KKVITI

Prokuroria pushon hetimet ndaj ish menaxheres së prokurimit

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Prokuroria e Qarkut në Gjilan ka pushuar hetimet ndaj Hatixhe Dakut ish menaxhere e zyrës së prokurimit e dyshuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit”. Në aktvendimin e prokurorit Arben Kadriu thuhet se sipas ekspertizës financiare është konstatuar se kontrata e lidhur “Furnizimi dhe mbjellja e drunjve dekorativ në qytet” nuk e ka dëmtuar buxhetin e komunës.

Tenderi i shumëpërfolur i mbjelljes së drunjve dekorativ në qytetin e Gjilanit tashmë ka marrë një përgjigje profesionale nga ana e ekspertit financiar. Prokuroria Themelore në Gjilan ka pushuar hetimet ndaj ish menaxheres së zyrës së prokurimit Hatixhe Dakut e dyshuar për veprën penale “shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit”.

Prokurori i rastit Arben Kadriu në aktvendimin e tij për pushim të hetimeve ka thënë se pushimet janë bazuar në ekspertizën financiare e cila rreth kontratës së tenderit “Furnizimi dhe mbjellja e drunjve dekorativ në qytet” nuk e ka dëmtuar buxhetin e komunës.

Në vendim thuhet se pas marrjes në pyetje të pandehurës Hatixhe Dakut, dëshmitarëve Rexhep Berisha, Medin Zeqiri, Ramadan Hamidi, Nazmi Rapuca e Ilmi Limoni si dhe të ekspertit financiar si dhe pas shqyrtimit të kallëzimit penal, vlerësimit të dëshmive të dëshmitarëve, deklaratës së të pandehurës dhe të dëshmitarëve Prokuroria nuk ka mundur të gjej elemente të veprës penale shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit.

Fundamenti

Në aktvendimin e prokurorit Kadriu thuhet se sipas ekspertizës financiare tenderi “Furnizimi dhe mbjellja e drunjve dekorativ në qytet”ka qenë kontratë publike dhe i mbështetur në dokumentin përkatës të planifikimit. Vendimi saktëson se edhe zotimi i mjeteve për këtë projekt nuk është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore. “Ekspertiza financiare, por edhe dëshmitë e ofruara qartësojnë se në këtë projekt – tender nuk kemi dëmtim të buxhetit komunal dhe nuk ka pasur ndërhyrje në drejtoritë tjera për sigurimin e mjeteve në këtë tender” thuhet në aktvendim që e ka siguruar agjencia rajonale e lajmeve rajonipress.

Duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve rezulton se që nga hartimi i projektit e deri tek ekzekutimi i kontratës të gjitha veprimet e ndërmarra janë konform dispozitave ligjore. Procedurat e tenderimit kanë qenë publike dhe të gjithë operatorët ekonomik kanë pasur mundësinë që të konkurrojnë për të fituar tenderin e lartcekur.

Meqë nuk kemi arritur që të sigurojmë prova konkrete materiale në drejtim të veprës penale për të cilën janë zhvilluar hetimet, i pushojmë të gjitha procedurat hetimore ndaj Hatixhe Dakut thuhet në vendimin e Arben Kadriut./rajonipress/