Eko Higjiena

Politika e ka degraduar arsimin

/ 5 minuta lexim

Sistemi i arsimit në Kosovë, vazhdon të përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Por, ajo që aktualisht ka degraduar këtë fushë, është politizimi i sistemit të arsimit duke filluar nga niveli fillor, e deri tek ai universitar, konsiderojnë përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend.

Problemi më shqetësues për të gjitha shkollat e vendit, janë emërimet politike e korruptive, e që në shumë raste, emërimi i udhëheqësve të institucioneve arsimore në të gjitha nivelet dhe mësimdhënësve, bëhet jashtë profileve të tyre. Kjo, sipas tyre, po ndikon në menaxhimin dhe cilësinë e ulët të arsimit.

Partitë opozitare thonë se kanë programe konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.

Fevzi Berisha, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson se përveç politizimit të skajshëm në këtë sistem, cilësia dhe infrastruktura nuk janë në nivelin e duhur. Ai thotë se, madje, nuk janë duke u përfillur as normat ligjore.

“E para që do të ndryshojmë, është se ne do të kërkojmë që në mënyrë rigoroze të përfillen normat juridike ekzistuese që sot janë në arsim, duke filluar prej strategjive dhe ligjeve përkatëse”.

“Këtu përfshihet edhe përcaktimi i udhëheqësve të niveleve arsimore, prej drejtorive të shkollave, e deri te drejtoritë komunale. Do të thotë të përcaktohen njerëz meritorë, e jo në mënyrën që sot bëhet në bazë të përcaktimeve të politikës”, shprehet Berisha.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, kjo qasje duhet të ndërrohet në mënyrë radikale. Afrim Kasolli, nga ky subjekt, njëherësh anëtar në Komisionin për Arsim, Kulturë Rini në Kuvendin e Kosovës, vlerëson se arsimi është shndërruar në poligon të realizimit të ambicieve politike dhe në punësimin e militantëve politikë.

Megjithatë, Kasolli konsideron se përmirësimi në këtë fushë, mund të ndodhë vetëm nëse depolitizohet kjo fushë dhe investohet në veprimtaritë kërkimore shkencore.

“Duhet të investohet në sektorin e arsimit, si një ndër sektorët krucial dhe po ashtu hap tjetër është depolitizomi i menjëhershëm. Gjithashtu edhe në përmirësimin e menaxhimit të arsimit dhe të investohet në radhë të parë në veprimtaritë kërkimore – shkencore , veçanërisht në ato që deri më tani i kanë munguar segmentit të arsimit universitar”.

RCCOLA

“Në këtë mënyrë, institucionet tona arsimore, konkretisht ato universitare do të shndërrohen në institucione të prodhimit të dijes dhe të ndërlidhet procesi ekonomik me atë arsimor – që arsimi të shndërrohet në mekanizëm të imputeve të zhvillimit ekonomik të kësaj shoqërie”, thekson Kasolli.

Edhe përgjegjës për arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, një ndër problemet kryesore në këtë fushë, numërojnë politizimin e arsimit.

Jonuz Salihaj, nga AAK-ja, thotë se me politizim iu është mbyllur dera ekspertëve që mendojnë ndryshe. Të gjithë njerëzit, vlerëson ai, klasifikohen në bazë të partive politike dhe jo në bazë të meritës ose aftësisë profesionale.

“Së pari do të aktivizohen ato që quhen agjencitë e pavarura që nuk janë aktivizuar deri më tani. Do të formohet agjencia për aftësim profesional, që këta e kanë në plan dhe nuk e kanë bërë asnjëherë”.

“Mandej, do të pavarësohet plotësisht çështja kombëtare për vlerësim, që është njësi e vogël, brenda MASHT-it, do të jetë e pavarur në kryerjen e detyrave të veta për ta kontrolluar cilësinë e arsimit. Nuk do të ndikohet në Agjencinë e Akreditimit, pasi politika ndikon në këtë agjenci dhe nganjëherë i pamundësohet që t’i përfundojë punët e veta”, konsideron Salihaj.

Në anën tjetër, zyrtarë të ekzekutivit pranojnë se problemet ekzistojnë në këtë fushë, por edhe përmirësimet nuk mungojnë.

Arbër Morina, këshilltar i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, thotë se infrastruktura ligjore dhe e objekteve, gati është kompletuar, pastaj ka pasur investime në librat shkencorë, si dhe është bërë trajnimi dhe licencimi i mësimdhënësve.

Ndërkaq, sa i përket akuzave të opozitës për politizim, Morina nuk e mohon këtë fakt, por thotë se janë duke punuar në këtë drejtim, duke shtuar se kjo çështje varet edhe nga Kuvendet Komunale.

“Ndërsa, sa i përket politizimit, ne, si ministri, jemi duke punuar vazhdimisht që ky fenomen negativ të eliminohet. Nuk mund të themi se gjithçka është e depolitizuar, ka raste, por megjithatë kjo çështje u përket edhe Komunave të Republikës së Kosovës, pasi me Ligjin për arsim dhe Ligjin për arsimin parauniversitar, komunat janë përgjegjëse për menaxhimin e shkollave dhe zgjedhjen e personelit”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë. /REL/