Presin popullin

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Fillimisht bënë probleme për lokacionin. E tash kur iu nda toka, Bashkësia Islame e Kosovës e di vetëm datën dhe shumën sa mund të kushtojë xhamia e re. Madje, nuk e di as si do të duket ajo. Për këtë, po bëjnë plan ta hapin edhe konkursin ndërkombëtar për planin e xhamisë. Por, nuk e kanë kryesoren – paratë.

Për t’i siguruar ato, kanë hapur llogari bankare në tri banka të Kosovës dhe kanë bërë një marrëveshje me Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), në mënyrë që ajo të mundësojë mbledhjen e parave edhe nëpërmjet thirrjeve telefonike.

Janë këto dy mënyra, nga të cilat kjo bashkësi shpreson se do t’i bëjë të gjitha të hollat për xhaminë e re që do të ndërtohet afër PTK-së në Ulpianë. Dorën e kanë shtrirë kah populli.

Resul Rexhepi, sekretari i Kryesisë së BIK-ut, thotë për “Express” se tash për tash të gjitha shpresat i kanë vetëm te qytetarët.

“Kush do dhe shpreh vullnet për ta ndihmuar ndërtimin e kësaj xhamie, tash e ka një mundësi”, thotë ai.

Aktualisht, sipas tij, kjo është forma e vetme nga e cila BIK-u pret t’i bëjë të hollat për qëllimin e ndërtimit të xhamisë.

“Ky është hapi i parë. Të shohim se si po shkon. Nëse nuk mblidhen paratë, duhet shikuar ndonjë mundësi tjetër”.

E përveçqë nuk e dinë se si do të mblidhen paratë për xhami, Bashkësia Islame ende nuk ka as plan ideor se si do të dukej ajo xhami. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të Bashkësisë Islame, së shpejti do të hapet konkursi ndërkombëtar për planin ideor.

Uji Dea

Resul Rexhepi, sekretar në Kryesinë e Bashkësisë Islame, thotë se nga momenti i marrjes së këtij vendimi, kanë filluar përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e xhamisë. Fillimisht, sipas tij, kanë rregulluar çështjen e bartjes së pronësisë nga Komuna te Bashkësia Islame për të vazhduar pastaj me përgatitjen e terrenit.

Megjithatë, për kundër faktit që vendimin për ndërtim e kanë marrë në shkurt, ai pranon që ende nuk kanë projekt ideor ku mund të dihet planimetri i objektit të ri të xhamisë.

“Tani jemi aktualisht në fazën e përshkrimit të detyrave programore në mënyrë që sa më shpejt të shpallim një konkurs për hartimin e projektit ideor. Konkursi do të jetë ndërkombëtar dhe pas mbarimit të konkursit mund të dihet më për së afërmi gjendja gjegjësisht planimetria e objektit të ri, të cilin do ta ndërtojmë në këtë hapësirë”, sqaron sekretari Rexhepi.

“Madje mund të themi se akoma nuk jemi maksimalisht të përgatitur, por megjithatë ne kemi vendosur që më 4 tetor të këtij viti simbolikisht ta vëmë gurin themeltar për ndërtimin e kësaj xhamie”, ka thënë Rexhepi.

Para se të kërkojnë ndihmë nga qytetarët, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka thënë se ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë mund të kushtojë rreth 20 milionë euro. Fillimisht ai ka kërkuar që Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) të financohet nga buxheti i shtetit.

“Është imediate të rregullohet çështja e financimit të BIK-ut dhe bashkësive të tjera fetare që jetojnë në Kosovë”, pati thënë Tërnava.

Para se të ndahet toka që tash shfrytëzohet si parking i postës në Ulpianë, BIK-u ka kërkuar që xhamia të ndërtohet afër Institutit Albanologjik – gjegjësisht te çerdhja “Gëzimi Ynë”.

Atëkohë, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa pati thënë se lokacioni te Posta është shumë i përshtatshëm. Fillmisht Bashkësia Islame e Kosovës nuk e ka pranuar propozimin e Komunës së Prishtinës për ndërtimin e xhamisë së madhe në hapësirën ndërmjet Postës së Re dhe Qendrës së Mjekësisë Familjare, por më vonë ajo u pajtua me këtë fakt. BIK-u përfitoi një lokacion për ndërtimin e xhamisë, i cili përfshinë pjesët e ngastrave kadastrale me një sipërfaqe prej 8 mijë e 100 metrash katrorë, në vendin e quajtur “Blloku III i Ndërtesave”, apo siç njihet ndryshe si Parkingu i PTK-së, në Ulpianë.