Uji Dea

“Proserbi” Edvin Rama dhe “patrioti” Besnik Bislimi!

/ 10 minuta lexim

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Prej Skenderi del beteri…: Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës u organizuan disa manifestime e që, sipas meje më mirë do të ishte të mos organizoheshin fare. Pati aq shumë injorime ndaj merituesit krysor për çlirim të Kosovës e që, pa asnjë dyshim është Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës saqë nxitnin dilema mos janë deklarata të Serbisë dhe udhëheqësve të saj e jo të Kosovës dhe liderëve të saj. Ta mohosh rolin e UÇK-së që pati rol vendimtar në çlirimin e Kosovës arsyetohet vetëm nëse e keni dëshminë e mjekut specialist se jeni 99 për qind i çmendur, kurrsesi ndryshe! Të manipulosh, për shkaqe politike me heronjtë, varret dhe varrezat (titull i huazuar nga Ernesto Sabato) përveçse është poshtërsi skajshmërisht e pamoralshme, në të njëjtën kohë është hapje e varrit vullnetarisht ku vendoset e kaluara, dikur shumë e mirë, e tashmja manipuluese dhe regjistrimi në pjesën e historisë apo kapitullin e plehrave njerëzorë, kombëtarë dhe moralë, pa mundësi riciklimi për të ardhmen!

Të thuash se pengjet që po mbahen në Hagë janë kriminelë duke kontribuar në arrestimin e tyre qoftë përmes deklarimit publik se do të dorëzohen dosje kundër tyre apo edhe dëshmive të drejtpërdrejta, në bashkëpunim me UDB-në dhe BIA-në e Serbisë kurse, në anën tjetër të kërkosh t’i vizitosh në burg është poshtërsi që nuk i gjeni as në romanin e devijimeve ekstreme morale të Markiz de Sad por, te ne kjo thuaja është shndërruar në sjellje dhe standard moral. Të dhunosh aq shumë të drejtat e veteranëve të UÇK-së e që kanë qenë ushtarë të pengjeve të Hagës dhe, përsëri, duke u mbuluar me hi apo duke sajuar arsyetime çoroditëse të kërkosh t’i vizitosh, as të arriturat më të përparuara të neuropsikiatrisë nuk do të jenë në gjendje t’i arsyetojnë!

Shqiptarët që kanë mbijetuar në Kosovën e okupuar nga Serbia dhe Jugosllavia sikur edhe ata që kanë mbijetuar në territoret e okupuara, shpresën për shndërrim të mbijetesës në një jetesë e kanë pasur te Shqipëria sepse nuk kishin tjetër atdhe. As sot nuk kemi tjetër atdhe! Edhe në kohën e luftës së parë botërore, luftërave ballkanike, para luftës së dytë botërore, pas kësaj lufte, ndonëse nuk kishim fare informata për Shqipërinë, në idealizmin tonë, mbase edhe verbërues, Shqipërinë e kishim pikëshpresë, pikësynim dhe spirancë ku anijen apo Varkën e Noas që do ta ruante farën dhe popullin shqiptar do ta ankoronim pikërisht në Shqipëri.

Anipse Mbreti Zog na dërgonte në moçalishte, se Enver Hoxha mbushte burgjet dhe kampet e përqëndrimit me të internuar shqiptarë të ikur nga Kosova, për ne që vazhdonim të mbijetonim jashtë atdheut, po kjo Shqipëri ishte Parajsa vet. Për të burgosurit politikë shqiptarë në ish-Jugosllavi, ëndrra shqiptare dhe ekzistenca e Shqipërisë ishte përcaktues për të qëndruar vertikalisht dhe për t’u bërë ballë të gjitha vuajtjeve dhe torturave të cilat nuk ishin të pakta. Po të mos ishte Shqipëria, e tillë siç ishte dhe me mundësitë që i kishte, nuk do të kishte as luftë e të lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Sigurisht se po të mos ishte kjo Shqipëri dhe shqiptarët që kanë jetuar në viset e shkëputura nga ish-Jugosllavia, sot në Kosovë numri i shqiptarëve do të ishte simbolik, i papërfillshëm fare!

Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është çfarë është, Shqipëria ishte adresa e parë dhe më e besueshme për shqiptarët dhe Kosovën. Shumë shqiptarë e kanë përkrahur Fan Nolin jo shkaku i tij por se ka qenë në krye të Shqipërisë. E njëjta gjë ishte edhe me Zogun që u bë mbret pa qenë mbret asnjë i familjes së tij edhe në 500 vetëshin para lindjes së Ahmet Zogut. E kanë përkrahur edhe Enver Hoxhën jo shkaku se Enver Hoxha ishte kombëtar por se ishte në krye të Shqipërisë. Sipas të njëjtin parim janë përkrahur Sali Berisha, Fatos Nano dhe, së fundi edhe Edi Rama. Madje, kur Edi Rama foli si foli në Beograd gjatë vizitës së parë, shqiptarët e Kosovës e vunë mbi Ismail Qemalin kurse tani, për shkaqe të inateve politike dhe kompleksit të inferioritetit, disa prej tyre po përpiqen t’i vendosin mbi kokë kurorën e proserbit dhe tradhëtarit!

KKGJILAN

Po si erdhi te ky haxhiqamilizëm i disa kosovarëve ndaj Edi Ramës: Shqiptarët e kanë si moto personale thënien se: “dy atllarë, nuk lidhen në një mullar..”. Sidomos këta që mendojnë se, qoftë edhe si delikuentë seksual dhe duke iu nënshtruar pornografisë morale bëhen pjesë e politikës ose e institucioneve të Kosovës. Fillimisht të gjithë kërkojnë përkrahje nga Shqipëria dhe Edi Rama e pastaj, me t’u prekur prapanica në karriken e pushtetit deklarojnë se nuk e pranojnë qëndrimin paternalist të Shqipërisë dhe të Edi Ramës sepse Kosova qenka shtet i pavarur dhe sovran sikur që i paska udhëheqësit e zgjedhur e që kanë mandat t’i përfaqësojnë. Natyrisht, në këto rrethana Shqipëria tërhiqet sikur që as Edi Rama nuk e ka më vullnetin që të angazhohet për Kosovën dhe liderucët e saj. Në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, në mungesë të guximit për të votuar në Luginën e Preshevës për Kuvend të Serbisë dhe Sobranje të Maqedonisë së Veriut, liderët e Kosovës morën pjesë në zgjedhjet në Shqipëri e që asnjë njeri normal nuk do ta pranonte. Kaluan si kaluan dhe këtë luftë e vendosën në planin personal, kush do të bëhet Baba i të gjithë shqiptarëve. Natyrisht se Intelektuali i Madh shqiptar, Rexhep Qosja, për shkak të moshës nuk ishte kandidat për Baba të Kombit

(eventualisht mund të zgjidhej Gjysh i Kombit), dhe lufta ra në dy emra, Edi Rama dhe Albin Kurti. Kjo luftë nuk u imponua nga Edi Rama sa nga Albin Kurti. Albin Kurti e kishte personale edhe luftën me Hashim Thaçin derisa e dha një kontribut modest që Thaçi të dërgohet në Hagë përmes thirrjeve në Kuvendin e Kosovës: “Hashim, shko në Hagë..” Pasi i fitoi 51 për qind të votave, me eliminimin e Hashim Thaçit nga skena politike, Albini luftën e personalizoi me Edi Ramën, për ta eliminuar si të parin e të gjithë shqiptarëve e që kam përshtypjen që Edi Rama asnjëherë nuk e ka pasur qëllim! Me kalimin e kohës, disa media, në përpjekje për servilosje përfituese nga Albin Kurti, filluan ta sulmojnë Ramën duke ia hequr cipën e virgjërisë së një të paprekuri dhe duke bërë përpjekje t’i fusin një purri antikombëtar përkatësisht duke e cilësuar si proserb.

Madje, iu dukej pak ta quanin vetëm Edi Rama por thonin, Edvin Kristaq Rama, për t’ia forcuar ortodoksizmin përmes emrit të babait dhe përkatësinë proserbe. Ballkani i Hapur ishte rasti më i mirë që Edi Rama të sulmohej dhe të cilësohej si antikrisht i çlështjes kombëtare dje si apostull i çështjes serbe! Këta që e sulmojnë sot Ramën dikur e pushkatonin Albinin si djalë politik të Adem Demaçit dhe Rexhep Qosjes dhe, pa asnjë dyshim të njëjtën gjë do ta bëjnë në çastin kur Albini, eventualisht do të binte nga fiku (pushteti)! Asnjëherë nuk i kam marrë seriozisht por se për mua ka qenë befasi e madhe që më ka lënë pa gjumë dhe qetësi, deklaratat kundër Edi Ramës, të cilësuar si proserb, të patriotëve të dëshmuar dhe sakrifikues të papërsëritshëm për çështjen kombëtare ndër gjenerata dhe shekuj të Bislës, Rok-felerit të Uroshevcit dhe haxhiqamilit seksual. Edi Rama konsiderohet si politikan aksidental që paska hyrë rastësisht në politikë e ku, i pari midis të parëve është thuaja 20 vjet, që ia ka ndryshuar fytyrën Tiranës dhe Shqipërisë e që “rastësisht” po e ushtron mandatin e tretë si kryeminister i Shqipërisë. Për Edi Ramën thonë se është maniak, përdorues i drogës, hajdut, ekscentrik dhe i çmendur dhe, së fundi sipas pohimeve dhe postimeve të një patrioti dhe komandanti të shquar të njësive subversive në periudhën e pasluftës i mirënjohur si Komandant Leshi, qenka: “njeri i mirë por pak proserb…”.

E ky Komandant Leshi postin më të lartë që e ka dhe do ta ketë në të ardhmen është se është kryeservil i kryekomandantit politik dhe komandant i vogël i një grupi të vogël mercenarësh (jo të gjithë) paraardhësit e të cilëve me shpi dhe me thi i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë sikur që sot marrin paga thuaja 20 herë më të mëdha se ndihmat sociale që e merr një veteran i UÇK-së me pretendime se do ta zgjidhin fatin e Kosovës, pa “proserbin” Edi Rama dhe me “patriotin” Besnik Bislimi! Edi Rama mund të jetë edhe i çmendur por e ka një çmenduri krijuese ku rezultatet janë edhe të dukshme, edhe të prekshme. Po këta tanët çka bënë deri më sot?! Përveçse duan ta çojnë vendin në luftë qytetare duke nëpërkëmbur vlerat e vërteta kombëtare dhe duke afirmuar agjentët e UDB-së dhe të BIA-së! Njeriu, në çaste të caktuara ka nevojë edhe për armik që të respekton e lëre më për një politikan që mendon, flet dhe vepron shqip. Edhe në rast se është i çmendur.

Përfundimisht, deri më sot askush nuk mund të më bind se Edi Rama është proserb dhe antishqiptar sikur që askush nuk mund të më bind se Besnik Bislimi është patriot më i madh se Edi Rama. Është patriot, por është patriot i vogël sepse është bërë patriot i inxhinieringut për përdorim të përkohshëm politik. Nuk thuhet kot se: “Shqiponja nuk gjuan miza prandaj as Besniku nuk e gjuan Vuçiqin por bën përpjekje të Don Kishotit që ta gjuaj Ramën duke e cilësuar si pak proserb…”. Ka mundur të bëhet edhe më keq dhe Bisla ta cilësojë Edi Ramën si shumë proserb! Është treguar i matur, në vlerësim dhe cilësim! Meriton respekt, deri në Gjylekar!