Politika kriminale e zhyt vendin në depresion

Analistët thonë se qytetarët tanë tashmë janë bindur se të gjitha partitë politike po financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës dhe se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, si ne nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.
Të gjitha partitë e kanë zhgënjyer qytetarin
“Qytetarët me të drejtë e kanë një lloj depresioni dhe unë pres, pas liberalizimit të vizave, një tentativë të madhe për ta lëshuar Kosovën, sidomos një masë e madhe e qytetarëve në moshë të re”, potencoi Jeton Kelmendi për “Kosova Sot” P ikërisht për shkak se nuk po shohin ardhmëri me ketë klasë politike të inkriminuar dhe mafio-oligarkinë dhe nëntokën që po sundojnë në Kosovë, qytetarët tanë kanë rënë në depresion të thellë.
Analistët thonë se qytetarët tanë tashmë janë bindur se të gjitha partitë politike po financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës dhe se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, si ne nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.
Analistët vlerësojnë se Kosova është realisht në duart e mafisë dhe tërë klasa politike është vënë në shërbim të mafisë, ndërkaq qytetarët po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë për të ikur sa më larg Kosovës. Eksperti Jeton Kelmendi, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se qytetarët e Kosovës e shohin një padrejtësi që po ju bëhet nga krerët e shtetit. “Këtu në Kosovë gjithçka është politizuar dhe politika në Kosovë është në duart e bandave kriminale. Ngase, këtu më nuk bëhet fjalë për mafiozitet e oligarkë, por thjesht bëhet fjalë për banda, të cilat janë në krye të pushtetit”, vlerësoi Jeton Kelmendi.
Skena politikë e përçarë
Sipas Kelmendit, kryeministri Haradinaj në mënyrë arbitrare e rrit pagën e tij dhe të sejmenëve të vet dhe i njëjti e krijon një klimë të padurueshme, duke punësuar militantë dhe diletantë nga fshatrat e thella të Kosovës duke i sjellë nëpër zyrat e larta të institucioneve të shtetit, pavarësisht se ata janë njerëz të pashkollë dhe pa dije dhe pa përvoja në punë. “Kemi edhe kreun Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, që është kapur jo rrallëherë në punësimet diletanteske dhe tanimë është shumë e njohur se ai më së shumti i ka kontribuar theqafjes së Kosovës. Diçka pak optimizëm qytetarët po e shohin tek Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e Albin Kurtit, e cila, për fat të keq, u nda, ngase argatët e dërguar nga SHIK-u , në Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ e çan edhe këtë parti”, vlerësoi ai. Sipas tij, LDK-ja është e kapur nga Hashim Thaçi dhe segmentet parapolitikë që natyrisht janë antishqiptare deri në pikë të fundit dhe që nuk janë të gatshëm që ta çlirojnë Kosovën nga bandat kriminale. “Qytetarët me të drejtë e kanë një lloj depresioni dhe unë pres, pas liberalizimit të vizave, një tentativë të madhe për ta lëshuar Kosovën, sidomos një masë e madhe e qytetarëve në moshë të re”, potencoi Kelmendi.
Krimi financon partitë
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se tashmë të gjithë qytetarët janë bindur se disa nga partitë politike po financohen nga krimi. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme për procesin demokratik dhe për partitë politike që konkurrojnë për të fituar besimin e elektoratit”, u shpreh ai. “Sipas statistikave të OJQ-së, ‘Çohu’, janë gjetur në terren në zgjedhjet e fundit se janë madje 260 milionë euro para publike që janë marrë përmes procesit të prokurimit publik, pikërisht nga bizneset dhe kompanitë që kanë dhënë financa ose kanë financuar fushatat parazgjedhore të partive politike. Këtu është lidhja klienteliste që është zhvilluar në mes të bizneseve dhe partive politike, pra fillimisht bizneset japin para për të financuar fushatat e partive politike në anën tjetër, pasi ato parti vijnë në pushtet kthehen dhe marrin me miliona tenderë në procesin e tenderimit publik dhe e gjithë kjo del se klasa politike e të inkriminuarve dhe oligarkëve të nëntokës po sundojnë Kosovën. Për këtë, edhe BE-ja ka vënë në dukje me shqetësim, se financat e partive politike në Kosovë janë fshehur nga shqyrtimi publik”, theksoi Hertica. “Me përjashtim të njërës parti, të gjitha partitë politike parlamentare kanë dështuar në publikimin e raporteve të tyre financiare dhe raporteve për dhënien e informacioneve shpjeguese mbi fushatat, siç kërkohet me ligj. Prandaj, ne besojmë se publikimi i të gjitha raporteve financiare është siguruar nga organizata kosovare që theksojnë se partitë politike përpara zgjedhjeve do të financohen nga këto grupe oligarke të mafisë, qofshin ato komunale ose të përgjithshme”, vijoi më tej ai.
KREDIBILITETI SHTETËROR NË PIKËPYETJE
“Komisioni i Zgjedhjeve në këtë drejtim duhet që të sigurojë zbatimin e ligjit nëpërmjet mjeteve të përshtatshme pa ndonjë vonesë të mëtejshme në ofrimin e transparencës për votuesit nga partitë politike.Transparenca dhe integriteti i partive politike dhe procesit të zgjedhjeve kanë rëndësi thelbësore për kredibilitetin dhe legjitimitetin e sistemit demokratik të Kosovës, respektin ndaj votuesve të vet dhe besimin të tyre në ata të cilët i përfaqësojnë ose synojnë t’i përfaqësojnë, sepse nga kjo kastë e brishtë politike dhe oligarkëve, qytetari të vetmen shpresë e ka rrugën drejt ikjes në Perëndim”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”.
PRESIDENTI MBI KUSHTETUTËN
“Nuk dihet se çfarë kuptimi i jepet shtetit, kur presidenti Hashim Thaçi e shkel Kushtetutën dhe krijon presion tek qytetarët, duke dashur që ta kontrabandojë marrëveshjen e tij me Serbinë për korrigjim kufijsh të vendit ,vetëm e vetëm për ta shpëtuar lëkurën e vet”, u shpreh Jeton Kelmendi për “Kosova Sot”.
Qytetarët kërkojnë ndryshime radikale
Qytetarët e anketuar e pranojnë haptazi se ata janë në depresion nga kjo klasë politike e pasluftës. Xhafer Jashari, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se në mos çdonjëri, atëherë çdo i dyti qytetar ka rënë në depresion, duke përjashtuar borgjezinë e pushtetarëve tanë. “Kjo, ngase shtresa e vogël e punëtorëve janë në stres dhe mezi po presin që të bëhet liberalizimi i vizave dhe që të ikin jashtë Kosovës”, u shpreh ai. “Populli duhet që t’i heqë ata nga pushteti me votën e tyre këta sundimtarë dhe t’u themi ju qoftë rruga e hairit e ne si qytetarë duhet që të qëndrojmë këtu në Kosovë, ashtu si kemi qëndruar edhe në vite më të vështira nën regjimin e okupatorit serb. Edhe kur të bëhet liberalizimi i vizave, qytetarët tanë mund të qëndrojnë në Perëndim më së shumti me leje nga 3-6 muaj dhe më pas duhet që kthen në Kosovë, sepse me liberalizimin e vizave më nuk do të ketë azil politik. Ndërsa, për azilin ekonomik më nuk do të ekzistojë fare”, vijoi më tej Jashari. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Shyqyri Nici, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se te qytetarët tanë po ndodh një depresion i madh nga këta politikanë të papërgjegjshëm të pasluftës. “Neve si qytetarë më mirë do të ishte që me votën tonë t’i heqim nga pushteti këta pushtetarë të korruptuar nëpërmes zgjedhjeve nacionale, duke dalë masovikisht në zgjedhje pleq e të rinj me të drejtë vote dhe të zgjedhim politikanë të rinj e të pakorruptuar që në radhë të parë do të punojnë për atdhe e për popull e jo për vete”, vlerësoi ai. “Shpresojmë se, pas marrëveshjes së Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ me LDK-në, këto dy parti kanë kuadro të mjaftueshme që të qeverisin me vendin dhe mund të bëjnë ndryshime shumë të mëdha. Prandaj, sugjerimi im është që mos ta lëshojmë Kosovën. Unë asnjë anëtar të familjes nuk e kam të punësuar dhe nuk e lëshoj Kosovën”, apeloi në fund Nici.
(Kosova Sot)