Uji Dea

Prokuroria, 17 vite burg për Nazime Vishën

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Prokuroria ka dhënë të hënën pretencën për 18-vjeçaren Nazime Visha, duke kërkuar dënimin e saj me 17 vjet burg. Visha përballet me akuzën e vrasjes së 45-vjeçarit Fiqiri Muça, ngjarje kjo e ndodhur më 13 gusht të 2012-së. Gjatë seancës 18-vjeçarja ka shpërthyer në lot.

Ajo pretendon se ka vepruar në kushtet e tronditjes së rëndë psikike, pasi 45-vjeçari abuzonte prej vitesh me të. Të pranishëm në seancën gjyqësore ishin edhe familjarët e Nazime Vishës, të cilët kanë kundërshtuar pretencën e prokurorisë, transmeton Shekulli.

Uji Dea

Gjyshja e vajzës, Drita Visha i bëri apel trupës gjyqësore për mëshirë, pasi sipas saj, Nazimja e kreu krimin pasi nuk mund të duronte dhunën e Fiqiri Muçës. Më datë 13 gusht të vitit të kaluar, Nazime Visha qëlloi me breshëri automatiku Fiqiri Muçën.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë banesës së gjyshes së Nazime Vishës, në Krrabë të Tiranës. Pak kohë pas ngjarjes, 18-vjeçarja ka pranuar para forcave të policisë se ajo ka qenë autorja e ekzekutimit të 45-vjeçarit Fiqiri Muça, i martuar dhe babai i pesë fëmijëve. /Telegrafi/