Prokuroria në Gjilan ndalon 38-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe kunatit, një person tjetër mbetet i plagosur rëndë
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se është ndaluar një 38-vjeçar nga Gjilani, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe vëllait të saj, si dhe për plagosjen e rëndë të një familjari tjetër, në ngjarjen e rëndë që ndodhi në fshatin Livoç i Poshtëm.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, ngjarja është raportuar më 9 tetor 2026, rreth orës 14:30, kur Policia e Kosovës e ka informuar Prokurorin e Shtetit për rastin e rëndë.
I dyshuari, Valon Ramushi, dyshohet se për motive ende të panjohura, ka përdorur armë zjarri për t’i privuar nga jeta bashkëshorten e tij, N.B., 27 vjeçe, dhe vëllain e saj, E.B., 31 vjeç. Po ashtu, dyshohet se ka plagosur rëndë M.B., 48 vjeç, djalin e xhaxhait të bashkëshortes së tij, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të dokumentuar rastin dhe për të sqaruar rrethanat në të cilat ndodhi kjo tragjedi.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar një pistoletë të markës “Beretta”, me leje të skaduar, e cila dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale, si dhe prova të tjera materiale. Gjithashtu, janë kryer kontrolle në tri lokacione që lidhen me pronat e të dyshuarit, ku janë sekuestruar prova shtesë.
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari nuk ka të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ka pasur raste të raportuara më parë për dhunë në familje.
Ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasja e rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të të njëjtit kod.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale.
Ngjarja ka tronditur Gjilanin dhe më gjerë, ndërsa hetimet pritet të hedhin dritë mbi motivet dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi familjare.
I dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./rajonipress/


