UBT

Profilizimi i Shpendit, sinjal edhe për partitë tjera

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

“Unë besoj në socialdemokracinë, besoj në konceptet e qendrës së majtë”, ka deklaruar gjatë një emisioni televiziv, kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Analistët politikë këtë deklaratë e vlerësojnë si ogur të mirë që klasa politike në Kosovë përfundimisht të profilizohet, qoftë djathtas apo majtas.

Analisti Belul Beqaj, ka theksuar për Telegrafin se rezerva ndaj të majtës në Kosovë kanë vetëm ata që janë të ngarkuar nga e kaluara. Sipas tij, t’i takosh qendrës së majtë nuk është kurrfarë herezie, por një përcaktim që përputhet me gjendjen social-ekonomike të Kosovës.

“Mendoj se është pikërisht socialdemokracia ajo çfarë i nevojitet më së shumti politikës kosovare sot, me kusht që të kemi edhe profilizime tjera, ngase nuk ka konkurrencë politike pa pluralizëm të profileve politike. Aktualisht, qytetarët e Kosovës nuk janë aq të emancipuar sa të dallojnë çka është e majtë dhe çka e djathtë. Qytetarët kanë votuar sipas politikanëve të cilët programet i kanë emërtuar sipas qejfit të tyre, e jo substancës dhe specifikave programore. Partitë tona kanë qenë më tepër pronë e liderëve se sa struktura ku qytetarët janë bashkuar për shkaqe të programeve dhe bindjeve të përbashkëta”, ka thënë ai për Telegrafin.

Analisti Shpend Kursani, mendon se deklarimi i një eksponenti të lartë të një partie politike, siç është rasti i Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) për orientimin e tij politik, është një sinjal shprese se edhe pjesa tjetër e politikës do të profilizohet drejt.

FIDANISHTJA

Kursani më tej ka shtuar se profilizimi i qartë i partive politike në Kosovë do të paraqiste një emancipim jo vetëm për subjektet politike, por edhe për qytetarët e Kosovës, sepse deri më tani subjektet politike kanë qenë të ndara në krahun “e luftës” dhe “të paqes”.

“Kjo nuk është një ndarje e shëndoshë për zhvillimin politik dhe ekonomik në vend, sepse shpeshherë kjo ka nënkuptuar ndarje mes ‘patriotëve’ dhe ‘tradhtarëve’, çka edhe e ka hutuar qytetarin e Kosovës. Një ndarje e subjekteve politike mes krahut të majtë dhe të djathtë do ta krijonte një debat të mirëfilltë në shoqërinë kosovare”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, në Kosovë ekziston një frikë nga profilizimi, për shkak se vet udhëheqësit politikë kanë kontribuar në një keqkuptim mes të majtës dhe të djathtës, duke portretizuar të majtën me diktaturën dhe të djathtën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo ndarje është krejtësisht e padrejtë dhe e painformuar. Për fat të keq këtë e bëjnë edhe shumë opinionistë e studiues në Kosovë, dhe këtë nuk e bëjnë në bazë të një gjykimi racional. Të gjitha vendet e zhvilluara politikisht në botë tashmë e kanë bazën e vendosur mes të majtëve dhe të djathtëve, ku negociatat për koalicione qeveritare janë negociata për politika e jo negociata për poste, siç është rasti në Kosovë. Disa parti politike vetëm se janë deklaruar se cilit krah politik i takojnë, mirëpo shpeshherë politikat dhe vendimet, po as retorika e tyre nuk përkasin me profilin e deklaruar politik. Kështu që nuk duhet vetëm profilizim deklarativ, por profilizim me politika të cilat edhe i ndjekin në praktikë”, ka theksuar Kursani. /Telegrafi/