Prokuroria e Gjilanit ndalon dy persona dhe ngre tetë aktakuza ndaj dhjetë të pandehurve
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se, me urdhër të prokurorëve të shtetit, ka ndaluar dy persona për 48 orë dhe ka ngritur gjithsej tetë aktakuza ndaj dhjetë personave, për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit, më 28 gusht 2026, dy persona janë ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Rrezikim i trafikut publik”, sipas nenit 370 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë, Prokuroria ka ngritur tetë aktakuza ndaj dhjetë personave për një sërë veprash penale, që përfshijnë posedimin e paautorizuar të narkotikëve, lëndimin e lehtë trupor, dhunën në familje, sulmin dhe lëndimin e lehtë trupor, mos përfilljen e gjykatës, organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.
Nga tetë aktakuzat e ngritura, dy janë ndaj dy personave për posedim të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa një aktakuzë është ngritur ndaj tre personave për lëndim të lehtë trupor. Pesë aktakuzat e tjera lidhen me veprat penale të dhunës në familje, sulmit dhe lëndimit të lehtë trupor, mos përfilljes së gjykatës, organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe posedimit të paautorizuar të armëve.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se procedurat ndaj personave të përfshirë po zhvillohen në përputhje me dispozitat ligjore./rajonipress/

