FIDANISHTJA

Politika e keqe po e dëmton ekonominë

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Kosova nuk ka ndonjë strategji për pesë apo dhjetë vitet e ardhshme se çka do të prodhojë. Ekonomia është duke pasur probleme serioze për shkak të politikës së keqe dhe mosfavorizimit të prodhuesve vendorë. Kompanitë kosovare po shqyrtojnë mundësinë të dalin në vendet fqinje për të operuar. Këto shqetësime i shpreh në Tribuna kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu

Kosova është duke u përballur me probleme serioze ekonomike nga ngërçi politik që po ndodh për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë. Kështu vlerëson në një intervistë për Tribunën, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ai konsideron se imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk është siç duhet dhe si rrjedhojë investitorët nuk po e zgjedhin Kosovën për të hapur biznese. Sipas Gërxhaliut, bizneset janë në fund të agjendës politike dhe premtimet për kushte më të mira kanë mbetur vetëm fjalë. Bizneset private, sipas tij, janë duke pasur problem me konkurrencën e padrejtë. Gërxhaliu thotë se Kosova nuk ka ndonjë plan apo strategji ekonomike për ta ditur se çka do të prodhojë në vitet e ardhshme. Vendimin për ngritjen e çmimit të rrymës nga ana e KEDS-it dhe me aprovimin e ZRRE-së, ai e konsideron të dëmshëm dhe të papërballueshëm për bizneset.

Tribuna: Si po ndikon në ekonomi ngërçi politik?
Gërxhaliu: Jemi dëshmitarë të një viti mjaft shqetësues kalendarik sa i përket zhvillimit ekonomik. Një vit që ka qenë mjaft i ngarkuar me agjendë politike për shkak të zgjedhjeve. E tëra kjo ka reflektuar në aspektin ekonomik. Mirëpo në veçanti këto zgjedhje kanë pasur ndikim që nga 8 qershori ende nuk kemi institucione dhe kjo po reflekton patjetër në ekonomi. Në rend të parë agjencitë kyçe në Kosovë janë pa borde tash e një kohë të gjatë të pakompletuara, në rend të dytë po bien vendime të ndryshme për ngritje të çmimeve qoftë të energjisë elektrike, qoftë të problemeve të tjera të cilat janë drejtpërdrejt që afektojnë në zhvillimin ekonomik. Në veçanti në sektorin prodhues dhe e tëra kjo ndikon në pamundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës, dhe më tutje Kosova vazhdon të jetë eksportuesi më i madh i parasë së gatshme. Kur i shtohet edhe aspekti i ndikimeve në aspektin social, vërtet është diçka që Kosovën është duke e dëmtuar çdo ditë e më tepër. Ky vakum institucional, përveç ndikimit në perceptimet politike, ndikon në imazhin e Kosovë dhe mbi të gjitha në dekurajimin e investitorëve të huaj. Ajo që është më shqetësuese çdo ditë e më tepër jemi duke u ballafaquar me një simptomë të ikjes së investitorëve nga Kosova. Vërtet një vakum që më shumë duhet të na obligojë që të bëjmë më tepër në krijimin e institucioneve dhe të mos e shndërrojmë Kosovën në hapësirë eksperimentale sepse Kosova nuk e ka luksin dhe rehatinë që brenda një viti të ketë dy palë zgjedhje, sepse kanë kosto financiare.

Tribuna: Ku është biznesi në agjendat e politikës?
Gërxhaliu: Në qoftë se ju analizoni në këtë vit, kampanja zgjedhore ka qenë përplot me deklarata pompoze, mirëpo nga vetë fakti që e kemi këtë vakum i cili është krijuar pa vullnetin e popullit, këto premtime kanë mbetur vetëm të fotografuara dhe incizuara dhe ajo me çka ballafaqohet komuniteti i biznesit dhe proceset ekonomike janë në një situatë e cila nuk i bëjnë nder as Kosovës e as proceseve ekonomike. Nuk duhet të habit fakti që Kosova është e atakuar nga vendet që Kosovën ta shndërrojnë në shoqëri të varur nga importi.

Uji Dea

Tribuna: Sa po mbështetet sektori privat?
Gërxhaliu: Për fat të keq për mbështetjen e sektorit privat më shumë flitet sesa bëhet, mirëpo ajo që mua më brengos nuk është vetëm kjo vështirësi, mirëpo vendet e rajonit kanë kaluar në një agresivitet për t’i joshur investitorët e huaj dhe në këtë drejtim e kanë të forcuar diplomacinë ekonomike dhe nuk dua të besoj që me kalimin e kohës këto biznese t’i bartin fabrikat në vendet e rajonit. Kemi shumë prodhues që importojnë lëndë të parë dhe që duhet të paguajnë akcizë, ndërsa produktet e gatshme të importuara nga këto vende nuk duhet të paguajnë akcizë. Kjo është goditje që i jepet prodhimit vendor. Krahas subvencioneve të ndryshme qeveritare, prodhimet vendore kanë nevojë për mbrojtje nga konkurrenca e padrejtë dhe nga agresiviteti që vjen nga shtetet e ndryshme të cilat vetëm për të vërshuar dhe dominuar në Kosovë, i mbështesin në forma të ndryshme prodhuesit e tyre.

Tribuna: Kohët e fundit kemi shumë pakënaqësi nga prodhues vendorë. Qumështarët, prodhuesit e materialit ndërtimor, prodhuesit e pijeve.. Çfarë treguesi për ekonominë janë këto probleme të prodhuesve?
Gërxhaliu: I kemi qumështarët që punësojnë afër 20 mijë punëtorë dhe janë më se 4 mijë fermerë dhe të lihet anash ky sektor nuk e meriton. E kemi sektorin e ndërtimtarisë ku fabrikat e para kanë filluar t’i mbyllin repartet prodhuesit për shkak të asaj që është duke ndodhur në ndërtim dhe mbi të gjitha nga një vërshim që vjen përmes prodhimeve të njëjta nga vendet e rajonit. Duhet të kuptohet që Kosova për shumë shtete është projekt dual, një projekt strategjik që në rend të parë të dëmtohet Kosova dhe të mos jetë funksionale në aspektin ekonomikë dhe politik. Dhe në qoftë se dikujt ia shkatërron ekonominë, ia ke shkatërruar ardhmërinë. Për fat të keq jemi dëshmitarë që çdo ditë është duke ndodhur një dukuri e shkatërrimit të prodhimit kosovare dhe me këtë çështje nuk po merret shteti.

Tribuna: A dihet çka do të prodhojë Kosova në 5 apo 10 vitet e ardhshme?
Gërxhaliu: 15 vjet pas luftës, Kosovës i mungon një plan nacional zhvillimor, një plan që kishte me qenë udhërrëfyes se ku kishte me qenë Kosova në 10 vitet apo 15 vitet e ardhshme në aspektin ekonomik. Të gjitha shtetet e kanë dhe pavarësisht asaj që në Kosovë janë shpenzuar para të shumta, do të thotë një strategji mungon. Duhet të dihet se ku dëshiron Kosova të shkojë dhe në këtë drejtim Kosova rrugën e ka të humbur. E them me keqardhje se nuk kemi orientim të bazuar në resurse natyrore që i posedojmë. Ne kemi rezerva enormë të linjitit ose të thëngjillit, por ne nuk kemi rrymë. Ne themi që kemi minerale të ndryshme. Mungesa e përgjegjësisë në këto projekte e kanë pru Kosovën këtu ku jemi dhe ne, si duket, hartojmë strategji sektoriale për vitrina dhe për sirtarë sesa të jenë në funksion. Dhe dua ta adresoj një breng që në Kosovë shumë më tepër prodhohen raporte sesa janë në funksion të zhvillimit ekonomik.

Tribuna: Energjia elektrike ka pasur dy herë ngritje të çmimit brenda një kohe të shkurtër. A e dëmton biznesin?
Gërxhaliu: Ajo çka ka ndodhur me ngritjen e çmimit të rrymës është vërtet që e dëmton Kosovën në forma të ndryshme edhe në aspektin ekonomik edhe social. Mirëpo një sjellje e tillë e KEDS-it ngjan me atë të ÇEZ-it në Shqipëri, që nuk dëshiroj të ndodhë një dështim i tillë i një kompanie. Nuk duhet të shfrytëzohet një amulli institucionale për ngritje të çmimit të rrymës për dy muaj dy herë dhe në rend të dytë nuk duhet të shfrytëzohet vakumi i kompletimi të bordit të ZRRE-së, i cili nga 5 anëtarë i ka vetëm 3, në rend të tretë duhet të kalojë një periudhë kohore të paktën 6 mujore dhe të kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike dhe pse të ndodhë diçka e tillë në prag të stinës së dimrit kur tani fillojnë tarifat dimërore. Ky është një provokim social nga KEDS-i dhe nëse ndodh një revoltë sociale, Kosovës nuk i duhet kjo.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.