Eko Higjiena

Premtohen shërbime më efikase në QKUK

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Gjatë këtij viti në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të ketë shërbime të reja për pacientët në nevojë. Investime do të ketë edhe në aparaturë mjekësore e renovim të klinikave.

Operacionet në zemër të hapur dhe rrezatimi kurativ do të jenë të mundshme gjatë këtij viti edhe në sektorin publik, premton Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Sipas tij, Kardiokirurgjia dhe Instituti i Onkologjisë janë dy projekte të cilat do të funksionalizohen në tërësi.

“Ajo që pritet gjatë viti 2013 të ndodh është që të funksionalizohen shërbimet e reja të Kardiokirurgjisë, pra shërbimet terapeutike në Institutin Onkologjik. Më pastaj do të vazhdojmë të investojmë në realizimin e një performancë më të mirë brenda QKUK- së. Natyrisht do ta përmirësojmë furnizimin me barna dhe material harxhus me mbi 3 milion”, tha Agani për Radio Kosovën.

Mobi Casa

Një projekt tjetër brenda Qendrës Klinike Universitare që do të nis gjatë këtij viti është ai i ambulancave specialistike. Do të demolohen barakat dhe do të ndërtohet objekti i ri për këto shërbime. Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu tha se për këtë projekt janë ndarë 1 milion euro.

“Rreth 1 milion do të investohen në ndërtimin e ndërtesës së re për ambulancat specialistike, pasi që deri më tani ambulancat specialistike veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në kushte jo shumë të favorshme për punë, në baraka që nuk i kanë plotësuar kushtet”, theksoi ai.
QKUK në tërësi do të ketë rreth 6 milion euro vetëm për investime duke përfshirë këtu edhe renovimin e disa klinikave, aparaturën mjekësore dhe mirëmbajtjen e saj. /Indeksonline/