KKVITI

Problemet në trafikun rrugor si një ndër sfidat kryesore aktuale

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Nga Bekim Thaqi – Është debatuar shumë mbi trafikun, aksidentet, rastet me fatalitet, pasigurinë e madhe në trafik, dhe ende nuk po gjendet ndonjë zgjidhje e qëndrueshme që do ta stabilizonte në masë të madhe këtë çështje mjaft të ndjeshme që po e brengos shoqërinë në Kosovë.

Vetë numri i madh i njerëzve që kanë humbur jetën viteve të fundit dhe sidomos pas lufte na bën me dije që duhet të trajtohet me kujdes shumë më të madh. Duhet të themi se rastet si aksidentet në trafik dhe sidomos ato me fatalitet,që po ndodhin pothuajse çdo ditë në rrugët e Kosovës, meritojnë një përgjigje institucionale dhe një reagim gjithëpërfshirës si nga policia e Kosovës ashtu edhe nga Ministritë përkatëse, pasi që kjo dita ditës po shndërrohet në një problem jo vetëm sporadik por edhe nacional. Diçka nuk është kah funksionon si duhet dhe iu takon ekspertëve si nga fusha e sigurisë në trafik, MPB ashtu edhe nga fushat tjera që kanë lidhje me trafikun si Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe institucionet tjera relevante të merren ma tepër me këtë dukuri tepër shqetësuese.

Është e vërtetë që kjo nuk mund të parandalohet tërësisht sepse aksidentet ndodhin edhe në shtetet më të zhvilluara mirëpo së paku të ulen në një minimum të pranueshëm. Pas investimeve marramendëse në autostrada të mendohet edhe për sigurinë rrugore me ç’rast duhet të investohet më tepër duke vendosur radarë statik rrugor. Duhet të ketë një sistem të përbashkët me radarë dhe kamera rrugore që do të mbikëqyrin trafikun rrugor anembanë Kosovës e sidomos në autostrada dhe rrugë rajonale.

KKVITI

Më me rëndësi janë jetët që po humben pothuajse çdo ditë se çfarëdo investimi tjetër. Kur krejt kësaj i shtohet edhe një joseriozitet të marrjes me këtë çështje nga organet e drejtësisë, pasi edhe kur ndalohen dhe gjobiten kryerësit e këtyre veprave ose lirohen ose shpëtojnë me dënimet më të ulëta të mundshme. Kemi shumë raste kur kryerësit e veprimeve penale në trafik ia hedhin paq me dënime të vogla fare edhe kur në ato raste ka pas viktima e që janë shkaktuar nga vozitja e shpejtë dhe pakujdesia e shoferëve. Shtetet perëndimore, kanë filluar ti gjobisin dhe ndjekin ligjërisht edhe ata që postojnë në rrjete sociale vozitje të tyre të shpejta njëjtë sikurse ta zëme postimet e individëve me armë ne Facebook e lëre më ata që ndalohen nga policia dhe organet e drejtësisë.

Nuk do ishte keq që edhe Kosova të shkoj një hap më para në këtë drejtim sepse duket se po sillemi në një rreth vicioz pa zgjidhje e njerëzit po vdesin rrugëve ditë për ditë.

Autori është Magjistër i shkencave të sigurisë