“Problemin e shqiptarëve, nuk e zgjidh regjistrimi i popullsisë”
Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi. Edhe më tutje mbetet në funksion moratoriumi në lidhje me bisedimet, që kishin filluar mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qeverisë në Beograd. Kështu ka pohuar kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa.
Sipas tij, gjendja sa i përket ndërprerjes së bisedimeve mes Preshevës dhe Serbisë mbetet e njëjtë dhe nuk ka lëvizje qëndrimesh. Ndërsa, sa i përket deklarimeve të kryetarit të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankovic, i cili ka thënë për mediat serbe se është reale që regjistrime i ri i popullsisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të mbahet vitin e ardhshëm, Mustafa tha për KosovaPress se regjistrimi i popullsisë nuk do ta zgjidh problemin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe se kjo është vetëm një lojë politike për të tërhequr vëmendjen nga temat aktuale.
Megjithatë, ai shton se politika shqiptare edhe kësaj radhe, ashtu si në vitin 2011, do të di të vendos dhe për këto çështje.
“Nuk do të zgjidh ndonjë problem regjistrimi i popullsisë. Kjo është një lojë politike që të orientohet politika shqiptare në kah tjetër. Apo, të dal Stankovici para ndërkombëtarëve me opsione krejtësisht tjera. Ata hapin gjithmonë tema të reja, që s’kanë të bëjnë me temën aktuale “, ka pohuar Mustafa.


