Përplasja me realitetin dhe zgjedhjet e reja

Nga Blerim Shala – Në këtë skenën politike kosovare e cila e ka shumë të vështirë të shquhet me një pajtim për cilëndo temë të rëndësishme, dhe e cila vazhdon të mos hetojë që rreth saj (në Evropë dhe në Botë) po ndodhin ndryshime të natyrës tektonike (si thuhet), kohëve të fundit, në mënyrë të heshtur është mbërritur tek një qëndrim që bashkon të gjitha subjektet politike në vend: Zgjedhjet e reja, të parakohshme parlamentare, janë të pashmangshme.
Çështja është vetëm se a do të mbahet ato shumë shpejt, për dy muaj (në qershor), apo në prillin e vitit të ardhshëm (2026).Para se të gjithash, ky përfundim përbashkues, është reflektim i përplasjes së qëndrimeve të partive politike me realitetin.
Realiteti këtu është rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, kur ‘sovrani foli’.Parlamentarizmi kosovar, i ndërtuar siç e dimë të gjithë ne me leva dhe mekanizma të ndryshëm për të qenë gjithëpërfshirës në aspektin politik por edhe në atë të përfaqësimit të komuniteteve, në vetvete imponon bashkëpunimin ndërpartiak për të krijuar pushtet të qëndrueshëm.
Mungesa e këtij bashkëpunimi, apo, edhe brishtësia e tij, në harkun kohor 2008-2021 (për trembëdhjetë vjet pra), bëri që asnjëherë të vetmen, në këtë periudhë, të mos kemi një Qeveri që përmbyllë mandatin e plotë katërvjeçarë. Kemi pasur në këtë kornizë kohore pesë palë zgjedhje dhe pesë qeveri. Për më shumë, janë rrëzuar, nga Gjykata Kushtetuese, dy presidentë.
Si një shtet i ri, mund të thuhet që goxha mirë e kemi përballuar këtë deficit të stabilitetit politik.E dimë pra që mandati i Qeverisë së fundit të Kosovës (të prirë nga Kryeministri Albin Kurti) ka qenë i plotë, katërvjeçarë, gjë që ka ndodhur për herë të parë në historinë e demokracisë në shtetin e Kosovës.
Ky ka qenë kryekëput rezultat i fitores së madhe të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021.Shkurt dhe shqip, në vitin 2021, ‘Vetëvendosje’ nuk pati nevojë për koalicione dhe partneritete pas-zgjedhore, prandaj Qeveria u krijua shpejt dhe madje, u bë e mundur që edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të votohet pa probleme të mëdha në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës.
Por, duket që ky rast (i pranverës së vitit 2021), do të jetë precedent në këtë historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë.
Politika kosovare pra, do të përballet prej tani, e deri në marsin e vitit të ardhshëm, me dy sfida të cilat bartin në vete potencialin real që zgjedhjet e reja parlamentare të shihen si shtegdalje nga mungesa e potencialit vendimmarrës të Kuvendit të Kosovës, si pasojë e deficitit evident për bashkëpunim ndërpartiak.
Sfida e parë është fare aktuale. Ajo ka të bëjë me ndërmarrjen për krijimin e institucioneve të reja qendrore të vendit, të Kuvendit dhe të Qeverisë, në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit.
Nuk ka formulë të pranuar pas-zgjedhore, realisht, (këtë po e shohim të gjithë përditë e më shumë), që mundëson krijimin e një Qeverie stabile, të një shumice imponuese, e cila (shumicë), për më shumë, do të paralajmëronte një proces të sigurt në zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, më së voni në fillim të marsit të vitit të ardhshëm (për këtë duhet pasur një shumicë prej 80 deputetëve në Kuvendin e Kosovës).
Të gjitha subjektet politike parlamentare, nuk kanë si të mos i shohin këto dy procese të ndërlidhura dhe të ndërvarura.
Dështimet në te dy raste, pra, në krijimin e shumicës parlamentare në favor të Qeverisë së re (prej së paku 61 deputetëve), dhe në sigurimin e shumicës fillestare për ta nisur zgjedhjen e Presidentit të Kosovës (prej së paku 80 deputetëve, apo dy të tretave të përbërjes së Kuvendit), automatikisht dërgojnë vendin në zgjedhje të reja dhe çojnë qytetarët në qendrat e votimit.
Ky është një vlerësim dhe një kalkulim i qëndrueshëm. Nuk e luan topi, si thuhet.
Por në anën tjetër, realiteti i rezultatit të zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti, vështirë që mund të pësojë ndryshime dramatike në një periudhë të shkurtër kohore që do të matet me dy muaj apo me dhjetë muaj (më së largu), nëse do të imponohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
Edhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. /Klan Kosova/