Vizat po shihen si shpresë për të braktisur Kosovën

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Dhjetëra mijëra punëtorë vlerësohet se kanë lëshuar Kosovën gjatë këtij viti derisa një numër i madh i qytetarëve po presin liberalizimin e vizave për t’u larguar nga vendi.

Kështu të paktën thonë nga sindikata e pavarur e sektorit privat, nga e cila shprehin se arsyet që po i shtynë punëtorët për të lëshuar Kosovën janë pagat e ulëta e kushtet jo të mira të punës.

“Për vitin 2023 e kemi një statistikë e cila nuk mund të jetë shumë e saktë, por janë diku rreth 70 mijë punëtorë. Mendoj që në janar dhe në periudhën e ardhshme punëtorët do të shkojnë dhe do të shikojnë kontraktimin e marrëveshjeve me kompani private në Evropë në Gjermani”, ka deklaruar për RTK-në Jusuf Azemi -kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit privat të Kosovës.

Nga Instituti Riinvest kanë thënë se rreth njëmijë biznese në Kosovë kanë njoftuar se mbi tridhjetë e dy për qind e punëtorëve të tyre ka gjasa të emigrojnë gjatë vitit 2024.

Sipas këtij instituti, kosovarët deri tani kanë arritur më së shumti të marrin leje të punës jashtë vendit në sektorin e ndërtimit, akomodimit, shërbimeve administrative, prodhimit e tregtisë me shumicë e pakicë.

Edhe përfaqësues të odave e sindikatave të sektorit publik kanë paralajmëruar se një numër i madh i punëtorëve tashmë kanë nisur procedurat për t’u larguar nga vendi.

Fundamenti

“Nuk shohin perspektivë të mbesin këtu si për veti, po edhe për familje. Dimë fare mirë se tash edhe Gjermania e ka lehtësuar bashkimin familjar dhe do të thotë kjo se gjendja e përgjithshme në Kosovë vërtet ndikon edhe te këta”, ka deklaruar Pleurat Sejdiu – kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës.

“Kjo ngritje kaq e ulët e pagës mund t’i shtojë te punëtorët e arsimit idetë që ata në një mënyrë apo tjetër të ikin nga sistemi arsimor, siç po ndodh fatkeqësisht edhe në Policinë e Kosovës dhe sektorë tjerë”, ka deklaruar Rrahman Jasharaj nga SBASHK.

Sipas Riinvestit, bizneset në Kosovë po hasin më shumë vështirësi për të mbuluar pozitat e punës për profesionistë, menaxherë e punëtorë të zejtarisë dhe tregtive të ngjashme.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, Kosova nga 2016 deri në vitin 2022 ka prirë sa i përket numrit të qytetarëve që kanë emigruar.