Propozimi franko – gjerman me në qendër njohjen formale të …Banglladeshit
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Pafytyrësia si vlerë morale, nënshtrimi si detyrë “kombëtare”: Kosova është në një udhëkryq ku të gjitha rrugët çojnë drejt një rilidhje me Serbinë, konfederalizim apo federalizim është çështje teknike. Ndërkombëtarët nuk duan ta prenë kërthizën me Serbinë ndërsa politikanët e Kosovës luftën kryesore e bëjnë midis vetes. Deri në asgjësim. Sakrifikuesit kryesorë që e sollën këtë liri kështu si e kemi dhe këtë shtet ashtu si është me një pavarësi, integritet territorial dhe sovranitet sui generis i dërguan në Hagë kurse vlerat e përjetshme kombëtar dhe njerëzore siç ishin Frymëzimi për Liri, Pavarësi dhe Bashkim Kombëtar, Baca Adem Demaçi dhe Adem Jashari përkujtohen në data të caktuara, kryesisht për përfitime politike dhe elektorale.
Nuk ka shtresim politik që aq shumë i ka sulmuar çlirimtarët, sakrifikuesit dhe ndërtuesit e shtetit se që e bënë pushteti aktual që, në mesin e vet ka aq shumë mohues të kombit dhe lirisë, vazhdues biologjikë dhe politikë të ish-shtypësve dhe torturuesve tanë, hetues, dhunues dhe vrasës të çdo përpjekje që e bënë breza e breza atdhetarë, që nga Rilindja e Kombit, deri më sot. Pas përfundimit të luftës, koha dhe proceset politike kërkonin personat që ishin në skenën politike. Ata bënë, në rrethana të një mbikëqyrjeje të rreptë ndërkombëtare atë që kishin mundësi, duke bërë edhe gabime. E bënë, pa asnjë borxh të jashtëm infrastrukturën rrugore, ndërtuan shkolla dhe objekte tjera sikur që siguruan një standard që përafërsisht plotësonte nevojat e qytetarëve. Miratuan ligje për përfituesit socialë, veteranët e luftës, viktimat e dhunës seksuale, për të pagjeturit sikur që kompensuan ish të burgosurit politikë. E ndërtuan një themel për shtet me shpallje të pavarësisë duke integruar pakicat, diku plotësisht e diku pjesërisht. Në të njëjtën kohë në skenë u paraqit një shtresim politik, fillimisht si KAN, pastaj Lëvizje Vetëvendosje për t’u shndërruar në parti VV, e udhëhequr nga Albin Kurti, një kohë rob lufte në Serbi.
Me t’u liruar, Albin Kurti e kishte përkrahjen në çdo aspekt nga Adem Demaçi dhe Behxhet Shala të cilët sinqerisht besuan se Albini është njeri i ndryshimeve, kombëtarisht i paluhatshëm, trim i vendosur, me parime politike të padiskutueshme, materialisht i pakorruptuar, i vendosur për bashkim kombëtar, në fushën e negociimit i pakompromis dhe se, në asnjë rrethanë nuk do t’i binte bakllavasë. Sa idealistë, shkurtpamës dhe budallenj që ishim. Baca Adem e kuptoi shumë më herët duke i ndarë rrugët politike me Albinin, unë edhe për një kohë isha në rolin e budallait. Në atë kohë Albin Kurti mohonte çdo të arritur dhe tash ndërtuesit e shtetit i quan “shkatërrues të shtetit” duke i shfrytëzuar të gjitha të mirat e këtij shteti që ia lanë “shkatërruesit e shtetit” në një shtet që e ka mohuar deri në kohën sa i hypi sipër.
Po ç’po bënë Albini për këtë shtet: Si pika motivuese për ta lëvizur ortekun e 51 për qind të votave të fituara, Albini e kishte bashkimin kombëtar, refuzimin e Zajebnicës, luftimin e korrupsionit dhe krimit te organizuar, kompensimin e dëmeve të krimeve të luftës nga Serbia, çështja e të pagjeturve, kushtëzimi i çdo takimi me Vuçiqin me kërkimfalje, integrimin e veriut dhe shumë përralla të tjera. Që dolën të jenë mashtrime të paskrupullta, mjet për t’u ngjitur në pushtet, për pushtet absolut, tash gjysmëdiktatorial, me qëllim të shndërrohet në diktaturë. Kundërshtarët i dërguan në Burgun Racist të Hagës duke duartrokitur çdo dënim që i mbanë larg Kosovës dhe pushtetit të tij mashtrues, primitiv dhe të papërgjegjshëm. Asnjë premtim nuk e përmbushi deri më tani, përkundrazi. Më herët për pengjet e Hagës thoshte se, edhe nëse e kanë shtetin, e shkatërrojnë atë kurse edhe nëse e kanë pavarësinë, e humbin atë. Sa mirë dhe saktë e ka përshkruar gjendjen e sotme ku protagonisti kryesor është pikërisht vet ai, dhunuesi i çdo vlere demokratike dhe i vet shtetit, Albin Kurti.
Qeveritë e kaluara e lanë trashëgimi Zajebnicën kurse Albin Kurti, si vlerë të shtuar e ka, si ai maniaku në Mal të Zi që e flet një shqipe të baushtellës, fuqizimin e Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë, si Zajebnicë në vete ne kryeqytet Manastirin e Deçanit. Me pranimin e propozimit franko – gjerman, me Zajebnicën politike serbe dhe Zajebnicën ortodokse serbe në qendër, e konservon Kosovën turshi, si lakrën e Bledi Manes për disa periudha dhjetëvjetëshe, pa një dinamikë dha afat të qartë se kur dhe si do të përfundojë. Serbia dhe Aleksandër Vuçiq, as po ta zinin peshkun e artë nuk do të fitonin në shumë se sa që pi ua mundëson propozimi franko – gjerman dhe Albin Kurti. Serbia nuk po bënë asnjë kompromis dhe asnjë sakrificë, palë e lagur pi dalim ne. Në vend të insistimit për njohje de jure nga Serbia, Albin Kurti po shet përralla se ky propozim në qendër e ka njohjen de fakto.
E çka qenka njohja de fakto? Është përpjekje me la m.. me shurrë, si na mëson urtia popullore. Kompromise të mëdha dhe jonormale po i bënë Kosova dhe jo Serbia. Nëse Albin Kurti rrethohet nga leshko legjendarë, që i ka zgjedhur për ta mbajtur pushtetin dhe për ta kalkuluar çdo propozim përmes kushtëzimit të këtyre mjeranëve, së paku të bëhet korrekt me vlerat dhe thesarin kombëtar siç janë Mehmet Dragoviqi Kraja, Martin Berishaj, Ton Qyrra, Rim Shurraku dhe të tjerët që, pa dyshim do t’i përmend më vonë. U lajmërua me këshilla shumë praktike dhe të domosdoshme, patrioti i shquar jugoslkav, që nga koha e Titos, Zem Vleshi. Nuk e di nëse është gjallë Buba Morina e cila, nëse është gjallë mund të na ofrojë ndonjë testament politik të shoqit të saj, Rrahman Morina që ishte arkitekti i themelimit të LDK-së dhe spiritus movens politik i mendermethënë kryetarit aktual të ASHAK-ut, Mehmetkrajëlazanskit. Testamenti i mundshëm politik, në rrethanat aktuale do të kishte vlerën e “Gurit Filozofik” për kryeministrin dhe kotillën e tij politike që po e ngrenë në qiell propozimin franko – gjerman duke kërkuar dhe gjetur arsyetim për çdo pikë. Në momentin kur i hynë arsyetimit për gjëra që nuk arsyetohen dhe për të cilat është derdhur gjaku, kanë mbetur fëmijët jetimë, pa asnjë dyshim bëheni familjarë kombëtar dhe politikë i Rrahman Morinës, për fillim.
Si erdhi propozimi franko – gjerman: Këtë propozim nuk ua solla unë e as nuk e gjeta në mesin tuaj por ua solli “Karll Bildti” nga Gjylekari, i deleguari special i Albin Kurtit, Besnik Bislimi. Si një urith, thuaja gjatë dy vjetëve, në takime të fshehta dhe publike, në nëntokë dhe mbitokë, me Lajçak, Borrellin, Petkoviqin dhe iqët tjerë nga Kosova dhe Serbia, gatoi një “srpski sllavski kollaq” “kulaç serb i Pashkëve” që tash po na serviret si propozim franko-gjerman. Në fshehtësinë dhe terrin të cilin nuk mund ta gjeni as në Ferrin e Dantes, gjoja për të mos dëmtuar negociatat, ky person pa asnjë të kaluar politike dhe kombëtare e pranon një ofertë që e kthen Kosovën në pikën zero, e futë në një proces të ngrirjes së thellë duke vënë në një gjendje të gjumit të thellë, si hibernacioni te arinjtë polarë. BB (Big Brother i Ekipit Negociator) fillimisht deklaronte se propozimi franko – gjerman është interes i Serbisë, tash i aziluar si mizë kali në lokacionin me temperaturë optimale në një pjesë të trupit të KM ku edhe mendon se ka siguri, thotë të pyetet Shefi për këtë. Sa i mjerë dhe sa i pamoralshëm, pa dinjitet dhe pa integritet.
Çka do të bëhet më 27 shkurt 2023 në Bruksel: Pa asnjë dyshim se Kurti do ta nënshkruajë pranimin e këtij propozimi dhe se do ta zbatojë çdo pikë dhe presje që i mundëson jetëgjatësi në pushtet. Zajebnica është punë e kryer dhe atë nuk do ra udhëheqin as Nenad Rashiqi e as Llepa Rada por ata që caktohen nga Aleksandër Vuçiq. Rashiqi dhe Rada do të mbahen mend si “serbët e Kurtit” dhe nuk kanë mandat ta përfaqësojnë askënd, madje as njëri – tjetrin. Janë si luleborët, kanë afat të caktuar me një dallim se këta realisht nuk janë çelur fare, nuk kanë petale e lëre më erë. Me një fjalë, duke kundërshtuar çdo gjë më parë tani do të pranojnë çdo gjë. Pa asnjë kriter dhe pa asnjë moral, në emër të parimeve të larta, ruajtjes së miqësisë me Borrellin dhe Llajçakun dhe me shpresë se do të lavdërohen nga Eskobar, Chollet dhe, si kulm ndonjë thirrrje telefonike nga Blinken. Vullkanike do të ishte një foto për moto me Bajdenin.
Edhe e meritojnë, Albin Kurti, si kryeministër i Ukrainës, me orar të plotë dhe i Kosovës, kohë pas kohe. E shoqëruar me komandanten e përgjithshme të Ushtrisë së Ukrainës e cila, si adhuruese e flaktë e muzikës së Richard Wagner, askund nuk po iu lë vend paramilitarëve të Wagnerit, në Ukrainë dhe në Kosove. Opozita duhet ta ndryshojë emërtimin duke u riemëruar si: “mrizues të situatës”, pa vullnet, guxim dhe dëshirë ta ndryshojnë atë. Ngadalë, nëse nuk do të zgjohen nga rënia e presionit, pashmangshëm do të bëhen ushtarë të Besnik Gjylekares. Vdekja është më e lehtë në këtë rast. Mos pritni asgjë nga e hëna, teshat janë të prera, koha po përmirësohet prandaj nuk kemi nevojë ta ruajmë fytyrën kurse prapanicën më shumë e kemi pasur të shpluar se të mbuluar. Nuk e kemi asnjë problem që për një interes apo copë pushteti, t’i lëshojmë brekët.