Privatizimi i PTK-së nuk rrezikon vendet e punës
Komisioni Qeveritar i Privatizimit i formuar nga Qeveria e Republikës se Kosovës është duke realizuar në mënyrë të përpiktë dhe me transparencë të plotë procesin e privatizimit të PTK-së.
Ky proces bazohet në vendime të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është duke u realizuar konform ligjeve në fuqi.
KQP dhe kryesuesi i saj ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjithnjë deri më tash iu janë përgjigjur kërkesave të përfaqësuesve të sindikatave për takime në të cilat janë sqaruar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të punësuarve në PTK.
“Asnjë i punësuar ne PTK nuk do të mbetet pa punë dhe vendet e tyre të punës i kanë të garantuara për tri vjet”, thotë MZHE.
E drejta për protesta është e drejte e garantuar me Kushtetutën e dhe me ligjet e aplikueshme të vendit, mirëpo kërcënimet për ndërmarrje të masave radikale siç janë shkatërrimi i aseteve të PTK-së, tejkalon angazhimin për të drejtat sindikale dhe është çështje me të cilën duhet të merren organet përgjegjëse të shtetit.
Ndryshe, sindikalistët e PTK-së kanë paralajmërojnë radikalizim të masave, nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre. Në mëngjes ata kanë bllokuar hyrjen e PTK-së, e cila është vizituar nga kompanitë e parakualifikuara për blerjen e saj. Me fishkëllima e pankarta të ndryshme, sindikalistët kanë pritur këta investitorë, e që sipas tyre qëllimi është që të jenë në dijeni ata se ka pakënaqësi nga punëtorët e PTK-së.
Milazim Alshiqi nga Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së, ka thënë se durimit të punëtorëve po iu vije fundi. “Ne nuk do të durojmë kështu më. Ne kemi protestuar edhe në qytet, tani kemi ardhur edhe këtu. Në nuk kemi ku të shkojmë, kjo është pasuri e jonë. Ne nuk do të dalim në rrugë të lypim lëmosh, sepse ne nuk jemi lypës”, ka thënë Alshiqi. /Telegrafi/