RCCOLA

Prokuroria amniston mafio-oligarkët

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Analistët politikë dhe ekspertët e drejtësisë vazhdojnë të japin notë të dobët dhe shumë kritika për punën joefikase të prokurorëve të PSRK-së, ngase, sipas tyre, ky segment i drejtësisë kosovare, në shumë raste, edhe qëllimisht po i neglizhon rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar, të lidhur me mafiopolitikanë, me pozita të larta të pushtetit, në Komuna, në ministri, qeveri e nëpër borde, përkundër faktit se thuhet dhe dyshohet që ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe ngritur aktakuza penale për krim të organizuar ‘menjëherë’.

“Prokurorët kërcënohen dhe shantazhohen duke u joshur fillimisht me para dhe privilegje të tjera nga grupet e caktuara politike dhe kriminale, për të mbetur pre e interesave të krimit të organizuar”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analistët politikë dhe ekspertët e drejtësisë vazhdojnë të japin notë të dobët dhe shumë kritika për punën joefikase të prokurorëve të PSRK-së, ngase, sipas tyre, ky segment i drejtësisë kosovare, në shumë raste, edhe qëllimisht po i neglizhon rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar, të lidhur me mafiopolitikanë, me pozita të larta të pushtetit, në Komuna, në ministri, qeveri e nëpër borde, përkundër faktit se thuhet dhe dyshohet që ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe ngritur aktakuza penale për krim të organizuar ‘menjëherë’.

Bazuar në këtë neglizhencë të theksuar, analistët dhe ekspertët theksojnë se në një shtet me institucione të tilla, joefikase, as që mund të flitet për drejtësi të mirëfilltë, sepse shtrohet me të drejtë pyetja se realisht çfarë drejtësie mund të pritet në shtetin tonë kur prokurorët shantazhohen, kur prokurorët që duhet të jenë krejtësisht të pavarur frikësohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara politike e kriminale, duke u bërë e mbetur rob e pjesë për interesa të tyre pjesë e krimit të organizuar. Sipas analistëve të fushës dhe ekspertëve, për ta përmirësuar këtë gjendje duhet që të ashpërsohen masat ndëshkimore, por edhe ato suspenduese e përjashtuese, qoftë edhe me largim krejtësisht nga puna të prokurorëve të nënshtruar ndaj krimit e të dëgjueshëm përmes blerjes nga mafio-politikanët dhe mafio- oligarkët, në mënyrë që edhe të njëjtit të zëvendësohen sa më parë me kuadro (prokurorë) të tjerë të aftë, të ndershëm e të përgjegjshëm, me etikë e integritet profesional dhe që punojnë vetëm sipas ligjit dhe jo në bazë të interferimeve të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale!

Gjyqtarët e prokurorët, të nënshtruar

Analisti politik Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se edhe përkundër faktit se PSRK-ja ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe ngritur aktakuzat penale për krim të organizuar ndaj mafio-oligarkëve të inkriminuar të lidhur me mafio-politikanët me pozita të larta të pushtetit, në Komuna, në ministri, në qeveri, nëpër borde e agjenci të ndryshme nuk e ka guximin ta bëjë një gjë të tillë dhe po hesht, po sillet sikur nuk kemi probleme të kësaj natyre!”Ndodh pikërisht kështu për faktin se prokurorët kërcënohen dhe shantazhohen duke u joshur fillimisht me para dhe privilegje tjera nga grupet e caktuara politike dhe kriminale, për të mbetur pre e interesave të krimit të organizuar. Në vendet demokratike format e tilla të nënshtrimit të prokurorëve dhe gjykatësve janë rreptësisht të ndaluara dhe të dënueshme me ligj. Prandaj, edhe në vendin tonë duhet të ashpërsohen masat ndëshkimore si ndaj shantazhuesve ashtu edhe ndaj të nënshtruarve ndaj krimit të organizuar, në këtë rast të shitjes së prokurorëve për para të pista për të neglizhuar rastet e krimeve të rënda politike dhe ekonomike në vendin tonë”, u shpreh ai.”Të nënshtruarit ndaj krimit dhe të dëgjueshmit e mafio- politikanëve dhe mafio- oligarkëve, duhet të zëvendësohen menjëherë me kuadro ( prokurorë) të tjerë të aftë e të ndershëm, të përgjegjshëm dhe të guximshëm, me etikë dhe integritet profesional, që punojnë vetëm sipas ligjit dhe jo sipas preferencave dhe interferimeve të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale, këtyre sundimtarëve faktikë të pushtetit dhe ekonomisë, të shndërruar në kapës të shtetit dhe gjitha institucioneve të pavarura në vendin tonë”,tha Zeqa për “Kosova Sot”.

“Dihet dhe shihet ashiqare që sistemi i drejtësisë në Kosovë është i infektuar, edhe më i infektuar sesa klasa politike e Kosovës, mirëpo pastrimi i tyre duhet të shkojë paralelisht”, ka potencuar njohësi i kësaj fushe, Nexhmedin Spahiu.

Prof. Nexhmedini konsideron se nevojitet presion akoma më i madh publik në institucionet e sundimit të ligjit, në mënyrë që ato ta kuptojnë më mirë rolin e tyre kushtetues që kanë për zbatimin e fikas dhe krejt të pavarur të ligjit.”Kjo nuk po ndodh për shkak se presioni publik mbi KPK-në dhe KGJK-në nuk është i nivelit të duhur në radhë të parë. E dyta, gjykatësve dhe prokurorëve tanë u mungon kultura patriotike. Ata janë të shkolluar e të perceptuar nga mjedisi si trup i huaj represiv, e jo si organi më vital i shtetit dhe qëndrueshmërisë së tij. Prandaj, prokurorët dhe gjykatësit kosovarë, në mungesë të dhënies së llogarisë, sillen në mënyrë të papërgjegjshme. Ata që janë të padinjitetshëm e të pandershëm dhe korruptohen, ndërsa ata që janë të padijshëm nuk marrin mundimin t’i studiojnë ligjet dhe japin vendime nga më absurdet, të cilat edhe i dëmtojnë palët, po në rastet më të shumta e dëmtojnë edhe shtetin”, ka thënë Spahiu për “Kosova Sot”.

Uji Dea

VETTING-u i domosdoshëm

“Pa një Vetting-u serioz amerikan, ku nuk do të kursehej askush, duke filluar nga kryeprokurori, nga presidenti e më poshtë, duke ndjekur dhe hetuar të gjithë ata që kanë thyer ligjin, nuk do të kemi institucione efikase në drejtësi, as në gjykata e as në prokurori”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari, tha për ‘Kosova Sot’ se një situatë të tillë e kemi kryekëput nga ndikimi i politikës mbi këto institucione, e që sipas tij akoma ato po mbeten të bllokuara nga politika dhe dirigjimi i saj për interesat e veta të inkriminuara. “E kemi thënë vazhdimisht që problemi i Kosovës nuk është bërja e ligjeve dhe institucioneve speciale kundër mafisë, por në vendin tonë nuk po ka kush i ekzekuton ligjet që janë miratuar dhe janë në fuqi në mënyrë të paanshme dhe ligjore”, tha ai për “Kosova Sot”.

Sipas Miftarit, pa një VETTING, i cili do të mbështetej fuqishëm nga FBI-ja amerikane, përmes të cilit do të pastrohej jo vetëm politika, por edhe sistemi i drejtësisë, Kosova nuk do të ketë drejtësi funksionale, as prokurori dhe as gjykata, sepse ato do jenë vazhdimit të ndikuara nga politika.”Në vende ku sundon ligji i pandikuar fare nga politika, për shembull sikur janë vendet e zhvilluara e të fuqishme demokratike, SHBA-ja, Gjermani, Britania e Madhe dhe Franca… vetëm për një shumë të vogël të keqpërdorimit material apo zyrtar, drejtësia vepron pa asnjë kursim, ndaj cilido zyrtar qoftë, dhe atu edhe karriera e tij politike merr fund, sepse ligji nuk ia falë askujt gabimin. Për të arritur këtë standard në vendin tonë duhet të pastrohet drejtësia, por edhe politika me një VETTING të fuqishëm”, theksoi Miftari.

Krimi e ka kapur shtetin

Analisti dhe njohësi i së drejtës, Skënder Kapiti, tha për “Kosova Sot” se krimi i politikës dhe i drejtësisë, korrupsioni dhe hajdutëria e tyre, i kanë kapur shtetin dhe institucionet e tij. “Palët politike, të cilat marrin pushtetin dhe alternojnë njëratjetrën, ato si armë pandëshkueshmërie përdorin spekulimin, presionin dhe shantazhin e kërcënimin kundër njëritjetrit me dosjet e krimit dhe të korrupsionit dhe këtë ‘kërcënim’ ato e bëjnë vetëm verbalisht, sa për të frikësuar njëri-tjetrin, por edhe për t’u paraqitur te opinioni, duke mashtruar se kur të vijmë në pushtet do të bëjmë hatanë me të korruptuarit dhe me të kriminalizuarit”,u shpreh ai.”Politika shqiptare, si pozitë dhe opozitë, është tejet e dështuar dhe e diskredituar në luftën kundër korrupsionit, pasi kemi që prej 27 vjetësh, të cilat vijnë në pushtet duke akuzuar njëri-tjetrin për krim dhe korrupsion, premtojnë se nuk do të ketë vend dhe burgje për ta. Kjo jo vetëm se nuk ka ndodhur, por përkundrazi me ndërrimin e qeverisjeve krimi dhe korrupsioni i politikës vetëm sa janë rritur dhe perfeksionuar edhe më shumë në vazhdimësi”, tha Kapiti për “Kosova Sot”. Gazeta i është drejtuar me pyetje rreth kësaj teme edhe Prokurorisë Speciale, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës së djeshme.

(Kosova Sot)