Fundamenti

Pozita dhe opozita në Bujanoc

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Bujanoc- Përkundër insistimit të drejtuesve të pushtetit lokal në Bujanoc, ta zgjerojnë koalicionin qeverisës edhe me parti të tjera shqiptare, opozita me fanatizëm nuk lëshon pe, ka vendosur ta mbajë të tensionuar funksionimin e parlamentit lokal.

Shqiptarët e Bujanocit, për herë të parë në historinë e kësaj komune arritën në zgjedhjet e majit, të këtij viti, t’i sigurojnë 30 mandate nga 41 këshilltarë sa ka përbërja e kuvendit komunal. Ata në vend se të gëzoheshin për këtë fitore historike u ndanë më dysh: në pozitë dhe opozitë. Pra, për herë të parë pas 3 palë zgjedhjesh, tri partitë politike shqiptare mbetën në opozitë, kurse vetëm Partia Demokratike hyri në koalicion qeverisës me dhjetëra parti serbe.

Kjo që ka ndodhur në Bujanoc, rrallë mund të ndodh diku tjetër. Inatet politike i hasmëruan shumë partitë politike shqiptare, të cilat prishën unitetin, që kishin dikur ndaj pushtetit lokal për tu ndarë e përçarë si mos më keq.

Farës së përçarjeve në këtë drejtim u kanë kontribuar Beogradi, Trupi Koordinues, Këshilli Nacional dhe disa shqipfolës bashibozukë e matrapazë, të cilët duke favorizuar një subjekt të ri shqiptar, qitën në opozitë partitë, të cilat me vite të tëra kishin qeverisur vendin me sukses.

E partia pushtetare shqiptare, duke parë se është vështirë të qeverisë vetëm me partnerët serbë, kërkon zgjerimin e koalicionit edhe me parti të tjera shqiptare, jo të gjitha!
Të fusësh në qeverisje lokale si partner, përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Serbisë e t’i lëshë jashtë lojës subjektet politike shqiptare, është çmenduri.

Hasmëritë e opozitës shqiptare për këtë koalicion qeverisës janë patologjike. Ata janë shndërruar na mani kalkulimesh e pazaresh politike. Nuk ka mekanizëm, që mund t’i ofrojë shqiptarët për unitet e bashkëveprim. Koalicioni qeverisës multietnik ka bërë aq gabime, sa vështirë se mund ato të përmirësohen.

Pozita dhe opozita, janë dy skajet e një litari. Nuk ka profet të prognozojë se sa do të zgjas kjo amulli, kaos, ngërç politik në pushtetin lokal të Bujanocit.

UBT

Akuzat mes pozitës dhe opozitës janë të rënda, sa shpesh shkojnë deri në amoralitet.
Po e përmbyllim këtë opinion me një barsoletë politike.

Opozita me ironi e sheh kabinetin e qeverisjes lokale të Nagip Arifit, me atë të Fatos Nanos, dikur. Këto krahasime kalojnë në një humor ngazëllues.

Kabineti i qeverisje lokale të Nagip Arifit në Bujanoc, ka grumbulluar rreth vetes njerëz, jo më të gjatë se një metër e një zhilet si: Ismet Ahmeti, Emrullah Lutfiu, Veli Idrizi, Nexhat Behluli, Hajredin Ademi, Abedin Raqipi, Mukarrem Ahmeti etj, krejt të një mase, të një sharre. Dallim në këtë drejtim bënë vetëm kryetari i Kuvedit Komunal, Hajredin Hyda, i njohur me nofkën Pasha, i cili është më i gjatë se të tjerët.
Të pyetur pse ka ndodhur kështu, përgjigja është me pak humor: për të treguar se në Komunën e Bujancit, ka shqiptarë më të gjatë se një metër e gjysmë?!

Kështu pat ndodhur dikur edhe me kabinetin e Fatos Nanos, i cili grumbulloi rreth vetes njerëz të kalibrit të tij për nga gjatësia si: Bashkim Fino, Ilir Meta, Pandeli Mjko, Skënder Gjinushi, Servet Pëllumbi, Spartak Ngjela etj., ndërsa për president të vendit zgjodhën Rexhep Mejdanin, afër dy metra të gjatë.

Të pyetur pse ndodhi kështu, përgjigjja ishte po e njëjtë: për t’i treguar botës se ka shqiptarë edhe më të gjatë se një metër e gjysmë!

Po, halli ku qëndron?! Te hasmëritë shqiptare, të cilat nuk njohin gjatësi e shkurtësi, por kanë vetëm një emërues të përbashkët: “Propagandën serbe e cila është aq e fortë, sa që arrijnë që shqiptarët t’i përçajë, duke i krijuar kështu vetes lehtësi të madhe për t’i sunduar dhe nënshtruar ata”.( RTV Spektri)