UBT

Prokurorët e Tribunalit kërkojnë 20 vjet burgim për Haradinajn

/ 3 minuta lexim

Hagë – Në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, sot dhe nesër mbahen seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Zoti Haradinaj, gjatë fundjavës është kthyer në gjykatë, pas më shumë se një muaji qëndrimi në Kosovë, meqë ishte liruar përkohësisht. Sot fjalën e ka paraqitur prokuroria, ndërsa më pas, në vazhdim do të paraqitet mbrojtja. Ende nuk dihet qartë se kur mund të shpallet vendimi përfundimtar.
Prokurorët e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, të hënën, kanë kërkuar që Ramush Haradinaj, ish kryeministër i Kosovës, të dënohet së paku me 20 vjet burgim, nën dyshimet për krime lufte.

Të njejtin dënim, prokurorët kanë kërkuar edhe për dy bashkëluftëtarët e zotit Haradinaj, Idriz Balajn dhe Lah Brahimajn.
“Dënimi më i vogël që duhet shqiptuar është 20 vjet burgim”, ka thënë prokurori Pol Roxhers, njofton agjencia e lajmeve AFP.
Seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj mbahen sot dhe nesër.

Haradinaj është kthyer në Tribunalin Ndërkombëtar për krime lufte në ish Jugosllavi, më shumë se një muaj, pasi që Tribunali vendosi ta lirojë përkohësisht atë.
Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por Tribunali vendosi për një rigjykim të pjesshëm, i cili filloi në korrik të vitit 2010.
Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj akuzohen për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës”.

Eco Higjiena

Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e zotit Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj, u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat, për siç thuhet, trajtim mizor dhe torturë.

Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 19 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.