Pozita, optimiste për arritjen e konsensusit

As rezoluta e re mbi dialogun, e hartuar nga liderët e koalicionit qeverisës para dy ditësh, nuk pritet t’i bëjë bashkë pushtetin e opozitën rreth fazës finale të negociatave me Serbinë. Në propozim-rezolutën e pushtetit theksohet qëndrimi i Kuvendit kundër prekjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjithashtu kërkohet mandatimi i ekipit negociator i kryesuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, shkruan “Zëri”.
Përfaqësuesit e pozitës mbeten optimistë se kjo rezolutë do t’i bëjë bashkë të dy taborët, pozitë e opozitë, sa u përket bisedimeve Kosovë – Serbi.
Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se arritja e konsensusit të gjerë nacional me anë të kësaj rezolute është thuajse i pamundur
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, është shprehur optimist se do të arrihet një dakordim mes spektrit politik sa i përket kësaj draft-rezolute.
“Gjithsesi që e mbështesim dhe mendoj që tani as opozita për një rezolutë të tillë për asnjë arsye nuk do të thotë jo”, ka thënë Sherifi për “Zërin”.
Sherifi më tutje ka thënë se kjo rezolutë mund të shfrytëzohet edhe si fazë për arritjen e një ujdie të gjerë rreth procesit të negociatave Kosovë – Serbi. “Besoj shumë që do të mund të shfrytëzohet si fazë për të krijuar një konsensus politik të shumëpritur në vend për sa i përket çështjes së dialogut”, ka thënë më tutje ai. /ZERI