Eko Higjiena

Presidenti i Këshillit Evropian: Vuçiq dhe Kurti t’i tërheqin barrikadat dhe policinë nga veriu

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, pas bllokimit të rrugëve atje nga serbët lokalë, ka thënë se është koha që Kosova dhe Serbia të tërhiqen në mënyrë që situata në veri të qetësohet.

Michel ka thënë se po mban kontakte të ngushta me kreun e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell lidhur me situatën në veri të Kosovës.

“Është koha si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, që të tërhiqen dhe të shtensionojnë situatën, duke përfshirë tërheqjen e Njësisë Speciale të Policisë dhe barrikadat dhe të vazhdojnë negociatat mbi propozimin e Përfaqësuesit Special të BE-së Mirosllav Lajçak”, ka shkruar ai në Twitter, transmeton Telegrafi.

Fundamenti

Për zhvillimet në veri të Kosovës, ku serbët lokalë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinë dhe Bërnjak, kanë reaguar edhe BE SHBA dhe vendet të tjera, duke kërkuar shtensionim të situatës.

Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të shtunën mbrëma u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar për koordinimin e mëtejmë të veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikata për media. /Telegrafi/