Preshevë: Me flamuj të Kosovës, shqiptarët e Luginës protestuan kundër Serbisë

Preshevë – Nën organizimin e subjekteve politike dhe organizatave joqeveritare të Luginës së Preshevës ashtu siç ishte paralajmëruar në qendër të Preshevës pikërisht para komunës aty edhe ku u largua lapidari i UCPMB-së sot kanë protestuar qindra shqiptare kundër politikës diskriminuese të regjimit të Beogradit në Luginë, njofton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.
Në protestën e sotme kundër politikës diskriminuese serbe në Luginë, morën pjesë gjithë liderët nga Kosova Lindor të cilët njëzëri dënuan politikën sistematike represive serbe mbi popullatën shqiptare në Luginë duke kërkuar nga faktori ndërkombëtare ndërhyrje dhe përfshirjen e Luginës së Preshevës në procesin e dialogut në Bruksel.
Protestuesit kërkuan edhe bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën
Protesta nisi me një poezi kushtuar gjendjes së shqiptarëve në Luginë. Ramiz Latifi, kryetar i Kuvendit të Preshevës lexoi para protestuesve kërkesën e miratuar në Kuvendin e Preshevës, lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj të rinjve preshevarë, që po mbahen të arrestuar që nga dhjetori i vitit 2008.
Ngjashëm ka folur edhe kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa i cili ka kërkuar nga Beogradi kthimin e lapidarit e UCPMB-së kurse nga komuniteti ndërkombëtar të bëjë presion në autoritetet serbe për të ndalur politikën diskriminuese në Luginë mbi shqiptarët etnik.
Protestuesit sot në Preshevë pos flamujve kombëtar dhe të Kosovës mbanin edhe flamuj amerikan, evropian si dhe afishe ku dënohej politika antishqiptare serbe. Kurse në afishet që mbanin në duar protestuesit kërkohej kthimi i lapidarit të UÇPMB-së, heqja e lapidarit serb në Llucan si dhe kërkesa “duam Preshevën në dialogun e Brukselit”, “duam Universitet”, “Pa reciprocitet s`ka stabilitet”, “Lugina kërkon atë çfarë e duan serbët e veriut në Kosovë…”, “Stop Diskriminimit”, “Jo Militarizimit të Luginës”, “Ndal Spastrimin Etnik të Shqiptarëve nga trojet e veta në luginën e Preshevës..” si dhe ajo për “Bashkim të Luginës me Kosovën “.
Lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, e ka vlerësuar lartë dinjitetin e protestës së qetë kundër diskriminimit sistematik të Beogradit zyrtar. Musliu ish-drejtor politik i SHP të UÇPMB-së për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” gjatë protestës ka deklaruar se ” regjimi diktatorial i Serbisë duhet të ndal ndjekjet , arrestimet arbitrare ndaj të rinjve shqiptarë e posaçërisht të ish-ushtarëve të UÇPMB-së, të cilët për motive politike bastisen, arrestohen dhe burgosen vazhdimisht.”
“E veçanta e kësaj proteste ishte se ajo po mbahet në vigjilje të shënimit të përvjetorëve të UÇPMB-së dhe paralajmërimit të seancës së Gjykatës së Apelit në Beograd, ndaj Grupit të Gjilanit, i cili gjatë vitit 2012 u dënua me 116 vjet burgim”, tha në vazhdim Musliu.
Presheva kërkon ndërhyrje ndërkombëtare në Luginë
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës përmes kësaj proteste gjithpopullore kërkoi lirimi i të burgosurve të pafajshëm shqiptarë dhe ndërprerja e praktikës së vjetër të Beogradit, për dënimin e shqiptarëve.
Sipas tyre, diskriminimi sistematik i shqiptarëve nga pushteti aktual i Beogradit, nuk ka të ndalur. Rruga institucionale për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara me vite në këto hapësira etnike, nuk po jep rezultate të kënaqshme.
Liderët e Luginës kërkuan ndërhyrje të faktorit ndërkombëtare në ndaljen e politikës antishqiptare serbe në Luginën e Preshevës, ndërsa nga Beogradi kërkuan të ndalë provokimet të cilat mund të shkallëzojnë situatën ashtu të brishtë në Luginë, raportojnë korrespondentët e agjencisë së lajmeve “Presheva Jonë”.
Shqiptarët e Luginës për ta përmirësuar gjendjen e tyre politike dhe ekonomike e bënë Referendumin e vitit 1992, e zhvilluan një luftë gjatë viteve 2000-2001 dhe e arritën Marrëveshjen paqësore të Konçulit, si dhe miratuan një Deklaratë politike nga këshilltarët shqiptarë të tre kuvendeve komunale të Luginës, më 2006, por prapë statusi i tyre politik mbeti i pandryshuar, kanë deklaruar liderët tjerë të Luginës së Preshevës.
Nga subjektet politike shqiptare dhe organizatorët është përpiluar një raport në tri gjuhë botërore mbi situatën aktuale dhe kërkesat e shqiptareve të luginës së Preshevës drejtuar përfaqësive diplomatike në Beograd, OSBE-së, Uashingtonit, Brukselit dhe Gjenevës.
Letër protestuese
Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Preshevës janë të indinjuar thellë me zvarritjen e procesit të montuar politik ndaj 9 të rinjve shqiptarë, të cilët padrejtësisht janë arrestuar dhe ende po mbahen në burg, periudhë kjo që tregon qartë se ky proces është një proces i montuar politik dhe i orkestruar nga ministri i brendshëm serb Ivica Daçiq, i drejtuar kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ku brenda 5 viteve të mbajtur padrejtësisht në burgjet serbe nuk kanë arritur të sjellin asnjë dëshmi mbi fajësinë e tyre.
Kuvendi Komunal i komunës së Preshevës kërkon nga institucionet më të larta shtetërore dhe nga faktori relevant ndërkombëtar të ushtroj ndikimin e vet për gjykim të drejtë dhe me këtë rast të vërtetohet pafajësia e tyre.
Ne këshilltarët e Kuvendit Komunal vlerësojmë se çdo vendim tjetër përpos lirimit të tyre të pakusht do të thellojë edhe më tepër mos besimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndaj institucioneve shtetërore serbe dhe se do t’i imponohet që së shpejti të ulen dhe të rishqyrtojnë veprimet e veta politike në kuadër të këtij shteti, thuhet në letrën protestuese të Dr. Ramiz Latifi, Kryetar i Kuvendi Komunal i Preshevës.