Program rehabilitimi dhe ri-integrimi
Nga Burim Ramadani – Tri elemente pa të cilat nuk mund të ketë sukses luftimi i ekstremizmit të dhunshëm, që çon në terrorizëm: 1) Strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm; 2) Programi Kombëtar i Rehabilimitit dhe Ri-integrimit; 3) Programi Kombëtar i De-Radikalizimit. Institucionet e Kosovës duhet t’i ofrojnë mundësi të rikthimit në jetën sociale të qytetarëve të vet.
Shteti i Kosovës urgjentisht duhet të bëjë një Program Kombëtar për Rehabilitimin dhe Ri-integrimin e personave të radikalizuar nga ekstremizmi i dhunshëm. Të të gjitha niveleve, qoftë atyre që kanë qenë në luftë në Siri dhe Irak, qoftë atyre që janë pjesë e rrjeteve shpërndarëse të ideologjive të dhunshme, qoftë atyre që janë radikalizuar nga këto ligjërime.
Nuk mjafton vetëm ligji për parandalimin e bashkimit në këto luftëra ideologjike. Nuk mjaftojnë vetëm nenet e ndryshme të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. As Konventat ndërkombëtare apo evropiane. Duhet diçka më përmbajtësore, diçka më të thellë dhe në shërbim të qytetarëve.
Tek e fundit, edhe të radikalizuarit e niveleve të ndryshme janë qytetarë të Republikës sonë. Përgjegjësinë për nivelin e tillë të radikalizimit, deri tek ekstremizmi i dhunshëm dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, nuk e bartin vetëm personat e caktuar. Përgjegjësia ka hieraki institucionale.
Nuk është zhvilluar ekstremizmi vetëm këta muajt e fundit. As nuk ka pikë nga qielli. Përkundrazi, janë bërë vite të tëra të ekzistencës së ideologjive të dhunshme që kanë qarkulluar dhe qarkullojnë lirshëm nëpër Kosovë. Para syve të institucioneve, para syve të BIK-ut, para syve të partive politike, shoqërisë civile dhe mediave. Tash, përgjegjësinë nuk e kanë vetëm një grup personash. Nuk mund t’ia lëmë vetëm disa njerëzve që “na paskan prishur rendin shoqëror, traditën e tolerancës dhe demokracinë tonë”.
Po të tjerët, ku ishin? Çka bënin? Nuk shihnin se çka po ndodh apo nuk dëshironin të merreshin me çështje të tilla “të ndjeshme” për vota?
Pavarësisht kësaj qasjeje të gabuar që ka ndodhur ndër vite në Kosovë, duhet të analizojmë profesionalisht se cila është qasja e tashme institucionale dhe publike në raport me këtë çmenduri të shekullit.
Dhe, qasja e tashme institucionale sërish dhe sërish mbetet neglizhente, jo gjithëpërfshirëse dhe joprofesionale.
Duket qartë se jo vetëm bashkëngjitja në grupe terroriste, por edhe radikalizimi i shoqërisë kosovare është duke u rritur në masë të madhe. Ndërsa, qasja ndër-institucionale në këtë aspekt ka ngecur.
Shteti i Kosovës nuk ka bërë ndonjë program kombëtar për kthimin në jetë normale të personave që kanë qenë në këto luftëra, apo që kanë qenë pjesëmarrës në grupe të caktuara terroriste, apo që kanë qenë pjesë e radikalizimit të shoqërisë në cilindo nivel.
Nuk ka strategji, nuk ka program rehabilitimi apo ri-integrimi. Është fatkeqësi që Kosova nuk ka ndërtuar një program për rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave që kanë qenë apo janë të radikalizuar.
Thjesht, nëse dikush, qytetar i Republikës së Kosovës, është radikalizuar në formë të caktuar, qoftë duke marrë pjesë në luftëra ideologjike, qoftë duke bërë thirrje për luftëra, qoftë duke qenë pjesë e gjuhës së urrejtjes, shteti i Kosovës duhet të ketë kujdes të theksuar për të.
Është e qartë se zbatimi i ligjit është çështje e padiskutueshme. Sipas ligjit, personat e tillë duhet të marrin përgjigjen e drejtësisë. Të marrin dënimin ligjor. Porse, më tutje, edhe në rastet e burgosjeve, duhet një shërbim i veçantë që përfshin sociologë, psikologë, antropologë, etnologë, juristë, ekonomistë, diplomatë, mësues, zanatlinj, udhëheqës fetarë, teologoë, sportistë, muzikantë e njerëz të artit. Kjo duhet të përkthehet në një program kombëtar.
Tri elemente pa të cilat nuk mund të ketw sukses luftimi i ekstremizmit të dhunshëm, që çon në terrorizëm: 1) Strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm; 2) Programi Kombëtar i Rehabilimitit dhe Ri-integrimit; 3) Programi Kombëtar i De-Radikalizimit.
Nuk mundemi t’i themi një qytetari se ke qenë në luftë apo thirrës për luftë dhe të gjitha pasojat do t’i bartësh vet. Institucionet e Kosovës duhet t’i ofrojnë mundësi të rikthimit në jetën sociale të qytetarëve të vet.


