UBT

Promovohet libri i Rahim Azemit “Profili socio-psikologjik i Adem Stançiqit”

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Është promovuar libri i botuar ditë më parë “Profili socio-psikologjik i Adem Stançiqit” i autorit Rahim Azemi, i cili është trajtesë dhe monografi për veprimtarinë atdhetare të Adem Stançiqit.

Autori i librit në 194 faqe shtjellon çështje e tematika të një epoke sfiduese për etninë. Azemi në këtë libër pasqyron një varg problemesh që i kanë dhënë vulë dhe kahe periudhës kur ka jetuar dhe vepruar ai.

Rahim Azemi, sociolog, veprimtar, ish i burgosur politik gjatë izolimit të qindra intelektualëve shqiptarë, ka thënë se ka punuar në këtë libër në një periudhë të gjatë kohore, ndërsa interesimi i tij për të bërë një libër kushtuar këtij veprimtari daton që nga viti 1974 kur Rahimi ishte student në UP, duke vjelur materialin e duhur faktografik, për të nxjerr së fundmi një libër të kompletuar në aspektin shkencor.

Emin Azemi, gazetar, publicist dhe botues, ka thënë se Adem Stançiqi veproi në disa sisteme politike e shoqërore, por ai mbajti një qëndrim konstant, duke krijuar distancë morale e njerëzore ndaj pushteteve e pushtuesve.

Monografia e prof.Rahim Azemit ka për qëllim të argumentojë shkencërisht se asnjë figurë historike nuk vjen vetvetiu, spontanisht, por asaj i paraprijnë disa rrethana të brendshme dhe të jashtme. Fjalët dhe kujtimet e popullit marrin një trajtim të ri dokumentar në këtë vështrim socio-psikologjik. Adem Stançiqi gjeografikisht vjen nga këndi më lindor i trevave shqiptare të Kosovës, por ai gjatë tërë jetës u angazhua për konceptet perëndimore të shqiptarëve.

Ndërsa, rektori i UEJL në Tetovë, prof.dr. Zamir Dika, është shprehur se është për t’u përshëndetur kjo akademi që rikthen nga kohët e vështira figurat tona kombëtare, të cilët u angazhuan për këtë liri dhe dinjitet që po e gëzojmë tani. Personalitetet e tilla, si Adem Stançiqi, duhet të na shërbejnë si frymëzim për të vazhduar përpjekjet tona të përbashkëta për një bashkim të madh të vlerave dhe aspiratave.

RCCOLA

Për librin kanë folur edhe prof. dr. Mehmet Halimi, studiues, Adem Murati e Nexhat Buzuku, recensues.

Libri është përgatitur mirë teknikisht, është i pëlqyeshëm në aspektin vizuel, i ngjeshur në përmbajtje, cilësor. Autori ka përdorur metodat hulumtuese shkencore, atë të gjurmimit, krahasimit, metodologjinë analitike-sintetike dhe gjeneralizuese-speciale. Azemi në libër ka prekur një gamë problemesh e çështjesh që ndërlidhen me aktualitetin e atëhershëm kohor, duke ruajtur një gërshetim ngjarjesh, zhvillimesh e personazhesh.

Akademisë promovuese, që është konsideruar ndër të rrallat komplete mbajtur në Gjilan, në Teatrin e Qytetit, i kanë dhënë dritësim dhe madhështi edhe aktori Çun Lajqi, këngëtarja dhe sopranoja Besiana Mehmeti e Shkodran Tolaj, tenor i përmasave ndërkombëtare, gazetari Qani Mehmeti, historianë, letrarë e studiues të ndryshëm.

Redaktorë të librit janë: prof.dr. Sadik Rashiti e mr. Qerim Lita; recensues: mr. Adem Murati, historian e Nexhat Buzuku, publicist, redaktor gjuhësor – Sherafedin Kadriu, radhitja kompjuterike – Lulzim Latifi, libri është shtypur në Spirint – Prizren.

Libri i Rahim Azemit “Profili sociopsikologjik i Adem Stançiqit” është botuar me 2012 dhe ka 194 faqe. /rajonipress/