Presidenti Bamir Topi dekoron personalitete të shquara nga Kosova
Tiranë – Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka dekoruar të hënën personalitete tëshquara nga Kosova për kontributin e dhënë.
Dekorimi përkon edhe më përvjetorin e 134-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvjetorin e 13-të të çlirimit të Kosovës, dhe në 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Në ceremoninë e dekorimit kanë marrë pjesë personalitete të Kosovës që janë dekoruar nga presidenti i Shqipërisë si dhe familjarë të peronave të dekoruar që nuk jetojnë.
Presidenti Bamir Topi ka dekoruar Adem Jasharin (pas vdekjes) me Urdhrin e Flamurit Kombëtar për heroizmin për mbrotjen e çështjes kombëtare. Adem Demaçi u dekorua me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Gjithashtu Topi dekoroi me Medaljen e Artë të Shqiponjës Ramiz Cernicën (pas vdekjes) për kontributin e dhënë në luftën e Kosovës.“Gjatë viteve të mia në funksionin e nderuar të Kryetarit të Shtetit shqiptar kam pasur fatin dhe rastin të nderoj shumë personalitete të shquara shqiptare për kontributet e tyre jetësore, aktet e kurajës së jashtëzakonshme dhe veprat e mëdha që kanë bërë për vendin.
Unë sot ndihem krenar që në emër të Shtetit shqiptar nderoj me dekoratën më të lartë Adem Jasharin, heroin legjendar të luftës për çlirimin e Kosovës, prijësin fjalëpakë dhe simbolin frymëzues për miliona të rinj shqiptarë, njeriun që tashmë e nderon përjetë çdo familje, çdo qytet e çdo komunitet shqiptar në botë.
Unë gjithashtu ndihem krenar që kam rastin të nderoj heronjtë e tjerë të Kosovës së re: Fehmi Lladrovcin dhe bashkëshorten e tij Xhevën; Ukshin Hotin dhe Afrim Zhitinë, si dhe emra të tjerë të shquar deri tek mjeshtrit e pavdekshëm të fjalës dhe zërit, Sulejman Krasniqi dhe Dervish Shaqa, por më lejoni të veçoj në nderimin e sotëm një emër simbol qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar dhe qytetar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut, “Mandelën e Lirisë” dhe heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin.
Miku im Adem, jemi me fat që ju kemi sot midis nesh. Ju keni qenë dhe jeni nderi i kombit shqiptar, por nga sot edhe zyrtarisht e meritoni këtë titull të lartë nderimi”- u shpreh Topi.Presidenti Topi ka dekoruar edhe Omer Çerkezin (pas vdekjes) me motivacionin: “Luftëtarit të Luftës Antifashiste, veprimtarit trim dhe të palëkundur për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, i cili u përball deri në vdekje me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist në ish Jugosllavi”; Gjon Serreçin (pas vdekjes) me motivacionin: “Luftëtarit antifashist, veprimtarit trim dhe kurajoz për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, i cili u përball deri sa dha jetën me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist në ish Jugosllavi”; Kadri Halimin (pas vdekjes) me motivacionin: “Për trimërinë, guximin në qëndresën dhe rezistencën ndaj politikave antishqiptare të shtetit në ish-Jugosllavi, për veprimtarinë atdhetare në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi”;
Ali Aliun (pas vdekjes) me motivacionin: “Për veprimtari të pareshtur atdhetare, në mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës, nën represionin e egër shtetëror shovinist, duke u bërë shëmbull frymëzimi për brezat e rinj të Kosovës.”; Sami Pejën (pas vdekjes) me motivacionin: “Për veprimtari të pareshtur atdhetare për çështjen kombëtare të fitores së pavarësisë së Kosovës, duke u përballur me represionin e egër të shtetit shovinist e që mbeti deri në vdekje shembull i patriotit të papërkulur.”;Metush Krasniqin (pas vdekjes) me motivacionin: “Për qëndresë të papajtueshme me politikën shoviniste antishqiptare, për veprimtari të pareshtur atdhetare për zgjidhjen e çështjes kombëtare të popullsisë shqiptare të Kosovës duke u përballur me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist.”; Hyrije Hanës (pas vdekjes) me motivacionin: “Veprimtares atdhetare që ia kushtoi jetën e saj luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe çështjes së të drejtave kombëtare të popullsisë shqiptare.”;
Fazli Graiçevcin (pas vdekjes) me motivacionin: “Intelektualit të angazhuar që gjithë jetën ia kushtoi çështjes së të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit shqiptar të Kosovës duke u përballur deri në vdekje me represionin e egër dhe torturat çnjerëzore të shtetit shovinist në ish-Jugosllavi.”; Zija Shemsiun (pas vdekjes) me motivacionin: “Një nga organizatorët heroik të rezistencës së studentëve dhe të gjithë popullit shqiptar të Kosovës ndaj shtypjes së të drejtave kombëtare e njerëzore nga shteti shovinist në ish-Jugosllavi, i cili u përball me represionin e egër dhe çnjerëzor të diktaturës komuniste, deri sa dha jetën për kauzën e tij atdhetare.”; Rexhep Malën (pas vdekjes) me motivacionin: “Për rezistencën e pandërprerë dhe heroike ndaj shtypjes së të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve të Kosovës nga shteti shovinist në ish-Jugosllavi duke dhënë jetën e tij të re në fushën e betejës.”