Presidenti përçarës i bishtnon dështimit me debatin për FAK-un

Qasja e vjetër e presidentit Hashim Thaçi, me të cilën ai po e rikthen debatin për Ushtrinë (FAK-un), sikur herën e kaluar, sipas analistëve politikë, edhe kësaj radhe, po e bën vetëm për të mbuluar dështimin e tij të plotë deri tani në ushtrimin e funksionit të presidentit.
REPUBLIKA E KOSOVËS, ME UDHËHEQJE JOUNIFIKUESE
Tallja me ushtrinë, dashakeqësi e hipokrizi e kreut të shtetit
Qasja e vjetër e presidentit Hashim Thaçi, me të cilën ai po e rikthen debatin për Ushtrinë (FAK-un), sikur herën e kaluar, sipas analistëve politikë, edhe kësaj radhe, po e bën vetëm për të mbuluar dështimin e tij të plotë deri tani në ushtrimin e funksionit të presidentit.
Ai ishte dashur të paraqesë figurën e unitetit të politikës dhe të popullit, e që fatkeqësisht ai është tepër larg asaj figure uniteti dhe besimi. Aq më tepër kjo mënyrë veprimi shihet joserioze, derisa loja me emrin e Ushtrisë po luhet kur për këtë temë Kosova akoma nuk e ka mbështetjen e faktorit kyç që duhet t’i japë dritën e gjelbër Aleanca Veriatlantike – NATO, e cila transformimin e FSK-së në ushtri e sheh vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe në asnjë mënyrë me veprim të njëanshëm, në bazë të ligjit. Këtë gjendje tani e bën edhe më të komplikuar refuzimi i komunitetit serb. Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, dyshon se edhe kjo fushatë e re e presidentit ka për qëllim futjen e vendit në një krizë të re.”Mënyra se si Hashimi po i aktualizon çështjet si FAK-un dhe Demarkacionin, respektivisht Gjykatën Speciale, etj., janë metoda të njohura për ne, që e njohim se ai tipi do të krijojë edhe një krizë të re institucionale, për me çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme. Ushtria është çështje delikate me u zgjidh në këtë ambient politik jo të mirë që e ka krijuar vetë Hashimi”, tha Zafir Berisha.
Tendencë për mashtrimin e opinionit
Analisti politik Florim Zeqa qasjen joserioze dhe me qëllim përfitues, vetëm për egon e të parit të shtetit, e sheh pikë së pari në emërtim.”Vetë emërtimi FAK, pa akronomin e Republikës, e tregon joseriozitetin e pushtetarëve për bërjen e shtetit me ushtri, e cila njëherësh paraqet tallje me qytetarët e vendit dhe shkelje e gjakut të dëshmorëve. FAK-u pa Republikë e lë të hapur statusin e shtetit tonë! Ky fakt i ka vënë në lajthitje qytetarët e vendit dhe disa nga shtetet që kanë njohur Republikën e Kosovës. Sikur nuk e kanë të qartë a jemi shtet, gjegjësisht Republikë e pavarur, apo Rezolutë 1244! E gjithë kjo, si pasojë e dështimeve në qeverisjen 10-vjeçare të vendit dhe rezultat i dështimit total të Kosovës në bisedimet e Brukselit, nga të cilat ka përfituar vetëm Serbia me avancimin e strukturave të saj në Kosovë”, u shpreh ai. “Rikthimi i debatit për FAK-un nga presidenti Thaçi s’është gjë tjetër veçse një lojë e tij e radhës, pas dështimit në ushtrimin e funksionit të presidentit, që ishte dashur të ishte figurë unifikuese e politikës dhe popullit, por fatkeqë- sisht presidenti Thaçi është tepër larg kredibilitetit të duhur në popull dhe unitetit në skenën politike kosovare”, tha analisti Florim Zeqa për ‘Kosova Sot’. Ai pohon se loja e re e Thaçit me ushtrinë është lojë djallëzore dhe tendencë për mashtrimin e opinionit publik.
Dy rrugë për të themeluar ushtrinë
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se kjo çështje duhet të merret tepër seriozisht nga i pari i vendit dhe jo të niset vetëm sa për të thënë. “Presidenti kërkohet të fillojë punën dhe negociatat për shndërrimin e FSK-së në FAK. Nuk duhet të diskutohet vetëm në takime dhe atë kohë pas kohe, sipas situatës politike. Kërkohet të fillohen ndryshimet kushtetuese për themelim të ushtrisë. Dhe, nëse me ndërrime të tilla nuk realizohet, duhet vepruar me ligj, që me siguri amerikanët nuk do të kundërshtojnë, kur të shohin se minoritarët, përkatësisht Lista Serbe, nuk voton. Nuk duhet të humbet fare kohë”, theksoi ai.
Kelmendi ka pohuar se çështja e ushtrisë është mjaft domethënëse për Kosovën dhe shqiptarët, sidomos në dritën e armatosjes së madhe të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, Greqisë etj. Prandaj, formimi i ushtrisë është jetike për Kosovën. Në këtë rrafsh, për të mos vonuar, ai tha se duhet zgjedhur njërën nga dy rrugët e mundshme: 1. Rruga e ndryshimeve kushtetuese, të cilat ndryshime pa votat e 2/3 të deputetëve pakicë nuk mund të realizohet dhe 2. Nxjerrja e Ligjit mbi themelimin e ushtrisë, duke u mbështetur në bazat e njëjta juridike dhe kushtetuese. Kuptohet se kjo duhet domosdo të realizohet në raport të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n. Këtë duhet filluar për ta realizuar”, tha Muhamet Kelmendi.
Rrethana të përkeqësuara të sigurisë
Analisti politik Ymret Reshiti ka pohuar se Hashim Thaçi, para se të flasë për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, është mirë që të prezantojë dorëheqjen e tij të premtuar vetë. “Por, ambicia e tij e sëmurë karrieriste më parë e vret sesa e lejon që të japë dorëheqje”, tha Reshiti për ‘Kosova Sot’. Ai ka thënë se formimi i Ushtrisë së Kosovës është jetike për të tashmen dhe së ardhmen e Kosovës, është prioritet i prioriteteve dhe nuk po e kupton as kryeministrin Haradinaj përse nuk e ka vënë fokusin kryesor të Qeverisë së tij tek formimi i Ushtrisë së Kosovës, jo vetëm për faktin se ai e din sa ka peshë ushtria për një shtet, por edhe për shkak të zhvillimeve politike në rajon dhe botë. Reshiti thotë se dështimet paraprake të Hashim Thaçit në institucione tash po i kushtojnë Kosovës edhe në fusha të tjera.”Tërheqja e njohjes nga Surinami është pasojë e dështimit të diplomacisë kosovare dhe dialogut të dëmshëm me Serbinë, të cilën e dizajnoi dhe udhëhoqi Hashim Thaçi. Kryeministri Haradinaj duhet të marrë fatin e formimit të ushtrisë në dorë dhe nëse është nevoja duhet të kushtëzojë formimin e ushtrisë me të gjitha çështjet tjera. Serbia më parë e njeh Kosovën si shtet pa ushtri sesa të pajtohet që Kosova ta formojë ushtrinë. Nuk ka shtet dinjitoz pa ushtri. Nuk e kuptoj përse Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj edhe pas 8 vjetësh pavarësi mendojnë se mund të bëhen shtet pa forcën kryesore, pra pa ushtrinë”, potencoi ai. Sipas Reshitit, erëra të trazirave po sillen kudo nëpër Ballkan. “Ndikimi i Rusisë përmes Serbisë po nxit trazira në Mal të Zi, Maqedoni, Bosnje dhe shumë shpejt do të ketë ndërhyrje edhe në Kosovë.
Ambasadori i Ukrainës në Beograd akuzoi Serbinë dhe Rusinë se po trajnojnë luftëtarë serbë në frontet e luftës në Ukrainë për t’i dërguar më vonë në Kosovë. Qeveria e Kosovës për çudi nuk tha asnjë fjalë dhe nuk e merr si shqetë- suese këtë fakt. Serbia po armatosët çdo ditë nga Rusia, edhe pse është shumë para Kosovës në procesin e integrimeve në BE.
Në anën tjetër BEja nuk e thotë asnjë fjalë të vetme për armatosjen e Serbisë, e cila nga vitet 1990-1999 bëri 4 luftëra në Ballkan”, vlerësoi Reshiti. “Është nevojë imediate që kryeministri Haradinaj të bisedojë me miqtë ndërkombëtarë dhe sidomos me SHBA-në që me urgjencë dhe me çdo kusht të marrin pëlqimin për formimin e Ushtrisë së Kosovës me kapacitete të plota si çdo ushtri e botës dhe në kohë optimale, duke mos pranuar një poçes të formimit të ushtrisë për 10 ose 20 vjet”, potencoi më tutje ai.
Thaçi nuk e ka mbështetjen e NATO-s
Gjykim negativ dhe kritik për mënyrën e trajtimit të kësaj teme ka edhe analisti Ragip Guraziu. “Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e rikthen përsëri debatin për FAK-un. Sikur herën e kaluar, edhe kësaj here vetëm për të mbuluar dështimin e tij të plotë deri tani në ushtrimin e funksionit të presidentit që ishte dashtë të ishte, të paraqesë figurën e unitetit të politikës dhe të popullit, e që fatkeqë- sisht ai është tepër larg asaj figure uniteti dhe besimi”, potencoi ai.”Presidenti Hashim Thaçi këtë lojë po e luan me emrin e Ushtrisë kur po shihet që për këtë temë akoma nuk e ka mbështetjen e faktorit kyç që duhet t’i japë dritën e gjelbër Aleanca e NATO-s. Një lojë e tillë e presidentit Thaçi dita-ditës për qytetarët e Kosovës veç sa është bërë bajat”, vlerësoi Guraziu.”Deklaratat e Thaçit kundër BE-së nxisin reagime të ashpra në Kosovë, prandaj edhe kundërshtarët politikë dhe ekspertët akuzojnë presidentin Hashim Thaçi se po e sulmon BE-në për ta tërhequr vëmendjen e publikut nga dështimet politike të tij”, tha analisti Guraziu.
Kreu i shtetit në izolim
Sipas Skënder Mulliqit, pikërisht ky fakt dhe kjo temë e rëndësishme për mënyrën se si po trajtohet tregon më së miri se për pozitën e rrezikuar të presidentit, i cili është në krizë të imazhit të tij dhe të izolimit politik. “Dihet së në çfarë rrethanash politike, gati në kushte të shtetrrethimit, është zgjedhur për president Hashim Thaçi. Dhe, diçka që nuk fillon mirë edhe nuk do ta këtë përfundimin si duhet. Dështimet kur ishte shef i ekzekutivit po i vazhdojnë edhe si president i Kosovës. Që shumë kohë Kosova është në status-kuo politike, pa njohje te reja, pa zhvillim ekonomik, pa liberalizim të vizave të premtuara shumë herë pikërisht nga goja e Hashim Thaçit, pa gjasa që edhe shumë vite të bëhet pjesë e strukturës së BE-së dhe NATO-s”, u shpreh ai.”Lidhur me shndërrimin e FSK-së në ushtri, Thaçi i kishte dërguar kryeparlamentarit në mandatin e kaluar projektligjin për transformimin e FSK-së. Mirëpo, dihet së kjo nismë e Thaçit ishte kundërshtuar ashpër nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Greg Delawie është deklaruar dy herë rreth Ligjit për ushtrinë e propozuar nga Thaçi, duke thënë së ushtria duhet të formohet përmes ndryshimeve kushtetuese”, vijoi më tutje Mulliqi.
(Kosova Sot)