UBT

Projekti i ri për shtëpinë e operës “Ibrahim Rugova” jo para 2013

/ 3 minuta lexim

Prishtinë – Institucioni më i lartë i kulturës në vend edhe për një kohë të gjatë nuk do të ketë ide sesi do të duket objekti më i përfolur në komunitetin artistik.

Ministrisë së Kulturës i duhet së paku një vit për të përzgjedhur projektin e ri për shtëpinë e teatrit dhe operës “Ibrahim Rugova”. Fillimisht MKRS-ja e ka ndërmend të hapë konkurs ndërkombëtar për këshilltarin që do të përgatisë dosjen për shpalljen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e “Ibrahim Rugovës”.

Kabineti i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, muaj më parë e ka shpallur të pavlefshëm projektin e vjetër, në emër të të cilit janë shpenzuar rreth një milion euro. Në korrik, Ministria e Kulturës kishte paralajmëruar se shpejt do të hapë konkurs të ri për hartimin e projektit që do ta zëvendësojë të vjetrin. Por, kabineti i Krasniqit i ka rënë pishman dhe tani ka vlerësuar se duhen së paku nëntë muaj për të përzgjedhur projektin e ri. Me rishikim të buxhetit, Ministria e Kulturës ka lënë 250 mijë euro për “Ibrahim Rugovën”, nga një milion që ishin paraparë në fillim të vitit. Megjithëse ka gjashtë vjet që ka nisur projekti, nga viti 2010 kur janë vënë themelet, nuk është punuar asgjë.

Shkëlzen Dragaj, zyrtar për informim në Ministrinë e Kulturës, ka dhënë arsyen pse nuk është hapur konkursi për projekt, siç ishte paralajmëruar dy muaj më parë.

“Konkursi nuk është shpallur, pasi tani për tani Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit është në fazën finale të përgatitjes së konkursit ndërkombëtar për këshilltarin që do të përgatisë gjithë dosjen për shpalljen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e Shtëpisë së Operës dhe Baletit”, ka thënë Dragaj.

Eco Higjiena

Sipas tij, pasi të përfundojë kjo fazë do të bëhet thirrja ndërkombëtare për projektet.

“Gjithnjë duke respektuar afatet dhe dispozitat ligjore në fuqi dhe praktikat më të mira ndërkombëtare do të bëhet përzgjedhja e atyre që do të projektojnë operën”, ka thënë Dragaj, derisa ka folur për afatet kohore.

“Duke parë procedurat, ne mendojmë se që nga zgjedhja e këshilltarit, përgatitja e dosjes, thirrja dhe përzgjedhja do të marrë diku deri në 9 muaj ose një vit kohë”, ka thënë ai.

Por, zvarritja njëvjeçare do t’i kushtojë komunitetit artistik, e sidomos institucioneve që janë duke pritur të stacionohen në objektin e shumëpërfolur.(koha)