Eko Higjiena

Politikanë ngucakeqë

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Milaim Shefkiu – Protesta e 17 shkurtit, e organizuar nga opozita, për herë të parë në periudhën e fundit manifestoi një kulturë demokratike dhe një frymë tolerante nga tri partitë opozitare. Edhe pse ishte menduar keq, që të protestohet në ditë feste, megjithatë epilogu ishte i mirë se protesta përfundoi pa asnjë incident.

Mirëpo, mesazhi që doli nga disa politikanë në protestë, e sidomos pas saj, nga zëvendëskryeministri dhe i nominuari i mazhorancës për president, Hashim Thaçi, tregoi se sa e kontaminuar është kjo shoqëri me urrejtje dhe deri ku shkon hasmëria ndërmjet shqiptarëve.

Protesta e së mërkurës lë hapësirë të madhe për shqetësim dhe sidomos gjuha e përdorur nga dy palët dëshmon se deri në ç’masë janë të gatshëm për të shkuar këta liderë politikë vetëm për realizmin e qëllimeve subjektive e klanore.

I pari që derdhi vrer mbi popullin ishte sekretari organizativ i “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj, duke i quajtur “me Zajednicën” të gjithë qytetarët që kanë festuar Ditën e Pavarësisë. Sipas logjikës së tij, të gjithë ata shqiptarë që festojnë 17 shkurtin janë tradhtarë, ndërsa vetëm një grusht protestuesish që mbajnë flamuj kombëtarë qenkan patriotë. Noshalancë.

Ky mesazh nuk e çon askund as “Vetëvendosjen” e as opozitën.

Deklarata e Dardan Molliqajt para turmës të kujton ish-revolucionarët social-realistë dhe sintagmën e tyre: nëse nuk je me mua, je armiku im. Ky mendim është sharlatanizëm dhe infantilitet nga i cili duhet të distancohen të gjithë opozitarët, duke përfshirë edhe “Vetëvendosjen”.

Pas tij erdhi deklarata antologjike e Hashim Thaçit, duke iu kërkuar mejdan liderëve opozitarë e madje gjithë opozitës. Në vend se të përshëndetet protesta që ishte demokratike dhe përfundoi e qetë, Hashim Thaçi dhe ortaku i tij në koalicion, Isa Mustafa, dhanë deklarata konfliktuoze e vëllavrasëse. Përveç frazeologjive cinike, që jemi mësuar t’i dëgjojmë kohëve të fundit nga dy liderët, veçanërisht nga Thaçi, të mërkurën fjalori politik rrëshqiti me arrogancë.

ARKATANA

Kjo u bë irrituese për secilin qytetar që ia do të mirën këtij vendi sidomos kur tha se “ju prita, por s’erdhët”. Madje edhe më keq, Thaçi i quajti protestuesit si të pazemër që nuk guxuan ta sulmojnë Qeverinë. “U larguan si qyqarë me bisht nën shalë”.

Kjo deklaratë nuk analizohet ndryshe përveçse zhgënjyese dhe tendencioze.

Nëse është kështu dhe nuk kanë reaguar në afekt, atëherë Qeverisë i ka konvenuar një protestë e dhunshme dhe me koktej molotovi, djegie objektesh, makinash e policësh. Nëse janë ndier të zhgënjyer që nuk pati dhunë, atëherë kjo është dyfish shqetësuese, aq më pak për një politikan me bagazh 20-vjeçar që pritet brenda pak ditësh të zgjidhet president i Kosovës.

E sipas Kushtetutës, presidenti duhet ta luajë rolin e unitetit në shtet e jo të krijojë ndarje pikë e pesë. Kjo deklaratë që u dha në konferencën e së mërkurës nuk e çon ujin drejt unitetit, por drejt ndarjes radikale.

Madje, qeveritarët duhet të jenë të kujdesshëm në deklaratat që i japin sidomos kur përplasen me opozitën. Është e natyrshme që opozita të kërkojë zgjedhje për çdo vjet, sepse vetë formimi i partive politike konceptohet si grup interesash. E këto interesa janë për marrjen e pushtetit. Por, që kjo të mos ndodhë brenda periudhës ligjore (katërvjeçare) duhet të punohet në terren e jo të flitet me retorikë.

Po ashtu protesta e së mërkurës i çon sinjal edhe faktorit ndërkombëtar. Ata që kanë ndikim te liderët kosovarë nuk duhet ta luajnë lojën e Ponc Pilatit, por t’ua ngrehin veshin secilit që nxit konflikt.

Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat në “Twitter” apo në “Facebook” që të përshëndetet protesta paqësore, por të kundërshtohen edhe deklaratat konfliktuoze e ngucakeqe.