Politikanët e pamoralshëm e morën në qafë Kosovën

Partitë kanë një synim të përbashkët-zhvatjen e shtetit dhe popullit.

“Gjendja e rëndë socioekonomike, që është krijuar në Kosovë, është pikërisht pasojë e mungesë së moralit të udhëheqjes së shtetit. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i shkaktuar nga klasa politike udhëheqëse nuk njeh përgjegjësinë morale – dorëheqjen si kërkimfalje, e lërë më përgjegjësinë ligjore”, thotë analisti Ymret Reshiti për “Kosova Sot”

Që nga pas lufta deri më sot, në skenën politike kosovare nuk ekziston dorëheqja si një akt moral, por ekziston vetëm inkriminimi sa më i thellë në krim të organizuar nga ku përfitohen lehtë dhjetëra e qindra miliona euro. Analistët pyesin se si dhe përse u inkriminuan aq thellë të gjitha partitë pa asnjë dallim në krimin e organizuar. Sipas tyre, në Kosovë hapur mafia politike dhe mafio-oligarkët e biznesit po zhvatin buxhetin e po i vjedhin qytetarët, të cilët i kanë lënë në izolim të thellë, varfëri masive e papunësi rekord. Sipas njohësve të kësaj fushe, ky është mentaliteti skandaloz i qeveritarëve të Kosovës, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror, dhe kjo është praktika e tradita më negative e zhvatjes, e shtetrrënimit në Republikën tonë.

Analisti Ymret Reshiti, për gazetën “Kosova Sot”, tha se papërgjegjësia e skajshme dhe skandalet janë bërë modë për zyrtarët e shtetit të Kosovës. “Kjo është një gjë e tmerrshme për një shoqëri që mëton progres në demokraci dhe sundim të ligjit. Nuk ka ditë që në nuk dëgjon për një skandal të shkaktuar nga zyrtarët e lartë të shtetit”, u shpreh ai.

Pasurimi i shpejtë në politikë
Sipas Reshitit, mungesa e moralit në politikë e karakterizon sot për sot klasën tonë politike, sidomos ata që janë në pushtet. “Pasurimi i shpejtë, përmes keqpërdorimit të pushtetit, po josh shumë të rinj, të cilët dëshirojnë të eksplorojnë fushën e politikës. Dhe, rregulli i parë që u mësohet politikanëve të rinj nga këta të vjetrit është se ‘nuk ka moral në politikë'”, theksoi ai. “Gjendja e rëndë socio- ekonomike, që është krijuar në Kosovë, është pikërisht pasojë e mungesë së moralit të udhëheqjes së shtetit. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i shkaktuar nga klasa politike udhëheqëse nuk njeh përgjegjësinë morale -dorëheqjen si kërkim- falje, e lërë më përgjegjësinë ligjore”, vijoi më tej analisti Reshiti. Sipas tij, asnjë zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës deri më tash nuk është dënuar për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të cilat në opinion shpërfaqen mjaft prova e fakte materiale, deri tek ato videoincizime. “Por, këto nuk mjaftojnë për sistemin e kapur të drejtësisë nga mafia e politikës, e cila i ka rekrutuar aty për t’i shërbyer. Zyrtarët nga sistemi i kapur i drejtësisë për t’iu shërbyer mafisë së politikës shkelin edhe etiken e profesionale të punës dhe shesin pavarësinë e tyre. Mungesa e moralit e zyrtarëve të shtetit të Kosovës është mjaft e theksuar, përjashtuar ca individë. Kjo arsyeton pse në Kosovë nuk ndodh dorëheqja si institucion, si aktit moral dhe kërkim- falja atëherë kur zyrtari e ndien vetën se ka gabuar”, ka thënë ai.

NËPËRKËMBJA E INTERESIT PUBLIK
“Edhe disa raste të dorëheqjes, për shembull ajo e ish- prokurorit Blakaj, ish- ministres Reshitaj dhe ish- ministrit Hasani janë dorëheqje të imponuara dhe jo rezultat i vlerësimit subjektiv të tyre karshi detyrës zyrtare dhe qytetarëve. Blakaj ka qenë i kërcënuar nga zyrtarët e lartë të shtetit, ndërsa dy ish- ministrave më parë u është komunikuar vendimi për shkarkimin e tyre dhe vetëm pastaj ata kanë dhënë dorëheqje . Është çështje e nivelit të edukimit dhe kulturës së atyre zyrtarëve dhe politikanëve të shtetit të Kosovës, të cilët mbi moralin, drejtësinë dhe qytetarët, e kanë interesin e tyre privat dhe personal të përfitimeve”, tha Ymret Reshiti për “Kosova Sot”.

Inkriminimi i thellë
Analisti Ali Hertica, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se pavarësisht faktit se në politikën kosovare për 20 vjet pas luftës kanë ndodhur shumë pakënaqësi e parregullsi, nga më të ndryshmet, nga askush nuk është ofruar dorëheqja si vlerë e lartë morale e njerëzore e njeriut, sepse të gjitha postet shtetërore i mbajnë ata që janë koka e inkriminimit dhe krimit të organizuar ekonomik ku përfitojnë miliona me para dhe thuajse 70 për qind kanë dosje në gjykata, por vazhdimisht ekziston vetëm inkriminimi i thellë në krim të organizuar. “Ky inkriminim i pandalshëm jo vetëm që u shtua te individët, por u rrit me ndihmën i disa subjekteve politike, pa dallim pozitë e opozitë, apo nivel qendror a lokal. Kurse në EU dhe disa vende demokratike dhe ligjore ka reagim të fuqishëm publik, i cili hetonte rastet e mashtrimi të biznesmenëve, e detyruan kryeministrin e atij vendi dhe ai moralisht ndien nevojën që të japë dorëheqje,ndërsa tek ne ai i cili bën shantazh apo krim ekonomik vetëm sa stimulohet, sepse kasta politike është e tillë”, u shpreh ai. “Për pushtetarët tanë, asnjëherë nuk ekziston dorëheqja. Edhe pse në Kosovë hapur ekziston mafia politike, zhvatet buxheti duke vjedhur qytetarët, varfëria e lartë dhe papunësia rekorde, më kot, asnjëri nuk e ndien fajësinë as morale, as njerëzore dhe as juridike, që të japin dorëheqje”, ka vlerësuar Hertica.

MAFIA BËN LIGJIN
“Te ne pushtetin dhe shtetin e kontrollon mafia e oligarkëve dhe klaneve politike, ku krimin e organizuar e konsideron si biznes ilegal, në të cilin duhet të përfshihen politikanët, sepse është një lloj egoje në gjenet e tyre për ta zhvatur e për ta rrëmbyer sa më shumë pasurinë si dhe shembjen e shtetndërtimit të Republikës”, u shpreh Ali Hertica për “Kosova Sot”.

Qytetarët akuzojnë pushtetarët
Qytetarët tanë nuk po presin që politikanët të japin dorëheqje nga postet e tyre, ngase ata nuk frikësohen para ligjit. Qytetari Afrim Gashi nga Prishtina, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se në Kosovën e pasluftës nuk kemi asnjë rast të dorëheqjes, ngase po të japin dorëheqje pushtetarët tanë e konsiderojnë veten të rrezikuar nga përgjegjësia para ligjit dhe organeve të drejtësisë dhe ata janë të vetëdijshëm se shumica e tyre janë të korruptuar dhe mund të ballafaqohen me ligjin. “E keqja tjetër e madhe është se një pjesë e madhe e partive politike bashkëpunojnë me krimin në heshtje. Në Perëndim, nëse vetëm 10 për qind e qytetarëve e vlerësojnë se një pushtetar nuk është në nivel të detyrës, ai pushtetar si një akt moral politik jep dorëheqje. Dhe, veç saj, pushtetarët në Perëndim nuk ecin nëpër qytet me nga 10 truproja, sikurse që e bëjnë pushtetarët tanë, ngase ata frikohen nga hajnitë që i kanë bërë, qoftë ndaj bizneseve apo edhe ndaj qytetarit”, potencoi Gashi. Edhe qytetari Dorart Podrimqaku, për gazetën “Kosova Sot”, vlerësoi se nuk kemi një akt të tillë moral të dorëheqjeve nga pushtetarët tanë, sepse ata pas largimit nga pushteti i frikësohen ligjit dhe përgjegjësisë penale. Ndërsa, qytetari Adnan Janova, për “Kosova Sot’, tha se në radhë të parë në Kosovën e pasluftës nuk është krijuar një traditë e dhënies së dorëheqjes.”Veç saj, pushtetarët tanë frikohen që të japin dorëheqje, ngase ata e kanë frikën se me të zbritur nga karrigia ata mund të ballafaqohen me drejtësinë”, ka thënë ai. Sipas Janovës, në Kosovë e keqja më e madhe është se të gjitha partitë politike, kur është në pyetje zhvatja e buxhetit, krimi dhe korrupsioni, aty bashkëpunojnë në mes vete dhe janë njësoj që të gjitha.

(Kosova Sot)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).