ARKATANA

Preteni: Gjyqtarët, jashtë universiteteve private

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kreu i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka një mal vërejtjesh për Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, këto shqetësime të adresuara nga Agjencia që ai e drejton potencohen edhe në Raportin e Progresit të vitit 2013 për Kosovën.

“Është problem që mund të lidhet edhe me Raportin e Progresit, në të cilin një ndër vërejtjet ka qenë që më shumë se 500 zyrtarë i kanë më shumë se nga dy vende pune. Qëndrimi i Agjencisë është që të mos u lejohen zyrtarëve punësime në arsimin privat. Kjo deri tani nuk është marrë në konsideratë edhe në lexim të parë ka kaluar”, ka thënë Preteni për “Zërin”.

Ai më tej ka shtuar se gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet ndaluar që të punojnë edhe në arsimin e lartë, në veçanti në sektorin privat.

“Ne besojmë që është konflikt interesi, prandaj nuk duhet lejuar, sidomos jo në arsim. Nuk është me rëndësi sa paga i merr, por është me rëndësi funksionaliteti, në qoftë se një profesor e punëson një gjyqtar, jam shumë i bindur që nuk e merr pse është ekspert, por është pse mendon që do t’i ndihmojë në ndonjë rast”, ka deklaruar Preteni.

Grupet parlamentare ende nuk i kanë shqyrtuar vërejtjet e Agjencisë Kundër Korrupsionit, që janë dhënë për Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka lënë të nënkuptohet që nuk do të merren me vërejtjen në lidhje më punësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në arsimin e lartë.
“I kemi marrë vërejtjet dhe do t’i marrim parasysh. Ndërsa për çështjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë kompetente Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa, anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se çdo shqetësim i arsyeshëm do të merret parasysh nga ana e grupit parlamentar të LDK-së.

“Meqenëse ligji kaloi në leximin e parë, pikërisht tani është periudha kur ne mund të paraqesim amendamente qoftë si deputet individual qoftë në komisionet ku ne shërbejmë, kështu që unë besoj që çdo shqetësim i arsyeshëm do të merret parasysh nga grupi ynë parlamentar”, ka thënë Osmani.

Hidromorava

Ajo më tej ka shtuar se për momentin nuk mund të deklarohet se cilat vërejtje AKK-së do t’i përkrahin pasi që akoma nuk i kanë shqyrtuar këto vërejtje.

“Për momentin nuk mund të deklarohem sepse këto vërejtje akoma nuk janë shqyrtuar në grupin tonë parlamentar, në momentin që shqyrtohet si amendamentet ashtu edhe arsyeshmëria nga ana e Agjencisë, atëherë do të dalim me një qëndrim konkret”, ka përfunduar ajo.

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky subjekt politik do ta mbështesë çdo amendament që ka për synim të bëjë ndryshim përmbajtjesor në këtë projektligj do ta mbështesë.

“Si anëtare e Komisionit për Legjislacion, ende nuk jam e njoftuar me vërejtjet e AKK-së andaj pres që të njëjtat të procedohen në komision, meqë jemi përgjegjës në shqyrtimin e atij ligji. Secili amendament padyshim që duhet të jetë edhe mirë i arsyetuar dhe ne si subjekt politik jemi që në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit të bëhen ndryshime përmbajtjesore andaj çdo propozim që ka këtë qëllim do ta përkrahim”, ka pohuar Haxhiu.

Në anën tjetër, Fidan Kalaja nga lëvizja “Fol”, ka thënë se ky ligj është shumë i rëndësishëm në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit dhe, sipas tij, ligji duhet ta parandalojë ushtrimin e detyrës së një zyrtari në dy apo më shumë poste publike.

“Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit është njëri nga ligjet më të rëndësishme në përpjekjet për parandalimin e korrupsionit në Kosovë. Si i tillë, ky ligj do të duhej të ketë një vëmendje shumë të madhe e serioze nga ana e institucioneve tona. Qëndrimi i shumë organizatave të shoqërisë civile karshi ndryshimeve që kanë ndodhur në vazhdimësi në këtë ligj, kanë qenë që ky ligj do të duhej të ndalonte në mënyrë strikte ushtrimin e detyrës së një zyrtari publik në dy apo më shumë poste publike”, ka thënë ai.

Kalaja më tej ka thënë se duhet të gjenden forma të rritjes së pavarësisë dhe efikasitetit të gjykatësve dhe prokurorëve.

“Mirëqenia e prokurorëve dhe gjykatësve nuk do të duhej bazuar në mundësimin e angazhimit të tyre në poste e pozita tjera publike e private, mirëpo Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës do të duhej që të propozojnë forma tjera që do të rrisnin pavarësinë, efikasitetin, efektivitetin dhe mirëqenien e prokurorëve dhe gjykatësve”, ka deklaruar Kalaja./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.