Mobi Casa

Promovohet libri “ Qëndrestarët” nga autori Basri Musmurati

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Me rastin e ditës së Çlirimit të komunës së Kamenicës, është promovuar libri “ Qëndrestarët” nga autori Basri Musmurati.

Në promovimin e këtij libri kanë marrë pjesë një numër intelektualësh dhe artdashës, ku u dhanë vlerësime rreth librit dhe të gjithë vlerësuan se ky libër është me peshë historike të së kaluarës sonë së afërt

Kjo vepër u është kushtuar dy heronjve-kolos të komunës sonë Rexhep Malës e Nuhi Besrishës dhe shumë e shumë veprimtarëve të tjerë të komunës sonë e më gjerë që derdhën djersë, mund e gjak për lirinë e Kosovës.

Gjatë fjalës së rastit u tha se pa asnjë angazhim të tillë, pa guximin dhe sakrificat e panumërta të bijave dhe të bijve tanë, nuk do ta kishim lirinë që e gëzojmë tash.

Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli, i shprehi falënderim autorit të veprës Basri Musmuratit, për angazhimin e tij për një vepër kaq voluminoze e të rëndësishme për pasqyrimin e heroizmit dhe sakrifikimit të këtyre dy heronjve- Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe veprimtarëve të tjerë të cilët janë dhe mbeten protagonist të një pjese të historisë sonë më të re.

Fundamenti

Ai e vlerësoi lartë vlerën dhe rëndësinë e kësaj vepre që do të jetë kujtim, shëmbëlltyrë dhe frymëzim për ne dhe gjeneratat e ardhshme.

Avni Dehari redaktor i librit, bëri një interpretim të shkurtër të përmbajtjes së kësaj vepre, ku potencoi pikat përmbajtësore të kësaj vepre dhe tha se janë bërë të njohura për lexuesin shumë ngjarje, veprime dhe aksione të shumta me plot guxim e heroizëm nga këta dy heronj të kombit të cilët ranë burrërisht në altarin e lirisë.

Një rezyme të kësaj vepre po ashtu e tha Neriman Braha, i cili e vlerësoj lartë vlerën përmbajtësore dhe artistike të kësaj vepre. Ai tha se kjo mbetet një dëshmi, për gjeneratat që vinë, se si luftohet, veprohet dhe sakrifikohet për lirinë e atdheut.

Një fjalë rasti e tha edhe autori i librit Basri Musmurati, i cili në pika të shkurtra rrëfeu se çka e shtyri dhe e frymëzoi për ta shkruar këtë vepër. Ai edhe vetë, në të shumtën e rasteve, kishte qenë bashkëveprimtarë i këtyre dy protagonistëve dhe si qëllim kryesor thotë se “ Kjo pjesë historisë sonë dhe këta heronj të mos mbeten në harresë ”.

Një sërë fragmentesh të shkurtra nga kjo vepër i lexoi para të pranishmëve Vjollca Matoshi./rajonipress/