Popullizmi kosovar

Nga Blerim Shala – Popullizmi na ka goditur në Kosovë, viteve të fundit, në format e ndryshme, duke ndikuar në një tjetër degradim të politikës kosovare.

Politikanët në demokracitë parlamentare, kudo në Botë, mendojnë, punojnë dhe veprojnë duke dyzuar të njohurat politike, ekonomike dhe sociale, apo, vlerat e matshme dhe të qarta për të gjithë qytetarët e një shteti, me projektet politike, të cilat synojnë arritjen e një gjendje të re, në të ardhmen e afërt, me vlerat të cilat kanë formën e premtimeve, që do të mund të maten vetëm kur ato njëmendësohen.

Një realitet aktual bashkohet pra me një realitet të projektuar, me një vizion politik, ashtuqë të krijohet besimi elementar i qytetarëve të një vendi në një lider, në një parti, në një ofertë politike.

Në këtë kontekst natyrisht, politikanët e matur, racional, pragmatik, synojnë të jenë të besueshëm tek qytetarët/ votuesit, duke qenë sa më afër realitetit të tanishëm, dhe sa më të bindshëm që e dijnë çka duan, çka po premtojnë dhe çka do të bëjnë, nëse ata marrin përkrahjen e duhur prej shumicës së qytetarëve apo të elektoratit në një demokraci.

Megjithatë, të gjithë ne e dimë që edhe në shtetet me një demokraci të krijuar qyshmoti, në Perëndimin evropian dhe amerikan, viteve të fundit, nën mësymjen e Popullizmit, gjërat kanë ndryshuar shumë, për të keq.

Popullizmi i të gjitha ngjyrave, së pari, nuk ka kyçje në realitetin e mirëfilltë, apo ai, në statusin e vet opozitar, e përshkruan njëmendësinë shumë më keq se sa që është, krijon skemën e të huajve/ armiqëve që janë përgjegjës për humbjen e vlerave tradicionale të një shoqërie dhe të një vendi, dhe pastaj, pas nxirrjes së madhe, artificiale, të gjendjes aktuale, ofron një bardhësi/ pastërti të paparë politike me një kërcim të vetëm të madh që mund të ndodhë në ditën e votimit.

Marshi i Popullizmit (siç u kualifikua nga njohësit e zhvillimeve në demokracitë perëndimore), është në ngadalësim e sipër, siç u vërejt edhe nga rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në muajin maj të këtij viti. Por nuk është rendi i dorëzimit të tij, apo, edhe të tejkalimit të tij. Për shembull, droja nga ai, nga Popullizmi pra, në disa nga shtetet kryesore të BE-së, është shkaku kryesor pse në Bashkimin Evropian ende hezitohet t’i ofrohet qytetarëve të Kosovës e drejta që pa viza të udhëtojnë lirshëm në Zonën e Schengenit. Në të vërtetë, nuk ka asnjë arsye tjetër pse kosovarët vazhdojnë të mbeten të izoluarit e fundit të kësaj Evrope.

Popullizmi na ka goditur edhe neve në Kosovë, viteve të fundit, në format e ndryshme, duke ndikuar në një tjetër degradim të politikës kosovare, e cila edhe ashtu ka kohë që njeh një tatëpjetë të vazhdueshme kur bëhet fjalë për cilësinë e saj.

Poqëse skena politike vendore do të detyrohet të gjejë zgjidhje për situatën e tanishme, gjithsesi paralizuese, në (mos)funksionimin e saj, përmes organizimit të zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, duket që si asnjëherë më parë, që prej se tek ne mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike, do të jemi dëshmitarë të një fushate parazgjedhore me ngjyrime të theksuara populliste.

Pika më e lartë, për të mirë, e një fushate për zgjedhjen e pushtetit qendror, gjithsesi është ajo që u shënua në pranverën e vitit 2014-të, në zgjedhjet e qershorit. U bënë, asokohe, përpjekjet më serioze për profilizimin e subjekteve tona, kah qendra e djathtë dhe qendra e majtë, thuaja i gjithë debati mediatik u përqëndrua në temat ekonomike dhe sociale, rritja e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit ishte kryeçështja e fushatës parazgjedhore, së bashku me perspektivën evropiane për gjithë vendin.

Pas këtyre zgjedhjeve, na kujtohet të gjithëve, ju përballëm me një krizë gati gjashtëmujore në ndërmarrjen e krijimit të institucioneve qendrore, ndërsa pak pasiqë u bënë ato, ndodhi vala e madhe e largimit ilegal të kosovarëve prej shtetit të tyre.

Prej atëherë e këndej, nuk arritëm asnjëherë të këndellemi, ndërsa rënia e vazhdueshme e besimit të qytetarëve të Kosovës në politikën e vendit, që gjithnjë e më shumë nisi të veshet me rroba populliste, po na shfaqet me një tendencë të re të largimit nga Kosova, kësaj here në mënyrë të ligjshme, duke siguruar gjithë dokumentacionin e duhur.

Për më shumë, këta qytetarë po ia mësynë Perëndimin me dëshirën e tyre që atje të jetojnë tash e tutje.

Ky me siguri është lajmi më i keq i mundshëm për të gjithë ne në Kosovë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).