FIDANISHTJA

Politika e solli Republikën buzë greminës

/ 11 minuta lexim
FIDANISHTJA

Njohësit e skenës politike në vendin tonë, duke parë dhe duke analizuar procesin e shtetndërtimit për gati dy dekada që po lëmë pas, e me fokus të veçantë këtë dekadën e fundit të passhpalljes së pavarësisë, vlerësojnë se është kjo politikë e papërgjegjshme kosovare, që e ka degraduar shtetin, saqë edhe në dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, sistemi i drejtësisë vazhdon të mbetet krejtësisht i pafuqishëm dhe i kontrolluar nga politika dhe nëntoka kriminale, për të “garantuar” të drejtat e qytetarëve të vendit.

Sipas analistëve politikë, mbetet shqetësues fakti se sa mirë po bashkëjetojnë për interesin e tyre korrupsioni dhe krimi i organizuar në çdo institucion të shtetit në Kosovë, pa marrë parasysh se kush nga partitë po e merr pushteti, pikërisht për shkak të dështimit ekstrem të Prokurorisë dhe Gjyqësorit, që nuk i luftojnë ato, thuajse nuk ekzistojnë fare. Mosluftimi i korrupsionit dhe krimit ka bërë që krimi i organizuar dhe korrupsioni të instalohen e të bashkëjetojnë në të gjitha institucionet, në të tria shtyllat e pushtetit dhe në të dyja nivelet e pushtetit! Tanimë po bëhet shumë e qartë se korrupsioni dhe krimi i organizuar, bashkë me ndërhyrjet politike, janë problemet kryesore, të cilat drejtësinë e vendit e kanë kthyer në padrejtësinë më të madhe për qytetarët, duke e trafikuar drejtësinë përmes rrugëve antiligjore, devijante e trafikante. Kjo gjendje mbetet kështu, pasi po i konvenon politikës kjo drejtësi e brishtë e kurrfarë me mundësi të plotë trafikimi, sepse në kuadër të lulëzimit të korrupsionit dhe krimit në drejtësi pushtetarët e kanë shumë më lehtë të bëjnë milionat përmes rrugëve korruptive e kriminale dhe pa i prekur, pa u rrezikuar e ndëshkuar nga askush.

Ndryshimi i gjendjes, në duart e popullit

Politologu Gurakuç Kuçi thekson se në vendin tonë, në këtë shtet akoma të brishtë të Kosovës, ka humbur çdo arsye morale dhe përgjegjësi nga klasa e tanishme politike, andaj sado që iu drejtohemi është e kotë, sepse ata vazhdojnë të bëjnë krimin e tyre që e bëjnë tashmë sa kohë dhe pa fije turpi, gënjejnë, manipulojnë dhe veprojnë sikur që veprojnë grupet mafioze në regjione të ndryshme të botë. “Andaj, vetëm populli mund ta ndryshojë gjendjen e vet që e ka katandisur klasa e tanishme ‘politike’, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila duhet të përdorë çdo mjet që të mos i përkrahë, por edhe të bëjë mekanizëm Gjykatën Speciale të kalojë në gjykimin edhe të krimeve ekonomike dhe në përgjithësi krimit të organizuar, pasi Kosova nuk ka institucione për të gjykuar krime të tilla”, u shpreh ai. “Nëse këtë klasë ‘politike’, Gjykata Speciale arrin që ta heqë, apo të paktën i heq kokat kryesore duke e thyer rrjetin, dhe të jepet hapësirë për një klasë të re politike, ku kjo e fundit do të amendamentonte Ligjin për Gjykatën Speciale për zgjerim kompetencash edhe tek krimet ekonomike mund të flasim për shpresë për Kosovën. Vendi është i pashpresë dhe kemi vetëm një zgjidhje, migrim ilegal apo legal sa më parë që të jetë e mundur nga Kosova, dhe t’ia lëmë Kosovën në dorë krimit dhe përkrahësve të tyre ndërkombëtarë. Ka tendenca që BE-ja po ndryshon qasjen nga stabilokracia në zhvillim demokratik, por uroj që do të marrin hapa konkretë dhe pastaj të mos ankohen për migrimin ilegal drejt BEsë dhe SHBA-së nga Kosova”, tha Kuçi për “Kosova Sot”.

Të specializuar për zhvatje

Analisti dhe publicisti Reshat Sahitaj konsideron se që nga pas lufta e gjer më sot, Kosova nuk ka pasur klasë politike të përkushtuar për zhvillimin politik, ekonomik dhe kulturor të vendit tonë.

Ai thotë se menjëherë pas çlirimit u formua Qeveria e Përkohshme e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Rambujesë, mirëpo kjo Qeveri u pengua nga disa forca të tjera politike pro-serbe, të cilat nuk e dëshironin krijimin e shtetit të Kosovës, duke gjetur pretekste të ndryshme për të mos qenë pjesë e Qeverisë. Sahitaj po ashtu rikujton se me krijimin e KPA-së, që ishte një lloj Qeverie nën kontrollin e administratorit Bernard Kushner, detyrimisht u bashkuan forcat politike më të mëdha që ekzistonin në vendin tonë të posaçliruar që t’i vënin themelet e shtetit.

Mirëpo, sipas tij, edhe gjatë asaj kohe katër shefat e Kosovës në KPA filluan të manipulonin, duke i futur në poste kyçe klanet dhe militantët e tyre, në të cilën periudhë u themeluan grupet e para mafioze shtetërore, ku secila parti e secili klan përpiqej për të zhvatur pasurinë e Kosovës e jo shtetndërtimin e vendit tonë. “Gjatë kësaj periudhe kohore, zyrtarët e LDK-së, PSHDK-së, u vërsulën drejt zhvatjes së pasurive publike dhe jopublike, siç do të vërsuleshin edhe Partia e Prosperitetit Demokratik, e transformuar në PDK. Krijimin e shtetit më 17 shkurt 2008, Kosovën e gjeti me një klasë politike tanimë të specializuar për zhvatje dhe krim të organizuar politikoekonomik”, u shpreh Sahitaj. “Krahu i PDK-së ishin aftësuar dhe specializuar për kryerje të punëve më të pista, si në blerjen e pronave publike nga AKM-ja me çmime qesharake, si dhe në blerjen e tokave të vlefshme publike në bashkëpunim më serbët. Grupi i PDKsë vepronte ‘ligjërisht’ duke i shfrytëzuar postet qeveritare qendrore dhe lokale në krye me Azem Sylën, Nazim Bllacën, Fahredinin e shumë të tjerë, të cilët nxiteshin dhe vareshin nga shefat e partisë së tyre. Në anën tjetër, krahu i LDK-së vepronte me të njëjtin temp në krye më Ukë Rugovën dhe grupin mafioz shqiptaro-serbë të importuar nga Italia në vilën e të cilëve mbi gjashtë muaj kishte qëndruar Ibrahim Rugova, pasi Gjermania ia kishte refuzuar qëndrimin. Gjatë kësaj periudhe ende vepronte SHIK-u, i cili kujdesej kush duhej të ishte në poste kyçe partiake dhe shtetërore, siç kujdesej Sigurimi i Atdheut i Ramë Marajt bashkë më Ukë Rugovën se kush duhet të bëhej deputet e kush ministër. Këto dy grupe, LDK dhe PDK, e kanë lakuriqë- suar shtetin tonë, duke e zhvatur gjer në palcë çdo gjë të mundur”, tha Sahitaj për “Kosova Sot”.

Mobi Casa

Mirëpo, sipas Sahitajt, edhe subjektet e reja politike që dolën më vonë nuk reflektuan shpresa për qytetarin dhe shtetin. “Shumë më vonë apetitet për të zhvatur ende pasurinë e mbetur të vendit tonë i shtohet VV-së e Albin Kurtit. Si dy forcat e para, edhe forca e posakrijuar nga Albin Kurti e fituan Prishtinën dhe e shkatërruan jo vetëm ekonominë, por edhe i shuan të gjitha shpresat se në Kosovë ekziston një parti që në rend të parë e ka Kosovën dhe mirëqenien e popullit”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

Politika, e varur nga individët e papërgjegjshëm

Analisti Ali Hertica thekson se ajo që e shqetëson atë është mungesa e plotë e ndërgjegjes së individit në politikë. ” Kjo ‘Demokracia’ është vetëm zbatim i një grumbulli interesash grupesh nga klandestinët e tyre dhe profiterë të kësaj Qeverie. Që nga fillimi i qeverisjes nga kjo kastë politike, herë në pozitë e herë në opozitë, pothuajse të gjithë dalëngadalë filluan jo që ta ndërtojnë, por ta degradojnë shtetin dhe shtetësinë e Republikës. Edhe tani në dhjetëvjetorin e pavarësisë, kjo datë simbolike Kosovën e gjen skajshmërisht pa sundim të ligjit dhe të pazhvilluar ekonomikisht, në një situatë të rëndë ekonomike dhe politike”, ka theksuar ai. “Për fat të keq, kjo situatë është duke i konvenuar politikës dhe shumë politikëbërësve që nuk shohin përtej interesave të tyre personale, politikanë ‘debilë dhe analfabetë’ pa minimumin e ndjenjës së sinqertë të shtetndërtimit, pa minimumin e interesit për të mirën e qytetarit”, vijoi më tutje Hertica. Sipas tij, ata janë fajtorët kryesorë që në këtë shoqëri të pambrojtur ka lulëzuar krimi dhe korrupsioni, që po hidhet si farë dhe po mbin nën përkujdesjen e bandave kriminale.

Entuziazmi i humbur i pavarësisë

Analisti Hidajet Ahmeti vlerëson se qytetarët e Kosovës kanë besuar që me pavarësinë e Kosovës dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë do të dalin nga kthetrat e vuajtjeve, maltretimeve, dhunës sistematike shekullore, por nuk kanë besuar se rreziku vjen nga brenda dhe pikërisht njerëzit e tyre.

Ai po ashtu thotë se pushtetet autoritare për këto vite treguan dhëmbët e tyre , duke shantazhuar, kërcënuar, linçuar e sabotuar ata të cilët menduan ndryshe, prandaj edhe mjerimi socio-ekonomik, korrupsioni, krimi organizuar, nepotizmi, klientelizmi pësuan rritje. “Si pasojë e mjerimit socio-ekonomik, e lëshuan Kosovën mijëra qytetarë, mira qytetarë vullnetarisht e dorëzuan shtetësinë e Kosovës. Mitrovica e veriut u enklavizua përmes rrugës së shtruar nga klasa politike udhëheqëse, përmes klasës udhëheqëse të shantazhuar. Serbia u fuqizua edhe më shumë brenda Republikës së Kosovës dhe kështu degradimi institucional, politik, ekonomik e social vazhdoi në kontinuitet, duke humbur shpresën qytetare dhe rrjedhimisht duke rënë entuziazmi për këtë ditë historike. Entuziazmi që ishte në vitin 2008 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës çdo ditë e më shumë e humbi kuptimin, pikërisht nga klasa udhëheqëse e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme”, theksoi Ahmeti. “Pas 10 vjetëve shtet, Republika e Kosovës nuk është në funksion të mirëqenies qytetare dhe konsolidimin e shtetit, pasi klasa politike udhëheqëse përdori çdo mekanizëm të shtetit për interesa personale,klienteliste, e nepotiste. Republika e Kosovës për këto 10 vjet shtet nuk i futi në funksion as dorën e majtë për mirëqenie, shëndetësi, ekonomi, por as dorën e djathë prokurori,ushtri, gjyqësi e polici. Dora e djathtë u shfrytëzua vetëm për favore të klasës politike udhëheqëse, korrupsion, nepotizëm, vjedhje përmes rrugëve ligjore, biznese fiktive për t’u pasuar përmes tenderëve korruptivë, kurse dora e djathtë u shfrytëzua për t’u shërbyer atyre në keqpërdorimet, krimin, korrupsionin dhe degradimin institucional”, vlerësoi më tutje Ahmeti. “Qytetarëve të Kosovës u mbetet rruga e zgjimit qytetar përmes rrugëve demokratike rrjedhimisht në ngritjen e vetëdijes kolektive qytetare për ndëshkim dhe rrjedhimisht ndryshime radikale demokratike. Mllefi i akumuluar për këto vite domosdo duhet të përkthehet në shpresën për ndryshim dhe assesi rrugën e dorëzimit para klasës politike të shantazhuar dhe të korruptuar. Republika e Kosovës nuk duhet të mbetet peng e një komuniteti të vogël njerëzish, të cilët veprojnë e punojnë brenda hallkës zinxhirore të krimit, korrupsionit, nepotizmit e klientelizmit. Republika e Kosovës i takon qytetarëve të saj pa dallim, dhe këta përbëjnë substancën e Republikës”, ka thënë ai për “Kosova Sot”. “Hallka zinxhirore e funksionimit të sistemit të drejtësisë është kapur nga qeveritë sunduese të pasluftës, dhe në këtë mënyrë nuk mund të presim drejtësi të pavarur dhe efikase. Tash është shumë e çuditshme se si po të njëjtët njerëz u ikin premtimeve të tyre, në pavarësinë e Gjyqësorit dhe shkapjen e shtetit, duke harruar se çdo ditë po nga po të njëjtin instalojnë njerëzit po në këto institucione të drejtësisë të thirrura si të ‘pavarura'”, ka thënë, më tutje ai.

Sipas Ahmetit, po të kishim një sistem të pavarur të drejtësisë, këta njerëz, që udhëheqin me institucione të rëndësishme publike, do të ishin në bankat e të akuzuarve apo edhe në burg.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.