Politika e drejtësia bashkëjetojnë në simbiozë krimi

Edhe pse ka akoma kohë deri në bërjen e planit të ri legjislativ për vitin që vjen, nëse mbijeton kjo qeveri aktuale, analistët politikë dhe ekspertët e fushës së sundimit të ligjit nuk presin që ky mandat qeverisës dhe ky Parlament ta bëjnë në këtë vit ose vitin tjetër Ligjin e VETTING-ut.

Preteni: Pushteti i tretë (gjyqësori) në gjumë të thellë dimëror!

“Nuk e dëshiron kjo elitë politike VETTING-un, sepse VETTING-u do ta hetonte, do ta pastronte dhe do ta penalizonte pikërisht këtë oligarki politike të kriminalizuar të kësaj politike, nuk e dëshiron dhe as nuk e miraton një ligj VETTING-u pikërisht kjo politikë, pasi VETTING-u do ta pastronte së pari gjyqësorin e kriminalizuar e të korruptuar, mirëpo kjo do të ishte një harakiri edhe për politikën, sepse kjo drejtësi është tërësisht politike dhe ky gjyqësor mbron dhe i shërben politikës, pushtetit dhe krimit, korrupsionit dhe hajdutërisë së saj”,thotë analisti Skënder Kapiti për gazetën “Kosova Sot”

E dhe pse ka akoma kohë deri në bërjen e planit të ri legjislativ për vitin që vjen, nëse mbijeton kjo qeveri aktuale, analistët politikë dhe ekspertët e fushës së sundimit të ligjit nuk presin që ky mandat qeverisës dhe ky Parlament ta bëjnë në këtë vit ose vitin tjetër Ligjin e VETTING-ut.

Këtë opinion e ndajnë me bindjen e tyre, sipas së cilës si pozita ashtu edhe opozita po i frikësohen një VETTING-u në Kosovë kur kihet parasysh se çdo opozitë do ta shndërronte këtë çështje në kauzën e saj dhe aksionin më të madh politik të saj. Qeveria nuk po e bën Ligjin për VETTING-un, por as opozita nuk denjon të hapë këtë çështje në Kuvend dhe të sjellë vetë Ligjin për VETTING-un. Ky hezitim, sipas njohësve të kësaj çështje, vjen pasi që politika po frikësohet nga një ligj i tillë dhe në këtë mes edhe gjyqtarët e prokurorët po ndihen për të vazhduar zhvatjen me paligjshmërinë e tyre të pandalshme në këtë sistem të degraduar e të inkriminuar.

PRETENI: DERISA POLITIKA I FRIKËSOHET NJË LIGJI TË TILLË, LIGJI VETTING DO TË MBETET VETËM LOJË FJALËSH EDHE PËR NJË KOHË TË GJATË Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se derisa politika i frikësohet një ligji të tillë dhe drejtësisë po ashtu i përgjigjet vazhdimi në këtë gjendje, Ligji VETTING do të mbetet vetëm lojë fjalësh edhe për një kohë të gjatë.”Vetting-u në Kosovë nuk është në dukje, nuk mund të kalojë, por as nuk ka kush ta përgatitë. Në Kuvend nuk po kalon asnjë ligj, është hera e parë në dy dekadat e fundit që nuk pati fare rishikim të buxhetit, nuk ka vullnet për punë”, u shpreh ai. Sipas Pretenit, në Kuvend mund të kalojë vetëm ndonjë ligj që ka të bëjë e rritjen e pagave dhe privilegjeve tjera. “Edhe marrëveshjet ndërkombëtare po kalojnë vetëm pas presioneve ndërkombëtare. Kjo qeveri vetëm është duke e rritur numrin e lëndëve që në të ardhmen një prokurori profesionale dhe e pavarur do të mund të hetonte shumë shkelje ligjore. Për çdo ditë kemi vendime e vendime që fare nuk përkojnë me legjislacionin në fuqi. Qe një vit e më shumë nuk është iniciuar asnjë veprim në lidhje me parandalimin apo luftimin e krimit, nuk është iniciuar asnjë lëvizje as në dukje”, theksoi ai.”Pushteti i tretë (gjyqësori) në gjumë të thellë dimëror, kurse dy pushtetet tjera në punë, por në punë duke garuar se cili po nxjerr më shumë vendime joligjore. Si të zgjohemi në mëngjes mund të dëgjojmë vetëm lajme të hidhura: sa veta u mbytën në komunikacion, sa vetëvrasje ishin gjatë ditës së kaluar, cilat vendime u nxorën në zhvatjen e buxhetit dhe sa zëvendësministra të rinj i kemi me emërimet e pandalshme. Kemi zëvendësministra më shumë se deputetë! Kjo është Kosova e mjerë, si asnjëherë më parë në qeverisjet e kaluara. Për vetting-un vetëm mund të dëgjojmë ose shikojmë në TV, ndonjë debat në mbrëmje në kanalet e Shqipërisë, por ai po bëhet i papranueshëm për institucionet e shtetit dhe politikën e Kosovës”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

KAPITI: KY GJYQËSOR MBRON DHE I SHËRBEN POLITIKËS, PUSHTETIT DHE KRIMIT, KORRUPSIONIT DHE HAJDUTËRISË Eksperti i kësaj fushe, Skënder Kapiti, numëron të gjitha arsyet që sipas tij kasta politike kosovare i ka për mosmiratimin e Ligjit të VETTING-ut. “Arsyet se përse politika, e gjitha, pozitë dhe opozitë, nuk e duan VETTING-un janë këto: Nuk e dëshiron politika pozitë-opozitë VETTING-un sepse deputetët, pushtetarët, qendrorë e lokalë, administrata dhe strukturat e ligjit e të drejtësisë janë vetë të zhytura në krim, në hajdutëri dhe në korrupsion, nuk e shndërron në kauzë opozita VETTING-un pasi pra edhe ajo është pjesë e politikës së kriminalizuar e të korruptuar, nuk e dëshiron kjo elitë politike VETTING-un sepse VETTING-u do ta hetonte, do ta pastronte dhe do ta penalizonte pikërisht këtë oligarki politike te kriminalizuar të kësaj politike, nuk e dëshiron dhe as nuk e miraton një ligj VETTING-u pikërisht kjo politikë pasi VETTING-u do ta pastronte së pari gjyqësorin e kriminalizuar e të korruptuar, mirëpo kjo do të ishte një harakiri edhe për politikën, sepse kjo drejtësi është tërësisht politike dhe ky gjyqësor mbron dhe i shërben politikës, pushtetit dhe krimit, korrupsionit dhe hajdutërisë së saj”, u shpreh ai. Sipas Kapitit, përderisa politika e drejtësia politike bashkëjetojnë në simbiozë krimi e hajdutërie kundër interesave publike e kombëtare, ato nuk mund ta ndëshkojnë veten e tyre me VETTING-un. “Kjo politikë dhe kjo drejtësi e shikojnë dhe e konsiderojnë VETTING-un si armikun më të madh për ta. Dhe, prandaj kurrë shoqëria kosovare mos të presë se nga kjo elitë politike dhe nga ky sistem gjyqësor, as nuk duhet besuar se këta do të ndërtojnë dhe as që nuk janë të interesuar për ndërtimin e shtetit ligjor dhe as për të vënë në funksion demokratik ligjin, shtetin dhe shoqërinë kosovare dhe prandaj ata janë armiq të VETTING-ut, pasi VETTING-u do ta pastronte si politikën ashtu edhe drejtësinë dhe do t’i hapte rrugën ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, të ligjit, progresit dhe konsolidimit të demokracisë”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.

KELMENDI: KY MANDAT I KUVENDIT TË KOSOVËS DO TË KALOJË PA E BËRË LIGJIN E VETTING-UT Edhe sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, jo vetëm ky vit, por ky mandat i Kuvendit të Kosovës do të kalojë pa e bërë ligjin e VETTING-ut. “Sikur po duket edhe me këtë qeveri aktuale dhe me këtë Kuvend të stërkequr si asnjëherë më parë, nuk ka gjasa të ketë VETTING e vetëpastrim të pushteteve nga krimi e korrupsioni, sepse edhe qeveritarët dhe deputetët e shumtë aktualë po shohin se si të pasurohen e të mos preken nga drejtësia. Ata nuk duan që të preken as si deputetë, por kështu duan t’i mbrojnë të inkriminuar dhe korruptuar edhe njerëzit e tyre në pushtet, në qeveri e kudo tjetër”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Pasuria korruptive do të konfiskohet Eksperti tjetër i fushës, Blerim Burjani, thotë se Vetting-u është i domosdoshëm, por kjo qeveri dhe këta deputetë nuk e bëjnë, sepse goditen të parët nga një ligj i tillë. “Kjo është e dëmshme që kjo legjislaturë nuk e aprovon një ligj të tillë. Sidoqoftë, edhe nëse kjo qeveri nuk e procedon këtë ligj, këta nuk do të mund të amnistohen përjetësisht, sepse një qeveri e ardhshme duhet të procedojë patjetër edhe këtë ligj. Nuk mund të arsyetohet, as të amnistohet përjetësisht gjithë ky krim e korrupsion, e gjithë kjo padrejtësi dhe në fund të mos ndëshkohet askush”, vlerësoi ai.”Kjo temë tani po vonon, por herët apo vonë do të ndodhë edhe Ligji i VETTING-t, kështu që është e kotë shmangia e tanishme, është vetëm blerje kohe ikja nga përgjegjësia që u takon, sepse nga realiteti që ekziston, apo vendosja në veshë të shurdhër , mosdëgjueshmëria e zërit të qytetarëve, mospërgjegjësia për pasurit publike, zhvatja, janë çështje që duhet të ndalen, por edhe të ndëshkohen”, potencoi Burjani për “Kosova Sot”. Sipas tij, e gjithë kjo pasuri e krijuar në mënyrë të paligjshme duhet të konfiskohet një ditë, herët apo vonë.

(Kosova Sot)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).