Fidanishtja

Prodhuesit e ujit nuk paguajnë për ujin

/ 4 minuta lexim

Prishtinë – Kompanitë prodhuese të ujit në Kosovë nuk paguajnë taksën prej 0.09 cent për shfrytëzim të burimit të ujit dhe ata thonë se as nuk e kanë ndërmend ta paguajnë derisa kjo taksë të zvogëlohet. Ata janë shprehur të vendosur në këtë pikë pasi që një tarifë e tillë kaq e lartë, sipas tyre, nuk aplikohet në asnjë vend të Evropës.

Visar Kelmendi nga kompania e ujit “Rugova”, thotë se nuk është vetëm taksa e lartë ajo e cila e ka shtyrë që të mos e kryej këtë obligim. Kërkesa që kjo taksë të paguhet retroaktivisht nga viti 2006, sipas tij, po ashtu është gjë e cila duhet të largohet nga Udhëzimi Adminsitrativ.

“Në biseda me ministrin Dardan Gashi kemi deklaruar se jemi të gatshëm ta paguajmë, por problemi ka qenë retroaktiviteti dhe tarifa e lartë. Duke qenë i vetëdijshëm që është obligim ligjor të paguhet kam bërë kërkesë vetë në vitin 2007, i kam të gjitha dokumentet që zyrtarisht kërkoj nga ministria që të ma japin numrin e xhirollogarisë që ta paguaj, mirëpo ata kurrë nuk e kanë bërë këtë, duke u thirrur që duhet të paguhen retroaktivisht”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka bërë me dije se kanë filluar punën në vitin 2007 ndërsa nga ata kërkohet që të paguhet nga 2006-ta taksa. Sipas tij, të tre ministrat, Dardan Gashi, Bedri Hamza dhe Mimoza Kusari-Lila i kanë mbështetur kërkesat e prodhuesve të ujit në të dy pikat e lartpërmendura dhe se së shpejti pritet të ndërrohen në Udhëzimin Administrativ.

Edhe Ilir Haxholli nga kompania e ujit të “Alpeve”, thotë se derisa taksa është e tillë nuk do ta paguajnë.

Hidromorava

“Ne jemi të gatshëm ta kryejmë këtë obligim vetëm atëherë kur taksa të zbret në shifrën që kemi kërkuar në 2 ose 3 cent dhe vetëm atëherë kur ky institucion është i barabartë me gjithë prodhuesit e ujit, jo të jetë me disa prodhues dorëlirë e për disa dorështrënguar. Ne nuk kemi pasur asnjë lehtësim deri më tani nga shteti, të vihet një taksë e tillë në këtë fazë mendoj se na detyron shumë dhe na nxjerr në atë rrugëtim që ta zvogëlojmë numrin e punëtorëve, ta rishikojmë organizimin e brendshëm për arsye se nuk mundemi ta përballojmë këtë vlerë”, ka thënë Haxholli, zyrtar për marketing në këtë kompani.

Të thirrur në një Udhëzim Administrativ për pagesat e ujit, Minsitria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte bërë edhe padi ndaj tyre në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje, mirëpo nuk rezultoi me sukses.

“Tarifën e cakton Udhëzimi Administrativ për strukturën e pagesave të ujit nr.06/2006. Si rrjedhojë, Inspektorati i MMPH-së vitin e kaluar ka bërë inicimin e procedurës kundërvajtëse ndaj të gjithë prodhuesve të ujit që nuk kanë bërë pagesën për shfrytëzimin e burimit të ujit për nevoja industriale. 8 kompani janë në procedurë gjyqësore, kurse ndaj dy tjerave është inicuar procedura e tërheqjes së lejes ujore, për arsye se ende nuk e kanë filluar veprimtarinë”, ka thënë Bedri Halimi, kryeinspektor në MMPH.

Visar Kelmendi nga “Rugova”, thotë se është paraqitur një padi ndaj tij, mirëpo seanca nuk është mbajtur.

“Unë isha në seancë, ajo nuk u mbajt, arsyeja që më dha ministri Gashi është se padia është bërë më herët dhe ndoshta edhe është tërhequr”, ka thënë Kelmendi. Ndërsa kompania e ujit të “Alpeve” e kishte fituar këtë proces gjyqësor. “Është mbajtur seanca dhe ne e fituam këtë proces, sepse kishim të drejtë”, ka thënë Haxholli.(zeri)