Projektligji për mbrojtjen nga zhurma s’ka frymë anti-fetare

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava priti sot në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi. Në këtë takim u tha se nuk duhet politizuar feja për interesa politike dhe partiake.
Myftiu Tërnava e Ministri Gashi në takim përveç tjerash, biseduan edhe për debatin e ngritur në opinion lidhur me “Projektligjin për Mbrojtjen nga Zhurma”, i cili u miratua në parim ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.
Ministri Dardan Gashi tha se ligji nuk ka të bëjë më ndalimin e ezanit, mirëpo, përmes këtij projekt ligji synohet të rregullohet në parim niveli i zërit dhe të mbrohen objektet fetare nga zhurma e jashtme.
Myftiu Tërnava dhe ministri Gashi u dakorduan që projektligji të riformulohet dhe çështjet që kanë të bëjnë më objektet fetare të përgatiten bashkërisht me BIK-un, dhe ndryshimet e nevojshme të behën në komisionin përkatës.
Myftiu Tërnava dhe ministri Gashi theksuan se nuk duhet politizuar feja për interesa politike dhe partiake, Bashkësia Islame e Kosovës ka të gjitha kapacitet e nevojshme që të adresoj çështjet që kanë të bëjnë me fenë në institucionet e vendit dhe bashkërisht të bëjnë më të mirën.
Ministri Gashi tha se “Projektligji për Mbrojtjen nga Zhurma” assesi nuk ka frymë anti fetare. “Futja e rregullimit të zërit gjatë thirrjes së ezanit në këtë projektligj është si pasojë e mosmiratimit të ligjit për bashkësitë fetare të Kosovës, shpresoj që me miratimin e ligjit për bashkësitë fetare edhe kjo çështje do të rregullohet në atë ligj dhe do të hiqet nga ligji për zhurmën”, tha ai
Tërnava e Gashi u dakorduan se as tani e as në të kaluarën nuk ka pasur dallime sa i përket kësaj çështjeje në mes të dy institucioneve dhe shumë shpejt do të nënshkruajnë një Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin e këtyre dy institucioneve në disa fusha. /Telegrafi/