Fundamenti

Portreti i Adem Demaçit në publicistikën historike të Selatin Novosellës

/ 14 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Mehmetali Rexhepi – “Në burg është vendi ku shkatërrohet trupi dhe vihet në sprovë shpirti. Që të dyja nuk të takojnë. Zgjedh! Nëse do trupin, harroje shpirtin! Nëse do shpirtin, harroje trupin!” Adem Demaçi.

“Kështu në vorbull të epokës
U ngritët Ju si monument,
Ju që e prekët historinë
Dhe n’histori u kthyet vetë”
Ismail Kadare

“Në burg është vendi ku shkatërrohet trupi dhe vihet në sprovë shpirti. Që të dyja nuk të takojnë. Zgjedh! Nëse do trupin, harroje shpirtin! Nëse do shpirtin, harroje trupin!”
Adem Demaçi

Dy diskurse: njëri poetik dhe tjetri filozofik. Filozofi e sprovës së idealistit…
Mes këtyre dy diskurseve joshet jeta dhe shkrimet e publicistikës historike të Selatin Novosellës.

Selatin Novosella nuk është thjeshtë një kronist, ose vetëm regjistrues i ngjarjeve të “ilegales”, e cila mori të drejtën e mohuar të qytetarisë, duke u bërë zëdhënësja besnike e shtytjeve të proceseve kahes së lirisë, për ndryshimin e pozitës së shqiptarëve në Federatën Jugosllave. Në shkrimet e tija të kësaj natyre, në qindra-mijëra faqe gjurmoi, kërkoi, mblodhi pastaj voli, renditi e sistemoi lëndë të mjaftueshme për historinë më të re të shqiptarëve, të krahut lindor të Shqipërisë Etnike. Vëllime të tëra librash, që nga “Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve” e 64-ës, deri tek Lufta Çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhjetëra publikime nëpërmjet fejtonesh, në gazeta e revistat tona të përkohshme, intervista, tubime përkujtimore, akademi e paraqitje në medie pamore; kjo gamë e gjerë shënimesh, emrash të përveçëm, personazhe, veprimtarë të regjur, figura portretesh, vendndodhje ngjarjesh, përpjekje për vetëdijesim, shkresa programesh, reagime, kujtime, ri-takime, relieve të atmosferës, shestime, shqetësime, përballje të pabarabarta, sprova, faksimile, fotografi, data… Dendësuan korpusin e trashëgimisë atdhetare.

Tashmë studiuesit e kësaj trashëgimie, qasjet e tyre të profilizuara, qoftë për shqyrtime shteruese tematike a për motive të veçanta, në këtë fushë kanë çfarë të vjelin, të përzgjedhin relevanten, të plotësojnë, të sintetizojnë dhe të nxjerrin përgjithësime, për përvojën historike të Lëvizjes, të bartësve të saj, kahet e ndërtimit të vlerave shoqërore, shtetërore dhe të demokracisë.

Një korpus i tillë, gjithëpërfshirës për sprovat e shqiptarëve, për dramën e tyre të ekzistencës si komb e si etni, në këto hapësira të Ilirisë, zëvendësuar me emërtimin e improvizuar brenda togfjalëshit “Gadishulli Ballkanik”, lexuesve e studiuesve të rrethanave pas Luftës së Dytë Botërore, u jep shkas t`i shprehin miradije e admirim penës së pashuar të Selatin Novosellës.

Pikënisja e pikarritja e synimeve kombëtare, është vija diellore e lëvizjeve, me ngritje-rëniet, që nga agmia deri te purpuri i muzgut, brenda kopertinave të dëshmive, që sollën dhe do të sjellin vëllime të tëra libra-dëshmish… Kjo histori është e spërkatur me gjak, dhimbje, lot, trishtim e trimëri, varre dhe lapidare… Qëllimi i një shkrimi të tillë është spikatja e sakrificës për të gjitha brezat, bartja e vijueshme e frymës së shenjtë, porosia dhe respekti, si pasqyrë për të sotmen dhe të nesërmen e dukjes sonë.

Nga kjo vijimësi e sakrificave del porosia: asgjë nuk na është falur! Po të mos kishim qëndresën e shpirt-flijimin do të zhbëhej tema shqiptare! Temën shqiptare nuk e rikthente dot legalja e njëzuar me pushtetin… Ndaj, jo të gjitha elitat politike përfaqësuese e kishin të fortë bindjen historike për rikthimin e historisë. Pse? Ngase, luhatjet ishin brenda karaktereve të tyre… Se kush kishte luhatje për konceptimin e forcës së brendshme të kombit, andaj lypej forca e jashtme, pa e sprovuar të brendshmen; akëcili luhatjet i kishte edhe më të theksuara, ngase ishin tërësisht personale. Dhe mungonte bardhësia e joshjes…

Që në hyrje të shtjellës, Adem Demaçi shpaloi qëllimin programatik të Lëvizjes: “sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banueme në shumicë prej shqiptarësh që gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë…” Kësisoj, Ai nxori portretin e tij të njomë, djaloshar të prijësit të ardhshëm, portreti i të cilit do të piqej, por nuk do të digjej, për t`i dhënë kahe e për t`ia shtruar udhën lirisë. Atëbotë ideja e tij ishte e frikshme dhe për shumë kënd utopike?!

Shpalimet e këtilla përshkojnë korpusin e dëshmive, të përmbledhura në vëllime librash, pareshtur nga Selatin Novosella. Por, edhe me këto dëshmi nuk përmbushet përfaqësimi tërësor i portretit të prijatarit, Adem Demaçi.

A do të mund të ruante ai portret shkëlqimin e tij të parë? Të gjitha përsiatjet për shuarjen e atij zjarri shkëlqyes në portretin e këtij prijatari, shpinin tek pashmangshmëria e tretjes tij në errësirën serb-ortodokse… Si të mbijetohej përmasa e kohës, e dhimbjeve të shumanshme, e bjerrjes së rinisë e të shëndetit, të lakmisë së jetës?

Diskursi i Demaçit: “Nëse do trupin, harroje shpirtin! Nëse do shpirtin, harroje trupin!”; zgjodhi përmasën e dritës shpirtërore… Sipas kësaj dialektike shpirti i shenjtëruar dritëson brezat, ndërsa trupi është ushqim për krimbat. Paradoksi i rastësisë shpëtoi qenien fizike të Demaçit!

Selatin Novosella ngulmoi për dëshmi, që në secilën vëllim libri, pos kapjes së ngjarjeve, përballjes së të kundërtave, të vijëzojë shenja e vija për portretin e frymëzimeve të tija.

Parimin e këmbënguljes për të përmbushur detyrimin, e përvetësoi pikërisht prej modelit të prijësit: çdo ditë nga një vijë ose vijëzim për tiparet meditative, njerëzore e burrërore dhe të kurajës vizionare. Falë këtyre vijave e vijëzimeve, kemi portretin besimplotë, atëbotë kur besimin e mbanin fije tejet të holla, të munguara, të zvetënuara, dhe, pothuajse në agoni.

Eco Higjiena

Autori është i vetëdijshëm se portretizimi i një veprimtari, në kapërcejtë e gjashtë dekadave, me tërë ecejaket e barrës organizative, frymëzuese, dhimbjes njerëzore për familjen, brengës atdhetare, ndjeshmërisë djaloshare ngushëlluar në vizionet dialektike, për shpresat e pashuara, të ushqyera në bindjen për ngadhënjimin e asaj, për të cilën ishte përcaktuar të flijohej; nuk mund të rrumbullakoheshin në disa vijëzime qasjesh, qofshin maksimalisht të përqendruara, pa shpaluar një varg e vistër rrethanash, pa dëftuar anë e këndvështrime, anames, ndodhi të pashkruara, të padëshmuara, për të përmbushur historinë e begatë të një personaliteti unikët, siç ishte dhe mbeti, në tërë vijën e harkut jetësor e shoqëror, Adem Demaçi.

Në qoftë se dikush mund të identifikohet si jetëshkrues i veprimtarisë atdhetare të Adem Demaçit, pa mëdyshje ai është Selatin Novosella. Ky emër i përveçëm, pikë referimi për tërë Lëvizjen Kombëtare, nga vitet e gjashtëdhjeta e këtej, e ka pikërisht Demaçin. Në shkrimet e tija, edhe kur duket, edhe kur nuk duket, edhe kur flet, edhe kur heshtë, flet heshtja e Heroit… Edhe kur nuk ka diell sheh hijen e tij, sheh njeriun simbol. Ndoshta adhurimit do t`ia zgjeronte ngjyrat e ndezura, por është vetë Heroi, këndvështrimet e tija tokësore, të cilat zbresin në tokë adhuruesin, ngase një mundësi të tillë për fluturime, nuk ia kishte dhënë evolucioni njeriut… Duke mbledhur dëshmi për Heroin e tij, përkatësisht Heroin tonë, stili i përshkrim-dëshmive fare lehtë mund të ngjyrosej me stilin poetik të adhurimit, me ngjyra të ndezura hiperbolash… Po kur citohej Heroi, çiltërsia dhe drejtë për drejtë mëria e heroit, hiperbolës ia përtrolliste litotën. Pra, asnjë shenjë mburrjeje për të ngritur kultin, citoj: “Policia dhe gjyqi kishin krijuar nga unë një hero të vogël. Fjalët e mia njerëzit i zbukuronin, iu shtonin edhe fjalët e veta…” * Ky diskurs, pos si modesti, shpërfaq tiparin e çiltërisë, një stoli e denjë për plotësinë e portretit të urtarit Adem Demaçi.

Në “Udhëzime për konspiracion”, në kapitullin “Sjellja në burg dhe pas daljes”, në pikën 4 të këtij kapitulli, shkruan: “Kudo që të gjendesh në burg, ti duhet të jesh shembull i pastërtisë, mirësjelljes, anti-koprracisë, drejtësisë, humorit të këndshëm, solidaritetit, etj, në mënyrë që ta fitosh admirimin edhe më të keqit kriminel. Njëherit, armikun ta mahnitësh me drejtësinë dhe pastërtinë shpirtërore”.

Doracaku “Udhëzime për konspiracion”, brenda rregullave të ti, kishte forcën shtytëse tejet të rreptë… Pa identifikimin dhe matjen në peshoren e asaj force, se a mund të përballen paradokset e sprovave shpirtërore, fizike, edhe pas fërgimit nëpër zjarret, që të hedhin, të dalësh i fërguar, po jo i shkrumbuar, të të vijë era njeri i pjekur, por jo kundërmim i qelbur e i shkrumbuar. Një kalibër të tillë e lypnin “Udhëzimet…” e shkruara për anëtarin e devotshëm të Lëvizjes ilegale. Ato rregulla kishin pasur mostrën, ishin formësuar mbi një model të gjallë, që gjithsesi i përshtateshin karakterit të Adem Demaçit.

•Selatin Novosella: “Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve” Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2012, f. 321

Në librin e dytë të trilogjisë “Demaçi 2; Procesi i Prishtinës”, SHBPK- Prishtinë, 2012; përmblidhet procesi i tmerrshëm, tipik për inkuizicionin e mesjetës; të akuzuarve nuk iu mundësua paraqitja e fjalës tyre përfundimtare, por del në pah portreti i përcaktuar i Adem Demaçit për pafajësinë, gjithnjë i pa përkulur e programatik: “Këta djema me të cilët jeni duke më gjykuar, shumicën prej tyre nuk i njoh fare. Edhe me këta që i njoh, kësaj radhe, nuk kam vepruar asgjë kundër sistemit jugosllav. Por, nëse dëshironi ta dini qëndrimin dhe mendimin tim politik për Kosovën, atëherë po ua them: Kosova dhe territoret tjera të banuara me shqiptarë të cilat janë nën administrimin jugosllav, duhet të ribashkohen me Shqipërinë. Deri sa nuk ndodh kjo, nuk do të ketë qetësi dhe stabilitet në Jugosllavi, në Ballkan dhe më gjerë” *

Figura e Adem Demaçit në “farsën” e tmerrshme gjyqësore, i dha trajtë guximit të pashembullt, vetëmohimit e vetëpohimit, jo përmes ligjërimit të zhdrejtë, as aluzioneve të tërthorta, me të cilat sadopak do të zbutej qëllimi i pohimit, ose të mëtonte vetëmashtrimin, të shtirej si viktimë, që ndoshta do të zgjonte ndonjë fije mëshire te gjakatarët inkuizitorë… Assesi. Para aktit të shqiptimit të gjykimit, tensioni dramatik arrin pikën e vlimit, çastet e zbrazjes së katarzave të dy poleve: gjykues dhe të gjykuar…. Zbrazja e katarzës së gjakatarëve okupatorë, të cilët në shpirtrat e tyre kishin urrejtjen ndaj kryengritësve paqësorë shqiptarë, me instrumentet e dhunës shtetërore gjymtonin trupat e njomë, që me tmerrin e torturës të përtrollitej nënshtrimi, të shuheshin nismat e papajtueshmëria e këtij brezi, mos fuqizimi i vetëdijes, e cila do të zgjeronte përmasën e ortekut tyre të pashmangshëm.

Kjo rrethanë u kurdis të jetë tmerruese, frikësuese, nënshtruese, çnjerëzore, prodhoi dhe çaste ligështie, ndoshta të natyrshme?… Megjithatë, përmes figurës së Demaçit e Malajt, kryengritësit nxorën katarzën e zbrazjes së diskursit të fshehur, të strukur thellë në vetëdijen e kombit. Vetëdija e sedrës nënshtruese afishoi impulset e strukur, të rrudhur, të censuruar e vetë-censuruar… Dhe gjeti trajtën e zbrazjes, e përplasjes surrateve të inkuizitorëve të fund-shekullit njëzet, pikërisht në vendin e duhur, në aktin e shqiptimit të errësirës për një komb.

Aktet si ai i përplasjes, pikërisht në bastionin e shovinizmit, në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës , të së drejtës madhore shqiptare, që shtrohej për zgjidhje nga Heroi Adem Demaçi, legjitimoi pozitën e shqiptarëve nga inferioriteti në çështje parësore, të pashmangshme. Kjo rrethanë nuk do të mbetej e papërfillshme për hegjemonistët serbë. Atyre filloi “ t`iu dridhej toka nën këmbë”, siç shprehej dendur Metush Krasniqi.
Diskursi i Adem Demaçit nuk ishte thjeshtë një vetëmbrojtje individuale. Ai diskurs shpaloi përmasën madhore të çlirimit e të bashkimit të shqiptarëve, si një domosdoshmëri, që duhej të merrte shtrirje e të drejtën e qytetarisë, të mos mbetej çështje individësh a grupesh “të frustruara”, por të shtrohej si krye-çështje jetike, madje programatike për të gjitha brezat e shqiptarëve.

•Nga fjala përfundimtare para Gjyqit të Qarkut në Prishtinë, në vitin 1976, cituar sipas Selatin Novosellës

Portreti atdhetar, çlirimtar e meditativ i Adem Demaçit, i regjur dhe i pjekur nga përndjekjet e përhershme është për çdo antologji, përfaqësuese personalitetesh me vlera njerëzore, të cilat nuk ia stërkeqën urrejtja, paragjykimet, mohimet, keqtrajtimet… Ai me përmasën e humanizmit tij, nuk rrëshqiti asnjëherë në revanshizëm.

Figura e Adem Demaçit në shkrimet e publicistikës historike të S.Novosellës, qoftë drejt për së drejti, qoftë tërthorazi lidh fijet e përpjekjeve, edhe aty ku dhuna ka arritur t`i këpuste, edhe atje kur mungonte prania fizike. Shtytja simbolike e frymës dhe shëmbëlltyrës depërtonte për lidhjen e hallkave. Tashmë figura, portreti i Adem Demaçit i kishte kaluar caqet e vetvetes, të individit, ishte shndërruar në simbol sakrifice, frymëzues qëndrese dhe motivues i veprimit. Secili shqiptar e mbante në brendi, dhe e shqiptonte në heshtje portretin e emrin e tij…

Stili i përshkrimeve të Selatin Novosellës nuk është jashtë përshkrimit të dëshmive. Andaj, kjo natyrë e të shprehurit vazhdimisht qëndron afër reales, pa mistifikime të hiperbolës, pa stolinë e së ndodhurës… Adhurimi i heroit në ecejaket e përgjuara nuk mund të shkonte më larg, se sa i lejonte vetë filozofia e përtrollitur tokësore e heroit:“Edhe mua më kishin marrë nga grupi i 64-shit, duke menduar se po të na hiqnin kokën neve, do të paralizohej gjithçka. Thuajse ne, çdo gjë e kishim në duar dhe se fati i popullit varej vetëm nga ne” *

Është e qartë dhe e dukshme, si drita e diellit filozofia e veprimeve të Heroit. Portreti i Adem Demaçit edhe nga brendia e birucave komunikoi me ngjarjet, me personazhet, me ndjeshmërinë dhe zërin e popullit.

Me një fjalë Ai u bë: syri, veshi, balli, fjala, faqja e bardhë e popullit.

Publicistika historike-letrare e Selatin Novosellës: do të jetë pasqyrë e pandarë e këtij portreti madhështor!

* Selatin Novosella, “Demaçi; Procesi i Prishtinës 2”; Prishtinë, 2012 f. 260

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.