UBT

Pronarët e “Swiss Diamond” , “privatizojnë” edhe rrugën para hotelit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Rruga “Tringë Smajli“ prej disa ditësh ka nisur ta ndryshojë pamjen. Trotuaret me kubëza ngjyra-ngjyra dhe shtylla në trotuar, që pengojnë parkimin e veturave, janë punimet e para, të cilat i kanë dhënë dukje tjetër rrugës.

Së shpejti asaj do t`i jepet edhe një shtresë asfalt, do të largohen taksistët dhe kontejnerët e bërllokut që ndodhen menjëherë pas ndërtesës së hotelit “Swiss Diamond”.

Këto investime në rrugë nuk i ka bërë Komuna, por pikërisht pronarët e këtij hoteli, Behgjet e Selim Pacolli, me lejen e Komunës.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion, zv.kryeministri Pacolli figuron si bashkëpronar i këtij hoteli.

Por, banorët, megjithëse po u rregullohet rruga, nuk janë ndier fort komod. Investitori ua ka pamundësuar që veturat t`i parkojnë në hapësirën para ndërtesave të tyre, ku i kanë parkuar prej vitesh. Për këtë shkak edhe janë ankuar në Komunë

”Jemi ankuar në Komunë dhe kanë ardhur me i hjek pengesat për ndalim-parkim, për arsye se hapësira për parkim na është marrë neve si banorë”, ka thënë Valbona, një qytetare.

”Në njërën anë është më mirë, sepse faktikisht u parandalua tollovia që shkaktohej nga fluksi i madh i automjeteve që parkoheshin, por në anën tjetër ne vërtet kemi nevojë për atë pjesë”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, kubëzat me ngjyra që janë vendosur në atë rrugë nuk kanë qenë të nevojshme, sepse të mëparshmet nuk kanë qenë të dëmtuara.

”Ndoshta po duket më bukur, mirëpo dikush pse ka para nuk do të thotë që do të mund ta ndryshojë dhe laramoj gjithë qytetin ashtu si atij i konvenon në bazë të biznesit të vet”, është shprehur Valbona.

E taksistët po i numërojnë ditët e fundit në këtë pikë biznesi. “Na ka paralajmëru se ka me na hjek prej këtu. S`kemi çka me ba, Komuna ja ka leju”, është shprehur njëri nga taksistë që preferoi të mbetej anonim dhe i cili e ka vendin e tij të punës përballë hyrjes kryesore të hotelit “Swiss Diamod”.

E, zëdhënësi i Komunës, Asdren Osaj, nuk e sheh si problematik këtë investim të Pacollit.

Uji Dea

”Drejtoria e Shërbimeve Publike ia ka dhënë pëlqimin për vendosjen e pengesave për parking dhe për rregullimin e pjesës ku do të vendosen kontejnerët që janë në atë rrugë të qytetit”, ka thënë Osaj. Ai nuk ka parapëlqyer që ky investim të cilësohet favorizim, por as veprim sipas qejfit të investitorit.

”Asgjë në praktikë nuk ka ndryshuar, sepse aty edhe më herët kanë qenë të vendosura shenjat për ndalim-parkim, nuk ka bërë ndryshime në asfalt, rruga është ashtu qysh ka qenë, Komuna ia ka dhënë pëlqimin vetëm që të bëjë disa rregullime të vogla të trotuarit, të vendosë ndalesat e parkimit dhe të ndërtojë vendin për trotuar”, ka thënë Osaj.

Sipas tij, nëse dikush tjetër bën një kërkesë për investime në rrugë, duhet ta marrë pëlqimin e Komunës.

”Askush nuk mund të ndërhyjë në infrastrukturën dhe rrugët e Prishtinës pa marrë lejen e organit kompetent, mirëpo çdo qytetar ka të drejtë t`i drejtohet Komunës me kërkesa, dhe është punë e Komunës që t’iu përgjigjet kërkesave të qytetarëve”, ka thënë ai.

E, investitori, bashkëpronari Selim Pacolli, ka refuzuar të flasë për investimet që po i bën me lejen e Komunës në rrugën “Tringë Smajli”.

”Nuk kam kohë për ty”, është përgjigjur nëpërmjet telefonit Pacolli.

E organizatat joqeveritare që e monitorojnë punën e Komunës së Prishtinës, një veprim të tillë e cilësojnë favorizim. Avni Bytyçi, drejtor ekzekutiv në organizatën “Iniciativa për progres”, e cila monitoron punën e Komunës së Prishtinës, ka thënë se Komuna nuk duhet ndikuar nga planet afariste të bizneseve.

“Komuna e Prishtinës duhet të këtë kujdes që mos të krijojë një klimë ku qytetarët ndihen të anashkaluar për shkak se një person ka fuqinë financiare që të ndikojë në vendime të rëndësishme që u takojnë qytetarëve. Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka një plan urban, i cili nuk duhet të ndikohet nga planet afariste të bizneseve”, është shprehur Bytyçi.

Ngjashëm është shprehur edhe Ejup Bajrami nga Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Prishtinës nga degradimi.

“Komuna duhet të kujdeset për t`ua lehtësuar jetën qytetarëve, por jo duke iu krijuar favore atyre që kanë dhe atyre që i japin asaj”, ka thënë Bajrami. Ai ka thënë se me investimin e Pacollit banorët e rrugës kanë humbur hapësirën për parkim. Ndërkaq, Bekim Salihu, nga Instituti GAP, ka deklaruar se me këtë investim Komuna ka treguar se nuk ka kujdes ndaj pronës publike.

“Si rezultat i kësaj qasjeje, shumë subjekte private e gllabërojnë, e cenojnë dhe e tjetërsojnë pronën publike. Komuna nuk duhet të lejojë hapa të tillë, ngase investimi nga Pacolli u përshtatet nevojave të biznesit të tij, përkatësisht një investim i tillë krijon favore private, por jo publike”, është shprehur Salihu.