Presidentes i dorëzohet Kodi Penal
Prishtinë – Kuvendi i Kosovës ia ka dorëzuar të premten pasdite presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, Kodin e ri Penal, amandamentet e të cilit janë miratuar më 20 prill 2012.
E premtja ishte dita e fundit e paraparë me afatin ligjor që Kuvendi t’ia dorëzojë presidencës Kodin, dy nenet e të cilit, 37 dhe 38, janë kritikuar ashpër nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare që merren me mediet, të cilësuara si përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese.
Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
Zyra e presidentes tani ka një afat prej tetë ditësh të shqyrtojë amandamentet e miratuara, dhe siç kanë thënë më herët zyrtarë të Kabinetit të Presidentes, posaçërisht do të shqyrtohen dy nenet e debatueshme, në bashkëpunim me të gjitha palët.
Edhe Reporterët Pa Kufij i kanë bërë më herët thirrje presidentes të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare. /rel/Telegrafi/