “Made in Kosova“, me të cilat asnjëherë s’kanë qenë dakord ekspertët e huaj. Ndoshta unë e kam gabim por me këtë po i bie që ekspertët e huaj nuk janë të dijshëm.

Kjo iniciativë (që zgjedhja e presidentit të vazhdojë të bëhet nga Kuvendi), ashtu siç e paralajmëruan edhe disa njohës të së drejtës kushtetuese, provokon në vazhdimësi kriza institucionale. Ç’ndodh nëse opozita bojkoton prapë seancat e zgjedhjes së presidentit? Do mbetemi pa president? A mundet kush të detyrojë të rrijë në seancë opozitën apo këdo që do të bojkotojë? A mendon kush se fatmirësisht u morëm vesh ta zgjedhim presidentin nga populli, se përndryshe mund të mos kishim president kurrë. E dimë që dikush mbase s’do që Kosova të ketë president, por “mbretërit“ e kohës moderne nuk quhen domosdoshmërisht presidentë, ata quhen dhe kryeministra. I paralajmëroj ata që duan ta bëjnë këtë aventurë që të mos i hyjnë sepse kur të dështojnë në zgjedhjen e presidentit në parlament, s’mund të kthehen sërish mbrapa duke kërkuar president nga populli. Do ishte tepër qesharake, por dhe dramatike një lojë e tillë me dinjitetin e shtetit.

Dikush thotë se ne jemi republikë parlamentare dhe jo presidenciale. Me një fjalë zgjedhja e presidentit nga populli do ta bënte automatikisht Kosovën republikë presidenciale. Ky është një gabim i madh dhe është thjesht propagandë. Le të marrim Francën. A është Franca një Republikë presidenciale, pse presidenti zgjidhet nga populli dhe madje nenet e presidentit janë që në krye të Kushtetutës? Jo, Franca quhet gjysmë presidenciale, sepse Presidenti atje mund të drejtojë dhe qeverinë, por karakteri i Republikës Franceze varet në praktikë nga përkatësitë politike të presidentit dhe kryeministrit. Kur presidenti dhe kryeministri kanë qenë të partive të ndryshme (cohabitation), eksperienca ka treguar se Republika franceze ka anuar më shumë nga ajo parlamentare. A është presidenciale Republika maqedonase, ose kroate, apo ajo malaziase, meqenëse presidenti zgjidhet nga populli? Jo, aq më shumë kur qeveria është e një shumice parlamentare të ndryshme nga partia nga vjen presidenti. Kujtoni vuajtjet e Presidentit Trajkovski të ndjerë me një qeveri të drejtuar nga një parti kundërshtare, apo dhe pasardhësin e tij, për të kuptuar se ky pretendim është thjesht propagandistik.

Arsyet politike

Kosovës i duhet një ekuilibër në drejtimin e shtetit dhe jo të gjitha pushtetet në një dorë, megjithëse me emra të ndryshëm drejtuesish të këtyre pushteteve. Çfarë shembulli sot jep Kosova, kur presidentja është qind për qind në dispozicion të partisë në pushtet dhe as pas dy vjetësh presidentja nuk ka arritur të bëjë asnjë veprim që shkon në favor të qytetarit të Kosovës? Ekuilibri krijohet kur në krye të këtyre dy institucioneve me mandate të ndryshme, vijnë dy figura politike, e pse jo dhe shoqërore, të cilat janë shprehje e dy realiteteve të ndryshme shoqërore dhe politike, e dy shumicave të ndryshme, e dy partive të ndryshme, etj që detyrohen të bashkëjetojnë. Kosovës i duhet të paktën një institucion të ketë qëndrueshmëri, pavarësisht krizave, sepse ai garanton pavarësinë e gjykatave dhe institucioneve të pavarura, respektimin e minoriteteve, vazhdimësinë e shtetit. E dimë që sot, megjithëse shumica nuk ka numra të konsiderueshëm në parlament, kemi qëndrueshmëri qeveritare. Kjo është arritur falë pjekurisë së opozitës e cila kur ne s’kemi konsoliduar akoma shtetësinë, nuk provokon kriza. Por ç’do të ndodhë nesër?

A mund të ketë një qeveri garanci se do ta plotësojë mandatin kur skena jonë politike përbëhet nga 4-5 forca me peshë të konsiderueshme, dhe përfaqësues minoritetesh, të cilët mund të provokojnë shumë lehtë kriza qeveritare? Me zgjedhjen e presidentit nga parlamenti do të kemi ose konfliktualitet të vazhdueshëm (vitet 1999-2009), ose kontroll të presidencës nga qeveria si sot. Kjo situatë mund të ngjajë komode deri diku dhe për bashkësinë ndërkombëtare, të cilës kur ne s’kemi konsoliduar shtetësinë, i nevojitet vetëm një bashkëbisedues i fortë. Po nesër? Po sikur ky bashkëbisedues të ketë oreks të madh për pushtet, siç ka ngjarë shpesh në historinë e Ballkanit, me kë do flasin ? Sa do luftojnë që ta heqin?

Arsye personale

Dhe i lashë krejt për në fund arsyet personale.

Unë jam dikush që kam pas vetes një histori personale suksesi. Kam ardhur në Kosovë për të ndihmuar vendin tim: një amanet ndaj të parëve të mi. Jam modest, jam i duruar, sepse unë nuk kam ethe pushteti si dikush që s’mund të bëjë diçka tjetër në jetë, nëse nuk është në politikë. Kam fuqi të madhe ekonomike, por kurrë nuk kam blerë vota as për partinë time, as në parlament për t’u bërë president. Nëse do kisha blerë vota dhe njerëz, sot do të isha president. Kam toleruar shumë lojërat e pushtetit, lojërat e Gjykatës Kushtetuese, sepse s’doja t’i sillja Kosovës krizë. I kam kuptuar këto lojëra, por s’kam ngritur kurrë zërin, sepse Kosovës nuk i duhet kriza. Kam toleruar grabitjen e votës në dëm të subjektit im; kam lejuar ikje deputetësh, sepse as nuk i kam blerë, dhe as kam dashur të blej të tjerë. E kam dashur postin e Presidentit jo pse jam pa punë, por sepse aty mund të punoja më shumë, më mirë për Kosovën. E kam treguar këtë në aq pak kohë sa më lanë të rrija në detyrën e lartë : me lobimin e suksesshëm, me vizitat në Veri, me idenë për Hapësirën mbarëkombëtare në Parlamentin e Shqipërisë që u duartrokit nga dy krahët e politikës së Tiranës, etj, etj. E dua zgjedhjen e presidentit nga populli, sepse më pëlqejnë sfidat. A tha dikush se zgjedhja ime ishte pazar? Shumë bukur, u dorëhoqa dhe i hodha dorëzën e sfidës kujtdo që ishte i interesuar. Le të zgjidhemi nga populli.

Me autoritet më të madh do t’i shërbej më shumë popullit tim. Unë s’kam frikë nga një sfidë e tillë. Nëse unë do isha i interesuar të blija vota për t’u bërë president, do ishte më lehtë dhe më lirë në parlament sesa në popull. Për mua ishte fyese mënyra se si u organizua zgjedhja ime dhe me këtë unë nuk ndihem keq. Le të ndihen keq, ata që e udhëhoqën atë Kuvend ku u bë zgjedhja ime. Le të ndihen keq sepse për shkak të inateve ata thyen çdo ligj dhe nuk patën respekt për shtetin e Kosovës. Zgjedhja nga populli sipas marrëveshjes, ma lehtësoi dhimbjen e krijuar nga manovrat e shëmtuara për të më larguar nga detyra e presidentit. Përndryshe, pse do pranoja të ikja pa imponuar rizgjedhjen time siç ma kërkonte dinjiteti im qoftë dhe duke kërcënuar me krizë parlamentare? Mos dikush mendon se unë duhet të paguaj sërish lojërat e tyre? Herën e parë unë kam besuar, besimi është parim human dhe janë të marruar ata që më tradhtuan. Herën tjetër nëse do ju besoj, marrja do të bie tek unë, por këtë nuk do ta lejoj. Unë jam ai që jam, pse unë vlej shumë, pse unë di shumë, se unë punoj shumë, se unë i dua shumë njerëzit e Kosovës dhe të gjithë botës, se mua, njerëzit më duan shumë. Kush mendon të kundërtën e kësaj që them, e ftoj ta provojmë sa vlejmë në garën popullore.