UBT

Preportr: Lufta në paqe e veteranëve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Bindja se ish-pjesëtarët e UÇK-së jetojnë mirë prej se krahu i luftës erdhi në pushtet, duket të jetë një mit. Imazhin e dëmtuar nga individë, që nga radhët e tyre morën dhe keqpërdorën pushtetin, ish-pjesëtarët e UÇK-së e luftojnë çdo ditë me shembuj konkret të sakrificës.
Pas përfundimit të luftës, pjesa dërmuese e ushtarëve të UÇK-së iu bashkua ushtrisë së të papunëve në Kosovë, megjithëse disa nga ta u angazhuan në TMK dhe polici, thuhet në një hulumtim të Preportr mbi gjendjen e kategorive të luftës.

Sipas hulumtimit, disa kategori lufte marrin pension ndërsa pjesa tjetër, veteranët, nuk kanë fare kujdes institucional.

“Një pjesë e veteranëve të luftës të rënduar shumë ekonomikisht marrin asistencë sociale, e që është e pamjaftueshme që të mbahet një familje e rëndomtë kosovare”.

Të përfaqësuara dobët nga shoqatat e dala nga lufta e pastaj të shfrytëzuara nga partitë, që erdhën në pushtet si i ashtuquajtur krah i luftës, veteranët ndjejnë se ndajnë fatin me të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët kur kërkojnë punë thuajse gjithmonë duhet të kenë lidhje me partitë politike ose me grupe të tjera interesi.

Disa madje thonë se edhe për shërim jashtë vendit, invalidët e luftës duhen të kenë lidhje të forta me partitë në pushtet, sepse edhe për nevoja si këto ata diskriminohen.

Hulumtimi i Preportr merret edhe me problemin e regjistrimit të fëmijëve të kategorive të luftës në universitet.

Pas luftës, thekson hulumtimi, statusin e studentit e morën mijëra vetë, ndonëse nuk kaluan provimin pranues.

Familjarët e kategorive të luftës regjistroheshin në Universitetin e Prishtinës, me dokumentin që merrnin nga shoqatat e dala nga lufta si vërtetim që i përkasin këtyre kategorive.

Kandidatët i nënshtroheshin formalisht testit pranues, sepse ata pranoheshin në fakultet pavarësisht rezultatit që arrinin në provimin pranues.

Kur në krye të Universitetit erdhi Ibrahim Gashi, në vitin 2013, forma e aplikimit për regjistrim të këtyre kategorive ndryshoi.

Mobi Casa

Gashi kishte kërkuar nga shoqatat që të formulonin një listë ku do të përfshiheshin të gjithë kandidatët për studentë, si formë për t’i ikur pranimit sporadik të këtyre kategorive.

Si rezultat dy vite me radhë shoqatat e veteranëve, invalidëve të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dërgonin listë në Rektorat të Universitetit të Prishtinës, ku përfshiheshin kandidatët për studentë, familjarë të kategorive të luftës.

E këta të fundit nuk merrnin as mundin më të vogël që t’i verifikonin këto lista.

Ishin shoqatat e dala nga lufta ato që kishin fjalën e fundit me rastin e përpilimit të listës se kush nga këto kategori mund të regjistrohet në UP.

Pranimi i studentëve si kategori e luftës është bërë që nga viti 2005, duke u thirrur në memorandume të arritura me organizatat e dala nga lufta.

Memorandume këto që u jetësuan përvitshëm e që nuk kanë as mbështetje në ligjet e arsimit apo në vet Statutin e UP-së.

Bazuar në këto memorandume, kandidatët hyjnë në teste pranuese dhe pavarësisht a tregojnë rezultate të mira, emrat e tyre dërgohen në rektorat për regjistrim nga shoqatat e luftës.

Memorandumi i parë në këtë nivel bashkëpunimi u realizua në vitin 2005 në kohën kur për pak muaj ishte rektor Arsim Bajrami. Në bazë të këtij memorandumi kategoritë e luftës dhe familjarët e ngushtë të tyre do të ndihmoheshin nga universiteti në regjistrim, në ofrimin e lehtësirave financiare, mbështetje me bursa, literaturë falas etj.

Memorandumi i tillë nuk u zbatua në të gjitha pikat vetëm gjatë periudhës 2007-2009, kur Enver Hasani ishte rektor i UP-së.

Atëbotë Hasani kishte vendosur që në fakultetet apo në degët më të ndjeshme si Arkitekturë në Fakultetin Teknik, Mjekësi dhe Filozofik të mos regjistrohen studentë që nuk tregojnë nivel të lartë në testin vlerësues