ARKATANA

Preteni insiston, s’ka më dy poste!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Në kohën kur Kuvendi i Kosovës po i bën hapat e fundit për të shqyrtuar Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) rishfaqin kërkesën e tyre, që zyrtarëve të lartë të mos u lejohet që të mbajnë më shumë se një post publik.

Brenga kryesore e AKK-së është fakti që shumë zyrtarë të lartë shtetërorë vazhdojnë të jenë profesorë universitarë, prandaj angazhimi i tyre në dy ose më shumë vende të punës po u shpërndanë përgjegjësinë.

Kryetari i Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Preteni ka deklaruar se një traditë e tillë duhet të ndërpritet pasi që kjo ka qenë edhe njëra ndër vërejtjet kryesore ne Raportin e Progresit.

Preteni ka deklaruar se AKK-ja i ka dhënë vërejtjet e saj dhe se tani pret që këto vërejtje të merren parasysh nga ana e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës si dhe nga ana e deputetëve gjatë votimit.

“Tani është në komision, ne vërejtjet i kemi dhënë, tani po presim se si komisioni do ta derivojë në Kuvend.

Jemi insistues, mendojmë që duhet sepse ky problem është shpreh edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, ku është thënë se me shumë se 800 (tetëqind) zyrtarë të lartë kanë më shumë se dy vende. Tani është shansë e mirë që këto vërejtje të evitohen përmes këtij ligji”, ka thënë Preteni.

Ai ka shtuar se vërejtja kryesore ka të bëjë me punësimin e zyrtarëve të lartë në arsimin privat.

“Si do të shkojë çështja në Kuvendi nuk e di. Ne kemi instituar që zyrtarët e lartë të mos lejohen të punojnë në arsimin e lartë, në veçanti jo në sektorin privat dhe kërkesë tjetër ka qenë harmoniszimi i Ligjit për deklarimin e pasurisë me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit”, ka përfunduar Preteni.

Fundamenti

Në anën tjetër kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi ka deklaruar se vërejtjet e AKK-së do të shqyrtohen dhe të shihet se a duhet të përcaktohen me këtë ligji apo me vendime tjera.

“Vërejtjet do të shqyrtohen një nga një, të shikohet sa kanë bazueshmëri dhë të zbatohen në ligj. Të shihet se a janë çështje që duhet të zbatohen me këtë ligj, me ligje tjera apo me akte nënligjore”, ka thënë Gashi.

Ai më tej ka thënë se pret që këto vërejtje të merren në konsideratë nga ana e subjekteve politike në Kuvend.

“Janë çështje që do të merren në konsideratë, mirëpo vendimet janë kolektive, Kuvendi nuk varet prej vendimit personal, në komision vendimet nuk i marr unë, ka propozime të ndryshme dhe votohet pastaj edhe trajtohet edhe nga grupet partiake dhe besoj që do të shqyrtohen me seriozitet”, ka deklaruar Gashi.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi shkurt ka deklaruar se kjo është çështje e Kuvendit dhe se deputetët do të vendosin.

Ndryshe, në kohën kur papunësia në Kosovë shënon kuotat rekorde në Evropë, shumë zyrtarë duke shfrytëzuar autoritetin ose politik, ose drejtësinë, mbajnë nga dy ose më shumë poste.

AKK ka pasur vërejtje themelore kryesisht ndaj gjyqtarëve, të cilët edhe ndajnë drejtësinë edhe punojnë si profesorë universitarë./zeri/