Pranga 3 personave, mbajtën peng shtetasin kosovar

Policia ka arrestuar tre persona, të cilët akuzohen se kanë mbajtur peng një shtetas kosovar.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Ardian Muja, Shkëlzen Duraku dhe Lumir Dashi, të cilët mbajtën peng shtetasin kosovar Flamur Curri.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal në fshatin Shtiqen në Kukës, ndërsa për lirimin e pengut është dashur ndërhyrja e forcave RENEA.
Sipas policisë, Flamur Curri është pronar i një aktiviteti privat në qytetin e Kukësit dhe pengmarrësit i kishin kërkuar 6 mijë euro në këmbim të lirimit të tij.
Mësohet se RENEA ndërhyri në çastin final dhe arrestoi tre gjobëvënësit të armatosur me automatik dhe pistoletë.