Fundamenti

Premton mbrojtjen e prodhimeve vendore

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Përmirësimi i renditjes në raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes, thjeshtimi i procedurave për hapjen e bizneseve, mbrojtja e produkteve vendore, si dhe shumë procese tjera të realizuara gjatë vitit 2012 janë disa nga sukseset për ministren e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari – Lila. Kurse synim i MTI-së për vitin 2013 sipas ministres Kusari – Lila do të jetë përmirësimi i ambientit të të bërit biznes, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme e po ashtu edhe promovimi i investimeve.

Ministrja Mimoza Kusari – Lila ka thënë se bllokimi për fillimin e punimeve në Qendrën Inovative në Gjakovë nuk do të ndikojë tek investitorët e huaj për të investuar në vendin tonë.

Telegrafi: Si e vlerësoni vitin 2012, cilat kanë qenë të arriturat përveç ngritjes në raportin e Bankës Botërore. A ka pasur ndonjë plan, i cili nuk është realizuar?

Kusari – Lila: Me gjithë sfidat e paraqitura këtë vit, konsideroj që viti 2012 ka qenë vit i suksesshëm. Thyerja e trendit negativ në raportin e Bankës Botërore për të Bërë Biznes është një nga sukseset e këtij viti, ku Kosova u shpall reformatori më dinamik i Evropës Qendrore dhe Juglindore. Sukses i rëndësishëm i këtij viti është edhe fillimi i negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë, ku Kosova negocion për herë të parë me një shtet jo vetëm produktet por edhe shërbimet. Po ashtu, strukturimi i brendshëm i MTI-së është sukses i vitit 2012, por gjithashtu na mbetet të punojmë edhe më tepër në vitin 2013.

Telegrafi: Reciprociteti me Serbinë ka pasur shumë efekte pozitive duke rritur konsumin e prodhimeve vendore. A mund të presim masa mbrojtëse për prodhimet vendore edhe gjatë 2013-es?

Kusari – Lila: Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë prodhimin vendor, dhe ju siguroj që edhe në vitin 2013 do të ketë vendime aty ku ka hapësirë ligjore për të vepruar për mbrojtjen e prodhimit vendor. Se a do të ketë reciprocitet apo ndonjë masë tjetër, varet nga rasti që mund të na paraqitet nga shtetet fqinjë, apo vendet më të largëta. Ligji mbi masat mbrojtëse dhe ai mbi masat antidumping parashohin një mori masash për mbrojtje të produkteve vendore kur ka hapësirë për një vendim mbrojtës të tillë.

Telegrafi: Çfarë ka bërë MTI-ja për të rritur numrin e investimeve të huaja në vend?

Kusari – Lila: Gjatë këtij vitit kemi pasur një agjendë të ngjeshur për promovimin e investimeve ku kemi organizuar 13 konferenca ndërkombëtare në Evropë, SHBA dhe Emirate të Bashkuara ku mbi 500 investitorë të huaj potencial të kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë. Organizimi i këtyre konferencave ka dy qëllime: përmirësimin e imazhit të Kosovës, pra promovimin e Kosovës si vend stabil si dhe tërheqjen e investimeve të huaja, duke prezantuar potencialin e vendit tonë për investitorë. Në 10 konferenca kemi pasur edhe rreth 25 biznese kosovare në konferenca, me qëllim të krijimit të partneritetit kosovar me bizneset të huaja. Ne tanimë i kemi parë edhe rezultatet konkrete, ku disa kompani kosovare kanë filluar bashkëpunimin me kompani të huaja si rrjedhojë e këtyre konferencave. Shembull konkret është Osa Termosistemi Rahovec të cilët kanë filluar eksportin në Hungari si rezultat i partneritetit të dalë nga konferenca e organizuar në Budapest.
Shtesë kësaj, ne kemi qenë prezentë edhe në Forumin Botërorë për Investime në Katar, Takimi vjetor për Investime në Dubai të cilat luajnë rol të rëndësishëm për promovimin e Kosovës.

Mobi Casa

Më duhet t’ju them se të gjithë e ndjejmë urgjencën dhe nevojën për të pasur sa më shpejt rritje të madhe të investimeve, dhe lajmi i mirë është se nga kontaktet që kemi dhe promovimin intensiv që kemi bërë gjatë tërë viti veç kanë filluar investimet konkrete, të cilat besojmë se do të rriten vitin që vjen.

Telegrafi: A do të ndikojë në hezitimin e investitorëve për të ardhur tek ne rasti i bllokimi të Kryetarit të Gjakovës Pal Lekajt të Qendrës Inovative?

Kusari – Lila: Ne nuk do ta promovojmë atë rast si një pengesë për të cilën duhet ditur të tjerët. Sigurisht që nuk është përvojë e mirë. Megjithatë, brenda fuqisë dhe kompetencave tona institucionale do të mundohemi të kemi sukses me Qendrën e Inovacionit, ndërsa pengesa absurde e kreut të Komunës nuk i ndihmon askujt, as vetë Komunës së Gjakovës.

Telegrafi: Vendimi për çimenton, që hyn në Kosovë është interpretuar në mënyra të ndryshme, a ja ka arritur qëllimit?

Kusari – Lila: Vendimi për Masat Mbrojtëse në Importe për çimento ka arritur efektin e duhur në kohën kur është aplikuar. Ky vendim është marrë plotësisht i bazuar në ligj dhe i konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Unë qëndroj prapa asaj që vendimi dhe nuk do të hezitoj të aplikoj masa mbrojtëse edhe në raste kur ne kemi industri të tjera të cilat rrezikohen nga importi i tepruar dhe i pakontrolluar duke rrezikuar kështu industrinë vendore.

Telegrafi: Cilat do të jenë planet e MTI-së për vitin 2013, në çka do të orientoni konkretisht?

Kusari – Lila: Objektivat tona për vitin 2013 do të jenë vazhdimësi e punës së bërë këtë vit, kuptohet me intensitet edhe më të shtuar dhe me projekte të reja. Ne kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Agjencinë Austriake për Zhvillim për Zhvillimin dhe Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, i cili do të filloj në vitin 2013.

Prioritet për vitin 2013 mbeten: përmirësimi i ambientit të të bërit biznes, mbështetja e NVM-ve dhe Promovimi i investimeve, krijimi i një mekanizmi financiar qe lehtëson koston e bizneseve, vazhdimi i negocimit të Marrëveshjeve tjera për Promovim dhe Mbrojtje te Investimeve me vendet tjera, përfundimi i negociatave të Marrëveshjes se Tregtisë se Lire me Turqinë dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, do të punojmë për së afërmi me ministritë dhe dikasteret e nevojshme që të kemi një koordinim më të mirë dhe lehtësim të prodhimit vendor dhe promovim të eksportit. /Lulzim Ahmeti/Telegrafi/