RCCOLA

Prindi që humbi djalin 8 vjeçar apelon për kujdes e syqeltësi

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Shaban Foniqi babai i Erion Foniqit thotë për rajonipress se më 18 mars bëhen katër vite kur djali i tij Erioni ishte sulmuar nga qentë endacak dhe nga kafshimet e shumta djali kishte vdekur në vend. Ai apelon tek institucionet komunale dhe ato të sigurisë që të kenë kujdes nga qentë endacak të cilët mund të marrin ende jetë njerëzish.

“Tani jetoj në Francë ku edhe kam kërkuar azil sepse nuk kam mundur të durojë ende me këto padrejtësi që po bëhen ndaj familjes sime”.

Ky është rrëfimi i Shaban Foniqit prindit që më 18 mars 2009 qentë endacak ia morën jetën djalit të tij 8 vjeçar Erionit. Shabani e ka të vështirë ta kujtojë këtë ditë dhe atë moment kur ka marrë lajmin se djali i tij ishte sulmuar nga dhjetëra qenë endacak.

“Ndihem i traumatizuar edhe sot e asaj dite. Nuk ndihem mirë as kur e kujtojë momentin e kobshëm. Kalova e përjetova momente të rënda sepse ishin obligimet tjera familjare që më detyruan të marrë botën në sy. Nuk e kisha të lehtë as vendimin për ta braktisur vendlindjen e familjen time” rrëfehet për rajonipress Foniqi.

”Kur vdiq Erioni reagimi i njerëzve dhe institucioneve ishte i shpejt dhe jepnin lloj – lloj premtimi. Kurse sot pas katër vitesh gjendja ime s`ka ndryshuar aspak. Ende jam pa banesë meqë komuna nuk ka arritur ta bëjë kontratën në emrin tim” shprehet Foniqi.

Eco Higjiena

Shabani thotë se ende është i trishtuar dhe i traumatizuar nga data 18 mars 2009. “Edhe pas kaq vitesh ende qentë endacak janë të shumtë në Karaqevë e Kamenicë. “Janë me mijëra qenë që askush nuk shqetësohet për këtë dukuri. Unë si prind dhe viktimë e këtyre qenve i bëjë apel institucioneve komunale dhe atyre të sigurisë që të kujdesen për nxënësit, arsimtarët dhe ata që udhëtojnë gjatë dhe natës”.

Foniqi tha se para pak ditësh xhaxhai i tij Avdi Foniqi ishte cak i qenve endacak. Po ku e kanë prejardhjen këta qenë endacak kaq të rrezikshëm?.

Shaban Foniqi thotë se familja e tij jeton shumë afër punktit të policisë serbe.”Ushtria dhe policia serbe gjatë tërë natës hanë ushqime të ndryshme dhe i gjuajnë në një vend të caktuar ku shkojnë qentë dhe gjurmojnë. Këta qenë realisht janë edhe si mbrojtës të punktit sepse ata paralajmërojnë për gjithçka dhe janë shumë të rrezikshëm” u shpreh Foniqi.

Foniqi thotë se këta qenë të tërbuar janë të etur për gjak të njerëzve dhe duhet asgjësuar përndryshe çdo fëmijë apo prindër mund të jetë i rrezikuar nga sulmi i tyre./rajonipress/