Prej glasës n’bajgë
Nga Milaim Shefkiu – Në çdo fundvit, kur duhet për t’i bërë një rezyme zhvillimeve të njëvjeçarit, e vlerësojmë se sa të padobishëm jemi si popull dhe sa joracionalë jemi si komb. Pavarësisht se jemi kalitur të jetojmë me optimizëm dhe ta shohim gotën gjithmonë gjysmë të mbushur, shikuar me racionalizëm, viti 2016 ka qenë aq i kobshëm për ne, po aq sa edhe viti i kaluar.
Derisa brenda 2016-s jemi munduar t’i rikuperojmë plagët e vitit 2015, u pa se duke ikur nga glasa kemi shkelur në bajgë (bagël). Jemi zhytur më thellë në korrupsion, në krim të organizuar, në nepotizëm, në mosllogaridhënie… Ndërsa urrejtja patologjike ka dalë mbi kapuç, apo siç thotë populli si “qumështi mbi përshesh”.
Në asnjë pikë të rëndësishme për Kosovën nuk ka pasur ujdi ndërmjet koalicionit dhe opozitës. Vetëm në Kosovë apo thënë ndryshe tek ne shqiptarët të gjithë e kanë mirë dhe të gjithë kanë të drejtë.
Që nga janari 2016 sintagma e politikanëve, por edhe analistëve e publicistëve, është sjellë rreth Asociacionit të Komunave Serbe (“Zajednicës”) dhe Demarkacionit me Malin e Zi.
Gjatë 12 muajve të shkuar rrota e historisë për ne ka stagnuar në një vend, sikurse sahatit kur i këputet zembereku…(pop).
Fatkeqësisht asnjëra palë nuk gjeti kurajën për të lëshuar pe, por përkundrazi të dy taborët kanë ngulur këmbë si gomari në lloç, duke pretenduar se kanë të drejtë mbi ato që i quajnë “kauza”. E kjo “drejtësi” po u kushton popullit fukara që po e bart mbi kurriz peshën e injorancës dhe të papërgjegjësisë së politikanëve kryeneçë, të cilët janë dëshmuar se e kanë nga një dërrasë mangët.
Gjatë vitit që po e lëmë pas Kosova shënoi disa fitore, kryesisht në sport, duke u anëtarësuar në UEFA e FIFA. Por jashtë këtij rrafshi, Kosova rrëshqiti si thiu në akull: dështoi në integrim, në zhvillim ekonomik, në diplomaci, në politikë të jashtme dhe mbi të gjitha dështoi në heqjen e vizave.
Kurse fushata “Pronto”, xhihadizmi, gjykimet për korrupsion e krime lufte, rasti “Dehari”, PISA, etj., ishin pjesa tjetër që ka mbajtur peshë opinionin gati gjatë gjithë vitit.
Kur i qet në kandar të mirat dhe të këqijat, objektivisht e vlerësojmë se viti 2016 ka qenë ters ose viti i mbrapshtë për kosovarët.
Por si popull, me optimizëm hiperbolik, mbetemi me shpresë se problemet që po barten nga njëri vit në tjetrin, sikurse nga vagoni në vagon, në vitin 2017 do ta gjejnë zgjidhjen.
Demarkacioni të mbyllet si çështje, “Zajednicës” t’i prehen teshat, marrëveshja për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjet e reja do të arrihet e mbi të gjitha – të hiqen vizat gjatë verës 2017.
Kurse lutjet e të gjithë qytetarëve janë që Gjykata Speciale të kalojë me sa më pak “turbulenca” (pa shkaktuar tërmet në skenën politike e institucionale), ndërsa nepotizmit dhe korrupsionit t’i prehet udha sikurse që i ndahet lugu jazit të mullirit.
“Me gjysmën e gotës mbushur…” – Urime 2017-a!

