RCCOLA

Populli zhytet në mjerim, Qeveria trash luksin

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Në nëntëmujorin e këtij viti janë rritur shpenzimet për paga të qeveritarëve për 29 milionë euro dhe këto shifra na tregojnë se shumica e buxhetit të Kosovës nuk po shkon për investime kapitale, por po shkon për luks të qeveritarëve.

“Vendi po përballet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, me papunësi të madhe, ndërsa pushtetarët bëjnë luks me paratë e taksapaguesve kosovarë, duke lënë anash projekte kapitale dhe nuk i japin llogari askujt. Kryeministri Haradinaj, kur nuk mund të përballet me argumente, ai nuk ngurron dhe tregon muskujt, duke reflektuar gatishmëri për konfrontim fizik”, vlerësoi analisti Dardan Grapci për “Kosova Sot.

Në nëntëmujorin e këtij viti janë rritur shpenzimet për paga të qeveritarëve për 29 milionë euro dhe këto shifra na tregojnë se shumica e buxhetit të Kosovës nuk po shkon për investime kapitale, por po shkon për luks të qeveritarëve.

Në raportin nëntëmujor të buxhetit të Ministrisë së Financave, shpenzimet për paga dhe mëditje shënuan vlerën prej 439 milionë euro gjatë këtij nëntëmujori, shpenzimet për mallra dhe shërbime, duke përfshirë edhe shpenzimet komunale, kanë shënuar një rritje prej 158 milionë euro, kurse shpenzimet në subvencione dhe transfere u rritën për 52 milionë euro më shumë. Bazuar në këto shifra zyrtare të MF-së, mësohet se shumica e buxhetit po shkon për paga e lukse qeveritare, por jo edhe për investime kapitale. Sipas deputetëve të opozitës, në vend se të reduktoheshin shpenzimet, për fatin e keq të qytetarëve tanë, ato janë rritur. Së këndejmi, analistët e ekonomisë dhe deputetë të opozitës të kësaj fushe me të drejtë pyesin se përse Qeveria “Haradinaj” nuk ndërtoi një strategji se si ta zhvillojë ekonominë, si ta lirojë tregun nga monopolet kriminale, të cilave jo vetëm që po ua vazhdon jetën,por edhe po i zgjeron edhe më shumë si dhe po punon vetëm për interesa të luksit qeveritar dhe për shpenzimin e tërë parave të tatimpaguesve për qejfe të veta.

Qeverisë i intereson anarkia ekonomike

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën”Kosova Sot”, theksoi se vërtet është për keqardhje, që buxheti i vendit po shpenzohet në mënyrë aq të pakontrolluar dhe janë bërë shumë dorëlirë për t’iu rritur të ardhurat personave në Qeveri, prandaj aq sa inkasojnë po aq edhe vetë shpenzojnë. “Veç saj, me këto shpenzime aq të mëdha po rrezikohet stabiliteti financiar i vendit, ngase problemet financiare na tregojnë se kjo Qeveri vazhdon të jetë e brishtë dhe një situatë të tillë me aq shumë shpenzime do të zgjasë përderisa në pushtet të jetë ky koalicion i pushtetit”, potencoi ai. Sipas tij, kjo edhe është arsyeja se përse Qeveria “Haradinaj” nuk ndërtoi një strategji se si ta zhvillojë ekonominë, si ta lirojë tregun nga monopolet kriminale, të cilave jo vetëm që po ua vazhdon jetën,por edhe po i zgjeron edhe më shumë, si dhe po punon vetëm për interesa të luksit qeveritar dhe për shpenzimin e tërë parave të tatimpaguesve për qejfe të veta. Kurse, deputeti tjetër i opozitës Ali Lajçi(LVV), për gazetën “Kosova Sot”, theksoi se për dallim nga qeveritë e tjera të pasluftës,Qeveria dhe kryeministri Haradinaj do të mbahen mend për shpenzime vetëm për komoditet, paga dhe mëditje të tyre e pak investime kapitale. “Një Qeveri që vetëm di të shpenzojë për vete e jo për projekte flet se është trashëgimi e qeverive të kaluara. Në raportin nëntëmujor të buxhetit të Ministrisë së Financave, shpenzimet për paga dhe mëditje shënuan vlerën prej 439 milionë euro gjatë këtij nëntëmujori, shpenzimet për mallra dhe shërbime, duke përfshirë edhe shpenzimet komunale, kanë shënuar një rritje prej 158 milionë euro, kurse shpenzimet në subvencione dhe transfere u rritën për 52 milionë euro më shumë. Prandaj, bazuar në këto shifra zyrtare të MFsë , mësohet se shumica e buxhetit po shkon për paga e lukse qeveritare, por jo edhe për investime kapitale”, shpjegon Lajçi.

Abuzim me paga, udhëtime, mëditje

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën”Kosova Sot”, thotë se kryeministri Haradinaj duhet që të ketë kujdes se si po shpenzohet paraja publike dhe buxheti i vendit. “Këshilla ime është se paratë e buxhetit në asnjë mënyrë nuk duhet shpenzuar sipas qejfit dhe për lukse, dhe sa më pak për paga e mëditje, dhe jo vetëm kaq. Por, jam i mendimit se një pjesë shumë të madhe të buxhetit Qeveria duhet që t’i shpenzojë për projekte kapitale me peshë për qytetarët dhe ekonominë kosovare, në mënyrë që të hapin vende të reja pune dhe mos të na ikin rinia që i ka sytë drejt migrimit. Qeveria duhet të përkrahë tej mase sektorin e prodhimit, ngase pa prodhim nuk ka zhvillim ekonomik”, theksoi ai.

Ndërsa analisti i ekonomisë Zekim Istogu, për gazetën “Kosova Sot”, theksoi se nuk është çudi që shpenzimet janë në një nivel kaq të lartë në krahasim me të hyrat, sepse fajtorë janë vendimet arbitrare të kryeministrit që po e rrezikojnë stabilitetin financiar të Kosovës. “Që nga nisma e punë së kësaj Qeverie është parë hapur se shpenzimet do të rriten tej mase për financimin e mega- ekipit qeveritar. Gjithë këta zëvendësministra kanë edhe ekipin e tyre të përbërë kryesisht nga militantë partiakë, pa ndonjë eksperiencë në gjenerimin e projekteve për të mirën e rritjes ekonomike të vendit”, vijoi më tutje ai. Analisti Istogu thekson se fokusi i tyre është në udhëtime jashtë vendit. “Qeveria ‘Haradinaj’ ka rritur jashtë mase shpenzimet në udhëtime zyrtare, paga e mëditje. Një shpenzim enorm, i panevojshëm i krijuar artificialisht për të krijuar mundësi udhëtimi jashtë vendi me para të buxhetit të shtetit, e në fund të ditës të shpërblehen me mëditje”, theksoi ai. “Krejt çka është dashur të bëjnë këta njerëz është të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, e rrjedhimisht të krijojnë më shumë të hyra në buxhetin e shtetit. Shpenzimet kryesisht janë rritur për financime të funksionimit të Qeverisë e kjo bie në kurriz të projekteve kapitale”, potencoi Istogu. Sipas tij, si rezultat shumë projekte mbesin pa u përfunduar, e disa shtyhen për një tjetër periudhe buxhetore.

UBT

Buxheti po keqpërdoret skajshëm

Analisti Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se buxheti i Kosovës është duke u keqpërdorur nga politikanët tanë dhe Qeveria “Haradinaj”, të cilët janë duke udhëtuar thuajse çdo javë ose muaj për në shtetet evropiane, por edhe në SHBA. “Madje, edhe institucionet financiare ndërkombëtare, vazhdimisht ia kanë tërhequr vërejtjen Qeverisë për keqmenaxhimin e parasë publike dhe për mungesë të projekteve afatgjata. Ngase, një pjesë e madhe e buxhetit po shkon në paga dhe mëditje të qeveritarëve, e cila në masë të madhe e dëmton qëllimin kryesor të buxhetit”, u shpreh ai. “Dikush duhet të japë llogari se ku janë harxhuar apo investuar këto para, qytetarët e Kosovës duhet që ta dinë të vërteten se ku po shkojnë ato para që i japin për tatim, tvsh etj., sepse si duket paratë e qytetarëve po keqpërdoren. Apeloj te pushtetarët e ndërgjegjshëm të marrin masa dhe t’i dënojnë zyrtarët për këto harxhime marramendëse që i bënë brenda kësaj periudhe”, theksoi më tutje Grapci. Ai tha se vendi përballet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, me papunësi të madhe, ndërsa pushtetarët bëjnë luks me paratë e taksapaguesve kosovarë duke lënë anash projekte kapitale dhe nuk i japin llogari askujt. Sipas Grapcit, e tëra kjo po ndodh në mungesë të respektimit të ligjit, sepse ata janë vetë ligji dhe qëndrojnë mbi ligjin. “Kryeministri Haradinaj, kur nuk mund të përballet me argumente, ai nuk ngurron dhe tregon muskujt duke reflektuar gatishmëri për konfrontim fizik”, vlerëson më tej analisti Dardan Grapci.

ARMATA QEVERITARE

“Kemi aq shumë zëvendëskryeministra, që nuk kanë koordinim në mes vete, kurse nga 22 ministra vetëm 5 prej tyre i dinë detyrat e veta, me numër rekord të zëvendësministrave që ende vazhdojnë emërimet pa kurrfarë performance. Prandaj, çdo ditë e kësaj Qeverie do ta ngarkojë arkën buxhetore, kështu që kjo Qeveri të vetmen punë të mirë për qytetarë do ta bënte sikur të dorëhiqej nga pushteti dhe t’u hapte rrugën zgjedhjeve të reja nacionale”, u shpreh Ali Lajçi për “Kosova Sot”.

PASOJAT AFATGJATA

“Si pasojë e mosrealizimit me kohë të pagesave, shumica e projekteve kapitale janë jashtë planit dinamik të realizimit. Edhe subvencionet e dedikuar për rritjen ekonomike në sektorë të ndryshëm, vonohen pagesat e në këtë mënyrë po goditet edhe sektori i prodhimit. Prandaj, me këtë ritëm të shpenzimeve, Kosova po shkon drejt një disbalancit të madh financiar, e që pasojat janë tejet të rrezikshme e afatgjata”, tha Zekim Istogu për “Kosova Sot”.

“Shpenzimet na tregojnë se edhe kjo Qeveri nuk është e interesuar që të krijojnë një buxhet të fortë dhe stabil, por vetëm që ta shfrytëzojnë sa më shumë buxhetin sa janë në pushtet. Kjo edhe po ndikon që në vendin tonë të kemi një gjendje të paqëndrueshme ekonomike financiare për Kosovën”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)