Politika nuk është vendpune

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Leonard Kerquki – Në politikë njeriu hyn për t’i shërbyer publikut apo thjesht për shkak të pasioneve që mund t’i ketë për këtë fushë. Por, politika kurrsesi nuk mund të shndërrohet në profesion apo në një mundësi punësimi.

Një prej arsyeve që u përmenden nga mediat me rastin e dorëheqjes së Bedri Hamzës nga pozita e Ministrit të Financave lidhen me dëshirën e tij për të shkuar në një vendpune më stabil, në një vend ku mund të marrë rrogë edhe pesë vjet, e jo të rrijë me frikë se kur do ta nxjerrin nga Ministria, sot a nesër.

Personalisht kam pasur dhe kam një mendim pozitiv për z. Hamza, për punën e tij si Ministër i Financave, e mbi të gjitha për faktin se për këto vite ai asnjëherë nuk është përmendur si zyrtar i korruptuar apo i përfshirë në ndonjë aferë korrupsioni. Në vendin tonë, fatkeqësisht “i miri” dhe “i keqe” duhet ndarë në “të pakorruptuar” dhe “të korruptuar”.

Në këtë sens, z. Hamza është “i miri”.

Natyrisht, ky nuk është kriter për shtetet skandinave.

Është kriter veç yni.

Por këto cilësi pozitive duket se nuk e bëjnë z. Hamza një politikan ndryshe nga të tjerët, e të tjerët, në masë të madhe, politikën e shohin si vendpune, një punë me rrogë të mirë dhe shumë përfitime.

Ky është një problem i madh.

Politika nuk do të duhej të perceptohej si një vendpune. Jo për të shitur moral, por politika në radhë të parë është hapësirë për të shërbyer. Ky nuk është “sport” për një masë të gjerë njerëzish. Aty do të duhej të ishin njerëzit që kanë pasion për t’i shërbyer publikut, për t’u marrë me punë publike apo pse jo edhe për t’i plotësuar ambiciet dhe dëshirat që mund t’i kenë për këtë zanat, që dorën në zemër, është zanat jashtëzakonisht interesant.

Pra, në politikë hyn njeriu që i ka kryer disa punë ekzistenciale, ka krijuar të ardhura për një jetesë të qetë dhe që konsideron se tash është momenti për ta plotësuar një synim apo dëshirë jetësore. Njerëz që kanë një biznes që nuk lidhet me tenderë qeveritarë, avokatë, ekonomistë, mjekë, profesorë universitarë, agronomë… Thjesht njerëz që kanë një profesion tjetër.

UBT

Politika kosovare, e dominuar nga njerëz që politikën e kanë vendpune, e ka sjellë këtë vend buzë greminës. Sot ke njerëz që vendin e parë të punës e kanë pozitën e Ministrit dhe që u është krijuar ideja që po me këtë post do ta mbyllin edhe karrierën. Të tjerë që, në mungesë të një profesioni, aty kanë hyrë për faktin se nuk kanë gjetur punë tjetër.

Absurde.

Çfarë mund të thuhet për zyrtarët partiakë që sillen nëpër degë dhe presin kur do t’i thërrasin për një pozitë politike, për një vend pune, për një rrogë. I kemi parë se çfarë bëjnë të njëjtit kur partia e tyre humb zgjedhjet. Natyrisht kalojnë në parti tjetër, i kthehen të parës kur e shohin se ajo ka gjasa t’i fitojë zgjedhjet apo kah fundi i mandatit si deputetë sërish gjuhen në përqafim të ndonjë lideri të tretë.

E gërditshme.

Jam thellësisht i bindur se kjo është edhe një arsye se pse korrupsioni është ulur këmbëkryq në secilën sferë të jetës sonë. Të vetëdijshëm në përkohshmërinë e të qenit në një pozitë të caktuar politike, zyrtarët kosovarë vjedhin aq sa mundin, asgjë nuk ia lënë rastit. Bëjnë gjithçka për të mos e përjetuar edhe njëherë ndjenjën e të mos pasurit një punë si pasojë e të qenit pa një profesion tjetër.

Kjo situatë duhet të ndryshojë.

Ata që sot e shohin politikën si vendpune, shembullin se gjenden në rrugë të gabuar mund ta gjejnë te kolegët e tyre që dikur mbanin pozita ministrash e që sot mezi arrijnë t’i përmbushin obligimet minimale jetësore.

Gjatë viteve të 90-ta, duke qenë politika mekanizëm i vetëm për arritjen e synimeve kombëtare, natyrshëm pjesë e politikës janë bërë masa të gjëra njerëzit e që me kalimin e kohës politika u është bërë profesion.

Sot është krejt tjetër situatë.

Synimi dhe misioni për të ndërtuar një shtet ku sundon ligji dhe të zhvilluar ekonomikisht, nuk mund të bëhet nga njerëz që profesion e kanë politikën. Këto misione arrihen me njerëz të dëshmuar në sfera të caktuar dhe që hyjnë në politikë për të shërbyer dhe pas një apo dy mandatesh u kthehen punëve të veta.