Pro-evropianët e rinj dhe anti-evropianët e vjetër

Nga Nexhat Hajrullahu – Fushata disa milionëshe e lobimit me sloganin ‘The Young Europeans’ nga ana e qeverisë e cila u financua me qëllim të përmirësimit të imazhit të shtetit më të ri evropian – Kosovës, është një shpenzim i kotë i buxhetit. Përmes kësaj forme, përveç një efekti minimal momental tek një pjesë e vogël e opinionit që kanë mundur ta përcjellin atë reklamë, reklama ka pasur më tepër qëllimin e ‘hedhjes hi syve’ ndaj opinionit Kosovar se qeveria po bën diçka për Evropianët e rinj.
Kjo lloj maskarade si një formë e tërheqjes së vëmendjes së opinionit nga fokusi i problemeve të vërteta me të cilat përballet shteti më i ri evropian, është një strategji për tërheqjen e fokusit nga shumë çështje të ndjeshme në vend. Në fakt çështja e integrimit evropian dhe proklamimi verbal i të qenit ‘Evropë’, nxjerr në pah një problem kontradiktor në mes të evropianëve dhe antievropianëve kosovarë.
Pra, kush përfaqëson kategorinë e Pro-evropianëve dhe kush përfaqëson Anti-evropianët në Kosovë?
Nëse bëjmë një analizë të thjeshtë të qëllimit të procesit të integrimit evropian, përveç qëllimit të integrimit ekonomik dhe të zhvillimit, dihet qartë se arsyeja dhe ideja kryesore e krijimit të Bashkimit Evropian, si Organizëm Mbikombëtar është krijimi i një kupole evropiane të paqes. Një Evropë paqësore është interes i të gjithë popujve të saj dhe më gjerë, duke i ditur edhe pasojat nga dy Luftërat Botërore. Derisa flasim për luftëra shkatërrimtare,dihen mirëfilli edhe pasojat e krimeve të shkaktuara nga agresorët dhe luftërat e fëlliqura ndërmjet etnive të ndryshme brenda shteteve multietnike duke krijuar histori të përgjakshme dhe armiqësi, që pastaj kërkojnë kohë për t’u rehabilituar dhe pajtuar nga popujt e përfshirë në to.
Të jetuarit në paqe ndërmjet popujve dhe shteteve është një parakusht për zhvillim ekonomik, ndërsa integrimi ndërmjet shteteve në nivel evropian dhe global ka për qëllim krijimin e paqes së brendshme përmes luftimit të krimit dhe krijimit të perspektivës ekonomike për popujt liridashës dhe qytetarët e shteteve të tyre. Pra, qëllimi i integrimit është luftimi i krimit në vendndodhje, eksportimi i paqes dhe sigurisë e jo i krimit, si dhe shpërndarja e të mirave ekonomike përmes shkëmbimit të përvojave të mira përmes dijes nga një botë gjithnjë evolutive dhe në lëvizje.
Kur përmendim luftën dhe pasojat e tyre, sigurisht se përveç pasojave që shkaktojnë ato, mos të harrojmë se ato prodhojnë edhe profiterët e saj, dhe kjo pastaj e komplikon situatën për të ardhur në përfundim se kujt në të vërtetë i konvenon paqja dhe kujt i shërben lufta. Kush janë profiterët e paqes dhe kush janë profiterët e pasluftës dhe cilët janë edhe humbësit nga të gjitha palët. Ndonëse në planin afatgjatë, fundi i luftës i sheh përfitues të gjithë, në planin afatshkurtër dhe afatmesëm humbës dalin sigurisht masat dhe popujt që do të duhet të përballen me pasojat e luftës dhe çmimin që duhet ta paguajnë ata, përveç atyre që tashmë e kanë paguar me jetërat e humbura, ndërsa të gjallët do të përballen me sanimin e tyre.
Në këtë kontekst, edhe lufta e fundit e Kosovës ka krijuar ‘vlerat e pasluftës’ që janë shndërruar në vlera të larta të aksionerëve milionerë duke i shumëfishuar ato në tregun e varfër pa shumë para të gatshme, pra në ‘tregun e veresive’. Kështu pra, derisa një grup i vogël profiterësh i shumëfishojnë pasuritë e tyre me shumë zero, pjesa tjetër e popullit sa vjen e varfërohet dhe përballet me ngërçin ekonomik të shkaktuar nga mbytësit e konkurrencës së lirë dhe grupet e ngushta të interesit që po e ndajnë tortën e madhe, thërrmijat e së cilës nuk po i bien në gojë popullit ty tyre skajshmërisht të varfëruar.
Dhe kështu hendeku ndërmjet dy shtresave sa vjen e rritet, deri në atë masë sa që konfrontimi ndërmjet këtyre dy shtresave do të jetë i pashmangshëm. Përmasat e këtij konfrontimi sigurisht se mund të jenë me pasoja në qoftë se nuk fillon të ndryshojë rrënjësisht qasja e pushtetarëve ndaj qytetarit.
Përveç lirisë për ta thithur ajrin e ndotur, cila është esenca dhe kuptimi i vërtetë i asaj lirie të cunguar, ku përballja për ekzistencë është aq e mundimshme për pjesën më të madhe të popullit të shumëvuajtur, sa që mungesa e lirisë së zgjedhjes e humb kuptimin e lirisë nga frika prej mungesës fizike të armikut. Armiku tani ka ndërruar gëzofin. Armiku tani është në radhët tona, është vetvetja, është mungesa e nevojave elementare për ekzistencë, dhe ky është një armik shumë i rrezikshëm që të mbytë dhe të ngufatë ngadalë e të han shpirtin.
Andaj, zhvillimi ekonomik i vendit kërkon vullnet të madh njerëzor dhe intelektual për t’i shpjerë të gjitha energjitë në drejtim të zbutjes së varfërisë dhe papunësisë që po rëndon si një bombë e kurdisur në qafën e popullit të stërlodhur dhe kategorive të ndryshme që nuk po e gëzojnë lirinë e shumëpritur njëjtë si kjo kategori e profiterëve milionerë.
Propozimi i rezolutës kundër EULEX-it të votuar nga PDK dhe V.V. më 25 korrik e përzien lëmshin edhe më tepër, se si është e mundur që ne të kërkojmë të integrohemi në Evropë në qoftë se jemi kundër një misioni të rëndësishëm evropian në Kosovë. Mision i cili është thirrur dhe pranuar nga të gjitha forcat parlamentare, përveç asaj të V.V-es (vlen të theksohet se lëvizja V.V që nga fillimi ka qenë kundër mandatit ekzekutiv të EULEX-it). Këtu tani mund të dalim në përfundim se kush janë antievropianët e vërtetë dhe kujt nuk i konvenon liberalizimi i vizave dhe integrimi evropian i Kosovës.
Integrim evropian do të thotë një Kosovë pa krim të organizuar, pa korrupsion, pa zhvatje e haraç në një shtet ku sundon ligji dhe ku respektohen liritë dhe te drejtat ashtu si proklamohen në të gjitha konventat ndërkombëtare të aprovuara edhe nga kuvendarët tanë. Shtrohet pyetja se nga vijnë pengesat dhe cilat janë maskat që po mbulohen në emër të integrimit, ndërsa veprat e tyre janë katërçipërisht kundër, sepse integrim do të thotë edhe burgosje për shkelësit e ligjit, për kriminelët e mëdhenj e të vegjël, konfiskim i pasurisë së paligjshme, luftë e pa kompromis ndaj të gjitha kategorive të keqbërësve etj.
Këtë luftë qeveria kaherë e ka humbur, sepse është e zënë me punë të tjera.
Në këtë mënyrë pra, pro-evropianët e rinj janë të penguar drejtpërdrejt nga anti-evropianët e vjetër, të cilët veprojnë kundër integrimit të vendit në struktura Veri-Atlantike. Premtimi i kryeministrit për liberalizimin e vizave në afat prej 15 muajsh të këtij mandati në përfundim e sipër, jo vetëm që nuk është përmbushur, por shihet se është ende shumë larg saj.
Kjo nuk ka ndodhur sepse nuk ka pasur angazhim në sferën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, përkundrazi aferat vetëm sa janë shtuar. Andaj kjo e pengon liberalizimin e vizave dhe e shton izolimin e vendit. Neve si qytetarë nuk na mbetet tjetër vetëm të lutemi që Evropa të ketë mëshirë edhe kësaj here me ne dhe të na e bëj një shërbim shtesë duke i hapur kufijtë e saj për kosovarët, sepse Kosova është një rast ‘sui generis’, është vend i shumë paradokseve, vendi i vetëm i izoluar i Ballkanit.
Vetëm në Kosovë mund të ndodh që një i sëmurë mental më shkallën 100% të invaliditetit mund të doktorojë dhe të marrë titull të lartë shkencor. Kjo është sigurisht për libër të Guinessit. Andaj lusim Strukturat e Bashkimit Evropian që të na i hapin kufijtë, që edhe ne të marrim përvoja evropiane, dhe mos të frikësohen nga kriminelët tanë. Ata nuk do të vijnë atje sepse do të kenë punë nëpër gjykatat e vendit.
Si përfundim mund të konkludojmë se “një pjesë e shkelësve të ligjit janë kthyer tanimë në ligjvënës”, dhe pasojat për këtë do t’i bartim të gjithë ne si popull, por sidomos ne Evropianët e rinj, të izoluar nga uzurpatorët dhe antievropianët që po e frenojnë perspektivën e vendit.
(Autori është opinionist i rregullt, kandidat për doktoraturë në Diplomaci Ndërkombëtare pranë ECPD).